Papa urdhëron hetime të posaçme për abuzimet seksuale ndaj fëmijëve nga priftërinjtë në Spanjë

0
165

Papa Françesku urdhëroi të kryhen hetime të posaçme për rastin e 10 priftërinjve dhe dy misionarëve të cilët gjykata në Spanjë i akuzon për abuzim seksual ndaj fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).

 

Siç është raportuar nga mediat lokale, gjykata në Granada të martën akuzoi 12 persona të dyshuar për abuzim të katër adoleshentëve në periudhën midis 2004 dhe 2007. Siç deklaron Gjykata, Papa Françesku, në nëntor të vitit të kaluar, me telefon në emër të Kishës i kërkoi falje njërit prej viktimave. Gjykata gjithashtu deklaron se njëri prej viktimave, i cili tani është 24 vjeç, ishte abuzuar disa herë gjatë një periudhe prej disa vitesh në rrethinat e Granadës.

 

Papa Françesku i ka kushtuar vëmendje të veçantë zbulimit të rasteve të abuzimit seksual në Kishën Katolike dhe ka urdhëruar që të hetohen të gjitha rastet e dyshimta. Pasi Papa Françesku telefonoi viktimën, Kryepeshkopi i Granadës, Francisco Javier Martinez dhe priftërinj tjerë nga komuniteti lokal u lutën para altarit të katedrales për falje. Papa më parë pati deklaruar se për shkak të besueshmërisë së Kishës është e nevojshme që të organizohemi kundër dhunës seksuale.

 

Komiteti i Kombeve të Bashkuara kundër Torturës në raportin e vitit të kaluar vuri në dukje se Vatikani nuk ka arritur të sigurojë informacion mbi numrin e fëmijëve të abuzuar seksualisht nga ana e priftërinjve. Komiteti vuri në dukje faktin se në mes 2004 dhe 2013 janë regjistruar 3.420 deklarata të besueshme për abuzime seksuale. Vatikani ka deklaruar se 848 priftërinj janë larguar nga detyra, dhe se 2.572 u janë nënshtruar procedurave disiplinore.