Pas dhjetë vitesh të ateizmit: Dr. Jeffrey Lang zbulon Islamin

Pas dhjetë vitesh të ateizmit: Dr. Jeffrey Lang zbulon Islamin

Për ata që e kanë përqafuar Islamin dëshmitari më i madh për dashurinë e pandërprerë dhe të vazhdueshëm është Kur’ani. Sikur një oqean i madh dhe i gjërë, ai të josh thellë e më thellë në valët e tij të fuqishëm dhe rrëmbyes derisa të zhytesh krejtësisht në të. Por në vend që të mbytesh në errësirat e tij, ti e gjen veten të zhytur në oqeanin e dritës dhe të mëshirës hyjnore….Pasi që e lexova Kur’anin dhe i fala namazet, një derë në zemrën time u hap dhe u zhyta në një ëmbëlsi pushtuese. Dashuria u bë e përhershme dhe më e vërtetë se toka nën këmbët e mia. Forca e saj ma ktheu gjallërinë time dhe më mundësoi madje edhe ta ndjeja dashurinë. Isha më se i lumtur që e kisha gjetur besimin në një religjion të ndjeshëm. Dhe unë kurrë nuk e kisha pritur të jem i prekur nga gjithë kjo mëshirë.
,Bab’, a beson në parajsë”?
Kur Jeffery e pyeste babain e tij rreth ekzistencës së parajsës duke shëtitur bregut të plazhit, ishte më se e qartë se ky djalosh posedonte një mendje me kureshtje mjaft të madhe. Ishte gjithashtu një shenjë se ai do ti gjykojë çështjet me një logjikë të kujdesshme dhe do ti vlerësojë ato nga një perspektivë racionale. Nuk ishte ndonjë befasi që ai një ditë do të përfundonte si një profesor matematike, profesor i një lënde materiale që nuk ia le vendin asgjësë, pos logjikës.
Gjatë vijimit të shkollës së mesme në Notre Dame Boys High, shkollë katolike, ai formoi qëndrime të padyshimta kundër besimit në ekzistencën e një Krijuesi Suprem. Duke diskutuar me priftin e shkollës, me prindërit e tij dhe shokët e klasës nuk bindej në ekzistencën e Zotit, dhe duke i llahtarisur prindërit dhe priftin ai u kthye në ateizëm në moshën 18 vjeçare. Ai mbeti me këto bindje për dhjetë vitet e ardhshme, gjatë kësaj kohe ai diplomoi, dhe i kreu studimet e doktoraturës. Pak kohë pasi që e përqafoi ateizmin ai e pa këtë ëndërr:

“Ishte një dhomë e ngushtë, pa mobilje, dhe muret e saj ishin plotësisht boshe. Zbukurimi i vetëm në të ishte një tepih i kuq. Aty kishte vetëm një dritare të vogël që dukej si dritare e bodrumit, duke mbushur dhomën me dritë briliante. Ne ishim në rreshta dhe unë isha në rreshtin e tretë. Të gjithë ishim meshkuj, nuk kishte femra aty dhe të gjithë u përkulëm të drejtuar kah dritarja.
Ishte një ndjenjë e huaj për mua. Nuk e njihja askë. Me siguri isha në ndonjë vend të huaj. Pastaj të gjithë rramë njëkohësisht me fytyrat tona kah toka. Ishte shumë qetë sikur të gjitha zërat të jenë ndalur. E pastaj të gjithë u ulëm në gjunjë. Shikova përpara dhe pashë se udhëhiqeshim nga një njeri. Ai ishte i vetëm në rradhë dhe ishte nën dritaren e bodrumit. Kishte të veshur një rrobe të gjatë e të bardhë. Pas kësaj mua më doli gjumi”.
Gjatë jetës së tij prej ateisti për më se dhjetë vjet ai e pa të njëjtën ëndërr disa herë rradhazi. Nuk ndjente ndonjë shqetësim gjatë ëndrrës, por ndjente shumë rehati pasi që zgjohej. Por duke mos ditur kuptimin e saj nuk i kushtonte ndonjë rëndësi edhe përkundër përsëritjes së saj.
Pas dhjetë vitesh duke dhënë mësim në Universitetin e San Franciscos, e takoi një student musliman që e vijonte klasën e tij të matematikës. Pastaj filloi të shoqërohej me të dhe me familjen e tij. Religjioni, sidoqoftë nuk ishte temë e bisedave të tyre, por një anëtar i kësaj familjeje ia dhuroi atij një kopje të Kur’anit.
Ai nuk ishte në kërkim të një religjioni. Megjithatë filloi ta lexonte Kur’anin por me një paragjykim të fortë.
“Ju s’mund ta lexoni Kur’anin, nëse atë nuk e merrni me seriozitet. Ju ose do t’i dorëzoheni atij ose do ta luftoni atë. Ai ju sulmon me ngulm, në mënyrë direkte dhe personale, ju debaton, ju kritikon, ju turpëron dhe ju sfidon. Prej fillimit ai vizaton një vijë të luftës, ju sfidon dhe ju bën ta merrni anën, dhe unë isha në anën tjetër”.
Kështu ai e gjeti veten në një betejë interesante. “Isha në një disavantazh të rreptë sepse Autori i tij më njihte mua më mirë se sa unë veten”.
“Ishte sikur Autori të m’i lexonte mendimet e mia”. Për çdo natë ai i përgatiste pyetjet dhe vërrejtjet e caktuara, por i gjente përgjigjet në leximin e tij të ardhshëm, duke vazhduar leximin në një mënyrë të caktuar. “Kur’ani ishte gjithënjë një hap para mendimit tim, ai i shlyente barrierat që mu kishin krijuar vite me rradhë, dhe m’i qartësonte dyshimet e mia”.
Ai luftonte energjikisht përmes vërrejtjeve dhe pyetjeve të tij, por ishte e qartë se ishte duke e humbur betejën. Ishte fillimi i viteve të ‘80, dhe nuk kishte shumë studentë muslimanë në Universitetin e San Franciscos. Ai pa një vend të vogël në bodrumin e një kishe ku disa studentë muslimanë i kryenin faljet e tyre ditore. Pas shumë kundërshtish në mendjen e tij, ai mblodhi mjaft kurajë për të vizituar atë vend. Pasi doli nga ai vend pas disa orësh, deklaroi shahadetin, shpalljen për një jetë të re. Pas kësaj, erdhi koha për faljet e paradrekës dhe ai u ftua që t’u bashkëngjitej. U rradhit në rreshta me studentët e tjerë pas një njeriu që i udhëhiqte me emrin Ghassan, dhe filloi t’i imitonte në faljet e tyre.
“U përkulëm dhe ramë me fytyra përdhe mbi tepihun e kuq. Ishte shumë qetë sikur të gjitha zërat të jenë ndalur. E pastaj të gjithë u ulëm në gjunjë. Shikova përpara dhe pashë se njeriu që na udhëhiqte ishte nën dritaren e vogël të bodrumit që e mbushte dhomën me dritë. Ai ishte i vetëm në rradhë. Kishte të veshur një rrobe të gjatë e të bardhë.
Ëndrra! M’u dëgjua një zë i brendshëm. Saktësisht ëndrra që e kisha parë më parë.
E pata harruar krejtësisht dhe tani isha i tronditur dhe i befasuar. A jam duke ëndërruar përsëri. A do të zgjohem tani. U fokusoja në atë që ndodhte për të kuptuar mos jam duke fjetur. Një rrëqethje më kaloi nëpër trup. O Zot ky është realitet. Sytë mu lagën me lotë”.
Udhëtimi i çdonjërit në Islam është i veçantë, duke ndryshuar nga njëri rast te tjetri, por rasti i dr. Langut është mjaft interesant. Nga një njeri që dyshonte në ekzistencën e Zotit u shëndrua në njeri me besim të fortë te Zoti. Nga një luftëtar që pat shpallur luftë Kur’anit, u shëndrua në një prej atyre që iu dorëzuan atij. Nga njëri që kur nuk e pat ditur se çka është dashuria, duke dashur të jetonte një jetë komfore materialiste, u shëndrua në njeri që është plot me mëshirë, dashuri dhe spiritualizëm. Ai ishte tani me fytyrë përdhe, pjesa më e lartë e trupit të tij që e mbante tërë diturinë dhe intelegjencën e tij tani ishte në pjesën më të ultë të tokës në nënshtrim të potë ndaj madhërisë së Zotit.
Dr. Langu është autor i dy librave – të dy librat janë mjaft interesantë dhe të dobishëm si për të konvertuarit ashtu edhe për ata që janë lindur muslimanë. Ai është i martuar dhe i ka tri vajza. Nuk është e çuditshme që vajzat e tij të kenë trashëguar diçka nga mendja e tij kureshtare. Djaloshi që një kohë e gjuante babain e tij me pyetje, tani si baba ballafaqohej me pyetjet e vajzave të tij. Një ditë pasi që e falën paradrekën me të bijën tetëvjeçare Jameelah, ajo e pyeti:
“Bab’ pse falemi ne?”
Pyetja e saj më zuri ngushtë. Nuk e prisja një pyetje të tillë nga një vajzë tetëvjeçare. E dija me siguri përgjigjen e saktë – se ne si muslimanë jemi të obliguar të falemi – por si t’ia bëja atë më të kapshme për mendjen e një fëmije. Ndërkohë duke u përpjekur të formuloja një përgjigje sa më të përshtatshme në mendjen time, thashë diçka sa për të thënë.
“Falim namaz sepse Zoti atë kërkon prej nesh”.
“Por pse bab’, çka arrijmë përmes namazit”- pyeste ajo.
“Është e vështirë të shpjegohet një personi të vogël, shpirt. Një ditë nëse do ti falësh të pesë kohët e namazit atëherë do të kuptosh, por unë do të bëj gjithëçka që të përgjigjem në mënyrë të duhur.
Si e sheh, shpirt. Zoti është burim i dashurisë, mëshirës, urtësisë dhe mirësisë – i të gjithë bukurisë që ne përjetojmë dhe që ndjejmë. Sikur dielli që është burim i dritës që ne shohim gjatë ditës, Zoti është burim i të gjithë kësaj dhe më shumë. Kështu dashuria që unë ndjej për ju, për motrat dhe nënën tënde më është dhënë prej Zotit. Ne e dimë se Zoti është i mëshirshëm dhe i mirë përmes asaj që na ka dhënë në këtë jetë. Por ne kur falemi, e ndjejmë dashurinë e Zotit dhe mëshirën e Tij, në një mënyrë mjaft të veçantë. Për shembull, ti e di se mami dhe unë ju duam juve ngase kujdesemi për ju. Por kur ju përqafojmë dhe ju puthim ju mund të ndjeni se sa ju duam ne. Në të njëjtën mënyrë ne e dimë se Zoti na do ngase Ai kujdeset për ne. Por kur ne falim namaz e ndjejmë dashurinë e Zotit në një mënyrë të veçantë”.
“A të bën namazi njeri më të mirë bab’ ” më pyeti përsëri ajo.
“Shpresoj se po dhe më pëlqen të jetë kështu, sepse nëse njëherë je i prekur me dashurinë dhe mirësinë e Zotit në namaz, ajo është kaq e bukur dhe e fuqishme sa ti dëshiron atë ta ndash me të dashurit e tu, posaçërisht me familjen tënde. Ndonjëherë, pas ndonjë dite të lodhshme në punë, ndjehem aq i rraskapitur sa që dëshira e vetme që kam në ato çaste është që të jem vetëm. Por kur ndjej dashurinë dhe mirësinë e Zotit në namaz, unë shikoj në familjen time dhe më përkujtohet se çfarë dhurate jeni ju për mua, dhe çfarë lumturie më është dhënë duke qenë bab’ i juaj dhe burr i nënës suaj. Nuk jam duke thënë se jam bab’ i përsosur, por besoj se nuk do të isha bab’ aq i mirë nëse nuk do të falja namaz. A ka kjo ndonjë kuptim për ty”?
“Çka mendon ti, a ka kjo ndonjë kuptim për mua”?, mu përgjigj me buzëqeshje Jameelah.
Pastaj ajo mu hodh në qafë dhe më tha: “Unë të dua bab’ “.
“Edhe unë të dua, ëmbëlsirë. Edhe unë të dua”.

Bibliographia:
Lang, Jeffrey. Duke luftuar për tu nënshtruar. Beltsville: 1994.
Lang, Jeffrey. Edhe engjëjt pyesin. Beltsville: 1997.

Artikulli paraprakKur’ani përfiton zemrën e Jeffrey Langut, profesorit amerikan
Artikulli vijuesDr. Jeffrey Lang: Namazi im i parë