Partnerë të studentëve – Të moshuarit ndihmojnë studentët huaj në Gjermani

Një gjuhë e huaj, burokraci, dhe trysni notash – studentët e huaj shpesh kanë vështirësi ambientimi me jetën universitare gjermane. Në Dortmund ata gjejnë miq me përvojë.

Renate Fährenkämper hedh disa lugë të pluhuri të kafesë në automat. Me zell dama e veshur me një xhaketë rozë shkon sa nga njëra tavolinë në tjetrën, vendos biskota nëpër tavolina, filxhanë kafeje dhe lugë. Çdo të enjte një sallë e Universitetit Teknik të Dortmundit rezervohet për studentët mentorë, të cilët presin aty studentët e huaj.
Renate e zhvilloi këtë projekt para gjashtë vitesh. Në kuadër të studimeve për seniorët në Universitetin e Dortmundit ajo kreu një praktikë në Qendrën e Gjuhës duke ushtruar me studentët e huaj gjermanisht. Kontakti me të rinj nga e gjithë bota e entuziazmoi aq shumë atë, saqë ajo menjëherë kërkoi të zhvillonte një projekt mentorimi për studentët.

Punë me orar të plotë
28 studentë të huaj kanë 13 studentë mentorë, rrëfen Renate Fährenkämper. Një mentor ka disa studentë në kudjestari. “Me shumë dëshirë do të kujdesesha për të gjithë” thotë Renate. “Më mbush ky projekt.”
Ajo vetë kudjeset për katër studentë, dy të rinj nga Kina, një student nga Tunizia dhe një studente nga Indonezia. Bashkë me studentët ajo organizon ekskursione, shkon në muzeume, në teatër, ose i fton në shtëpi. Ky projekt është kthyer tanimë në një punë me orar të plotë, rrëfen ajo dhe nuk duket edhe aq e pakënaqur.
Jiafei nga Kina është studenti, për të cilin është kujdesur prej kohësh. Tashmë ai ka përfunduar doktoraturën në Dortmund dhe prej disa javësh i është ofruar pjesëmarrja në një projekt studimor në Londër. “Jam kaq krenare për të, sikur të ishte djali im”, thotë Renate.

Ndihmë për gjuhën gjermane
Në Dortmund ndërkohë salla është mbushur plot. Bernd dhe Wolfgang nga Gjermania bisedojnë me studentë nga Kina dhe India. Edhe ata ashtu si Renate ndjekin studimet për seniorët në Dortmund. Normalisht vijnë më shumë studentë, por tani kemi pushimet e semestrit, prandaj kanë ardhur vetëm 10 studentë, vëren Renate.
Lydia nga Indonezia punon aktualisht mbi temën e doktoraturës “Intralogjistikë” në Institutin Shkencor Fraunhofer. Prej dy vjetësh ajo ndodhet në Gjermani, prej një viti ndjek programin e inicuar nga Renate. “Nganjëherë unë sjell të gjitha tekstet në gjermanisht, dhe kur nuk kuptoj ndonjë gjë, pyes”, tregon Lydia.

Të moshuarit kanë kohë dhe durim
Ajo e sheh me sipati kontaktin me studentët seniorë. Njerëzit e moshuar kanë më shumë kohë dhe durim se të rinjtë, thotë Lydia. Doktorantja e ka vizituar shpesh Renatën në shtëpi. Aty lexohet, bisedohet, gatuhet dhe bëhen shaka. Lydia është shumë e interesuar kuzhinën gjermane dhe do të mësojë të gatuajë vetë recetat tipike gjermane. Për Krishtlindjket apo Pashkë sigurisht studentët e Renates janë të ftuar në familje.
Interesi për kujdesin ndaj studentëve të huaj është i madh. Shumë duan që të mësojnë gjermanisht së bashku me studentët seniorë, por edhe të njohin kulturën gjermane. Por nuk kemi aq shumë mentorë për studentët e huaj.

Kontakti me moshatarët më i vështirë
Studentët e huaj tregojnë se nuk është i lehtë kontakti me studentët gjermanë. Gjermanët thjesht janë shumë të zënë me studimet e veta, dhe i kanë krijuar ndërkohë rrjetet e miqësisë.
Ndërsa tek të moshuarit kjo ndryshon. Ata gëzohen për partnerë interesantë dhe komunikues që dinë ta vlerësojnë angazhimin e tyre. Kështu vjen një pjesë e botës së madhe edhe tek ata. Ata duan sigurisht që të japin edhe një imazh pozitiv për Gjermaninë – një popull miqësor dhe i hapur ndaj botës. “Ne shpresojmë që të rinjtë, kur të kthehen në vendlindje të marrin me vete përshtypje të mira nga ky vend.”/dw

Artikulli paraprakI vodhi armëm policit, një muaj paraburgim
Artikulli vijuesAnglia në prag të krizës energjetike