Në Shqipëri e sigurisht në Kosovë, disa media kryesore, duke pretenduar se po informojnë dhe po bëjnë gazetari, raportuan para katër ditësh një incident në fillimin e ndeshjes Turqi-Greqi:
Një pjesë e tifozëve turq nuk kanë reaguar mirë për mbajtjen e një minute heshtje në nder të viktimave të Parisit. Ata kanë filluar të fishkëllejnë ndërsa mbahej minuta e heshtjes para miqësores Turqi-Greqi. Madje, kanë filluar të bërtasin “Allahu Akbar”, njësoj si terroristët.
Sikur tifozët të ishin njësi matëse në prezantimin e një vendi, populli a lidershipi politik, me siguri (sot) motrat e nënat e serbëve do të ishin të gjitha shtatzëna nga vulgu i tifozerisë shqiptare, por ja që Turqia monitorohet rreptësisht nga ky soj gazetarie, e nuk është çudi nëse përbën lajm të rëndësishëm për publikun shqiptar edhe një tifoz turk me mjekër. Në fakt është i rëndësishëm për publikun shqiptar çdo informacion nga Turqia, ngaqë tashmë ajo është bërë sinonim i fenomenit Erdoğan, i cili në vetvete është shndërruar në sinonim të një kombinimi të identitetit fetar me politikën, shtetin, kombësinë, rritjen gjeopolitike dhe ekonomike. Prandaj, për arsye të lexueshme, një skandal turk përkthehet menjëherë në lajm për mjaft media shqiptare.
Nëse për Mapon (Opinion.al, Telesport.al, Ballkanweb.com) përbën interes edhe fishkëllima e tifozerisë, Zëri nënvizon koret: «Gjatë ndeshjes Turqi-Greqi,, kur po mbahej një minutë heshtje për viktimat e Francës nga akti terrorist ne Paris, turqtë kanë brohoritur “Allahu është i madh”». «Kore shokuese» i titullon Tema, ndërsa Koha Jonë shkonte më tej, duke identifikuar edhe korin, si «frazë islamikë». Pati edhe tentativa analitike, si ajo eTelegrafi.com, ku theksohej standardi i dyfishtë.
Në përgjithësi dominoi skandalizimi me frazën e koreve, e quajtur islamike dhe e paraqitur si e privatizuar nga terroristët, sikur të mos ishte e njëjta që normalisht përsëritet 30 herë në ditë nga minaret e xhamive të Stambollit, për 365 ditë në vit, brez pas brezi të paktën që nga 1453 (le pastaj përsëritjet në kremtime të veçanta, gjatë ushtrimit individual të ritualit etj), apo e minareve të çdo xhamie në botë. ‘Allahu Ekber’ është dëgjuar në koret e ndeshjes me Islandën, dy ditë pasi në Ankara u vranë 102 vetë nga dy shpërthime terroriste. Të kenë brohoritur turqit edhe me atë rast kundër viktimave dhe në mbështetje të terrorizmit?!
Mjaft media europiane e përcollën gjithashtu ngjarjen, por sigurisht pa patosin e gazetarisë shqiptare (që nuk i mungojnë modelet), duke ofruar edhe një shpjegim logjik të reagimit. Siçnuk munguan analizat, nga të cilat rezultoi se parulla ishte jo ‘Allahu Ekber’, por ‘Şehitler Ölmez Vatan Bölünmez’, karakteristike për Turqinë e Mustafa Kemalit, e cila përkthehet: ‘Dëshmorët nuk vdesin, Atdheu nuk ndahet’. Skandalozimi rezulton vetvetiu skandaloz. Parulla të ngjashme, edhe pse laike, nuk kanë qenë më pak vrastare në historinë europiane ose në historitë e rajoneve ku Europa është zgjeruar dhe as nuk i skandalizojnë mediat shqiptare kur dalin nga vulgu i tifozerive tona.
Fakti që ne (dhe Kosova politike, pa Vetëvendosjen) jemi vend pa shtyllë kurrizore (dhe me elita të degraduara) nuk do të thotë se një vend i goditur nga terrorizmi, siç është Turqia, nuk ka të drejtë të protestojë për standardin e dyfishtë, për viktimat e saj, për të cilat nuk mbajti heshtje njeri. E nëse justifikimet janë si ato të Artur Zhejit të Mapos, se Ajo është botë tjetër, e kësisoj larg vëmendjes së interesave dhe emocioneve Tona, nuk ka kuptim që Kësaj bote tjetër t’i kërkohet llogari përse qëndron larg viktimave Tona pariziene.