Panairi i turizmit “eKSplorer”promovon atraksionet turistike të Kosovës

Sonte në qendër të Prishtinës, ka filluar panairi i turizmit “eKSplorer – Destinacion për Turizëm dhe Aventurë”, me të cilin promovohen atraksionet turistike të Kosovës.

Hapësira ekspozuese e vendosur në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, është ndarë në 8 stande ekspozuese ku prezantohen aktivitetet dhe shërbimet e turizmit malor dhe të natyrës kosovare, për të kaluar pushime të këndshme duke vizituar shpella të bukura, pyje dhe male të jashtëzakonshme të Kosovës, si dhe liqene e lumenjë, duke mos anashkaluar edhe objektet kulturore dhe historike, të trashëgimisë së Kosovës.

Për tre ditë rresht, organizatat e ndryshme sportive, turistike dhe ato që merren me promovimin e turizmit malor, pjesëmarrës të ndryshëm nga mbarë Kosova, do të ofrojnë informata, do të promovojnë qendra turistike kosovare dhe njëherësh, aktivitetet që mund të zhvillohen në këto qendra, në mbarë Kosovën.

Hiking apo ecja nëpër male, ngjitja në shkëmbinj, lëshim me litar, rafting, çiklizmi dhe çiklizmi malor, lundrimi me kajak, ski alpin dhe ai nordik, sportet aero-nautike si parashutizmi dhe paraglajdizmi, janë vetëm disa nga aktivitet që do të prezantohen në këtë panair, nga grupet të cilat tash e një kohë të gjatë merren me këto sporte dhe aktualisht i ofrojnë këto shërbime, si për shembull federatat e ndryshme të sporteve malore, si ajo e Bjeshkatarëve, Alpinistëve, Skitarisë dhe Aeronautikës, sikurse edhe agjencitë dhe operatorët turistikë, si dhe bizneset tjera që punojnë në fushën e turizmit.

Në mesin e vizitorëve të panairit “eKSplorer – Destinacion për Turizëm dhe Aventurë” sot ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ndërsa duhet theksuar se ky panair është mbështetur nga projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat të Kosovës, udhëhequr nga organizata Swisscontact dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC).

Artikulli paraprakStambolli organizon Festivalin e tre kënaqësive: librit, kafes dhe çokollatës
Artikulli vijuesBota po e pret me padurim tankun kombëtar të Turqisë “Altay”,