Në fshatin Pallçisht i Epërm të Komunës së Bogovinës, kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë së këtij fshati. Xhamia e vjetër për disa vite ka qenë jofunksionale për shkak të dëmtimeve që ka pësuar ndër vite, ndërsa nga vërshimet dhe erërat e fuqishme të vitit të kaluar, e njëjta është shkatërruar në tërësi. Iniciativën për rindërtimin e kësaj xhamie e kanë ndërmarrë disa qytetarë të fshatit Pallçisht i Epërm dhe e njëjta iniciativë ka gjetur mbështetjen e të gjithë qytetarëve dhe mërgimtarëve të këtij fshati. Sipas organizatorëve, edhe pse shumica e banorëve të fshatit Pallçisht i Epërm, janë shpërngulur nga ky fshat dhe jetojnë në fshatrat Çeflik i Malësisë së Sharit dhe në fshatin Kallnik, megjithatë ata ndihmojnë ço iniciativë në fshatin e tyre ku kanë jetuar më parë. Nga Këshilli iniciativ për ndërtimin e kësaj xhamie deklaruan se mbështetje kanë marrë edhe nga Muftinia e Tetovës, e cila ka siguruar dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e xhamisë, si dhe ka premtuar se do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve.“Iniciativa për rindërtimin e xhamisë së fshatit Pallçisht i Epërm është e të gjithë qytetarëve dhe e mërgimtarëve. E ndërmorëm këtë iniciativë për shkak të asaj se nga vërshimet dhe erërat e vitit të kaluar xhaminë e shkatërruan në tërësi duke rrëzuar edhe minaren e saj, andaj ne si qytetarë të fshatit Pallçisht i Epërm, erdhëm në përfundim që patjetër duhet që ta rindërtojmë. Me lejen e Zotit ne i kemi filluar punimet për ndërtimin e xhamisë se deri ku do të arrijmë do të varret nga mjetet që do të grumbullojmë, shpresojmë që qytetarët, besimtarët e fesë islame si ata që jetojnë në Maqedoni, por edhe mërgimtarët varësisht mundësive që kanë të na ndihmojnë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga Muftinia e Tetovës, shfrytëzoj nga rasti që t’i falënderoi publikisht edhe ata sepse na kanë ndihmuar ne rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm, gjithashtu kanë premtuar se edhe ata me mundësitë e veta do të ndihmojnë. Apeloj deri tek të gjithë besimtarët e fesë muslimane që pasi që të shohin këtë rrëmujë, gjendjen në të cilën aktualisht është xhamia, kush sa ka mundësi, brenda dhe jashtë, të gjithë ata që e ndjejnë veten musliman të devotshëm të kontribuojnë”, thotë Besar Odai, përfaqësues i Këshillit iniciativ për rindërtimin e Xhamisë. Në ndërkohë edhe qytetarët e fshatit Pallçisht i Epërm, apelojnë deri tek besimtarët e fesë Islame që varësisht mundësive që kanë të kontribuojnë, të ndihmojnë në ndërtimin e kësaj xhamie, me qëllim që kjo xhami edhe në të ardhmen të kryej funksionin e saj ashtu siç e ka kryer në të kaluarën dhe të mos shuhet. “Siç e keni parë edhe vet, nga vërshimet, nga koha e keqe, nga erërat e forta të vitit të kaluar për fat të keq, është dëmtuar edhe xhamia e fshatit tonë. Ne si bashkëqytetarë të këtij fshati menduam që kjo xhami të mos shembet, të mos shuhet tërësisht, por të ekzistojë edhe më të tej për të bërë punën e vet, për të kryer funksionin e vet, prandaj ne ndërmorëm këtë iniciativë për rindërtimin e xhamisë, me mundësitë, me aktivitetet tona kemi arritur të bëjmë diçka, megjithatë ne vet nuk kemi mundësi që t’i kryejmë të gjitha punët, andaj apeloj tek të gjithë ata shqiptarë që e ndjejnë veten musliman të devotshëm, të ndihmojë për rindërtimin e xhamisë me qëllim që e njëjta mos të shembet, dhe të mos rrënohet e tëra, ky do të ishte apeli im për popullin tim”, thotë Irmijah Memeti, banorë i këtij fshati. Ndryshe fshati Pallçisht i Epërm graviton në Komunën e Bogovinës. Aktulisht në këtë fshat jetojnë një numër i vogël i banorëve për arsye se shumica janë shpërngulur në fshatin Çeflik dhe Kallnik. Ato pak familje që vazhdojnë të jetojnë në këtë fshat kryesisht merren me blegtori. Xhamia e cila është rrënuar sipas disa të dhënave jo zyrtare ekzistojnë që përpara tre shekujsh, ndërsa herën e fundit është renovuar në vitin 1940. /KOHA/