E përditshmja katolike franceze La Croix ka botuar sot një intervistë të rrallë të Papa Franceskut, ku nënvizohen fjalët e tij se nuk ka frikë nga Islami në Evropë, e se liria e praktikimit të fesë duhet mbrojtur brenda shoqërisë, e jo jashtë saj.
Pikëpamjet e kreut të Katolicizmit mbi krizën e refugjatëve, mbi Islamin, mbi laicitetin në Francë, e mbi skandalin e pedofilisë në një prej dioqezave më të mëdha të Francës, kanë zënë vend kryesor në intervistë.
“Bashkëjetesa mes të krishterëve dhe muslimanëve është e mundur,” ka deklaruar Papa Francesku. Ai i ka bërë thirrje Europës që të luajë rolin e saj në mirëpritjen dhe integrimin e emigrantëve, shumica prej të cilëve vijnë nga vendet me shumicë myslimane.
Në intervistë janë vënë në pah prej tij shkaqet rrënjësore të krizës së refugjatëve: luftërat që po e shkatërrojnë Lindjen e Mesme dhe Afrikën, e sistemi ekonomik global, që ka “rënë në idhujtarinë e parasë”.
Papa Francesku e ka mohuar të ketë ndonjë frikë nga Islami në Europë, duke i pranuar ndërkaq shqetësimet mbi terrorizmin e ISIS-it.
I intervistuari i veçantë i së përditshmes e ka mbështetur ndarjen e kishës nga shteti, duke thënë se historia ka treguar që një teokraci përfundon gjithmonë keq.
Veçse ai e ka mbrojtur lirinë fetare dhe të drejtën e individëve për ta praktikuar besimin e tyre brenda shoqërisë, jo jashtë saj, qofshin muslimane me hixhab apo katolikë me kryq. /tesheshi.com/