Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Ali Zaimi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Parlamenti Evropian me temë “Dialogu ndërfetar si një instrument për zgjidhjen e konflikteve, rasti i Shqipërisë”.
Në emër të institucionit nënkryetari Zaimi shprehu vlerësimet për këtë organizim të rëndësishëm mbi dialogun ndërfetar.
“Ne jemi të bindur dhe të vetëdijshëm se çdo besim fetar dialogun e ka në rrënjët e tij. Harmonia, bashkëjetesa dhe respekti ekziston në shpirtin e çdo besimi fetar, dhe mendoj se shqiptarët e kanë kuptuar drejt këtë aspekt të fesë dhe ua kanë trashëguar brezave si një vlerë, tashmë të njësuar me vlerat kombëtare”, tha ndër të tjera z. Zaimi.
Në konferencën e organizuar nga partitë e djathta në Parlamentin Evropian, z. Zaimi theksoi po ashtu se dialogu kërkon përpjekje dhe vullnet, dhe se Shqipëria me modelin e saj të shkëlqyer të harmonisë, tolerancës dhe dialogut ndërfetar përbën një aspekt shumë pozitiv të vullnetit dhe të kulturës së shoqërisë shqiptare.
Sipas nënkryetarit Zaimi, integrimi i Shqipërisë me shumicë myslimane të popullsisë, do të shërbejë si një shembull i mirë për integrimin e myslimanëve që jetojnë në Evropë./dritaislame/