Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan qytetarët e tyre për kërcënime të besueshme në zonat turistike të Turqisë, veçanërisht në Stamboll dhe në resortin jugor të Antalias.
Gjatë muajve të fundit, Shteti Islamik dhe militantët kurdë kanë marrë përsipër valën e sulmeve që kanë goditur Turqinë, duke e shndërruar vendin – që dikur ishte simbol stabiliteti në rajon, – në një territor të pasigurtë dhe të tensionuar.
Turqia është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të kundër Shtetit Islamik, avionët e të cilit përdorin bazën ajrore turke të Inçirlikut për të kryer bombardime në Irak dhe Siri.
Edhe vet Turqia po zhvillon një fushatë të ashpër ushtarake kundër militantëve kurdë, pas prishjes së armëpushimit mes Partisë së Punëtoreve të Kurdistanit dhe qeverisë, vitin e kaluar, pas së cilës nisën edhe telashet për vendin.
Paralajmërimi urgjent për udhëtimet u publikua në faqen e internetit të Ambasadës amerikane në Turqi. Në të shkruhej se, ka kërcënime të besueshme për zonat turistike, sidomos në sheshe publike dhe portet e Antalias dhe të Stambollit.
Ambasada amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që t’i shmangin këto zona, ose të tregohen të kujdesshëm nëse janë apo kalojnë aty. Ky paralajmërim vjen një ditë, pasi zyra Antiterror e Izraelit u bëri thirrje izraelitëve që të shmangin Turqinë, pasi ka rrezik për sulme.