Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pritet që pas kthimit nga New Yorku t’i ftojë në takim liderët e partive politike pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës, për të gjetur një zgjidhje pas bllokimit të punës së Kuvendit nga blloku opozitar.
Këtë veprim, e para shtetit pritet të bëjë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për dalje nga kriza politike në vend, pasi tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën nuk po lejojnë vazhdimin e seancës së Kuvendit, pa tërheqjen e nënshkrimit të kryeministri Isa Mustafa nga marrëveshjet e fundit me Serbinë të arritura në Bruksel.
Burime të ORAinfo bëjnë të ditur se presidentja Jahjaga do të pres deri javën e ardhshme që pozita dhe opozita të gjejnë një zgjidhje, në të kundërtën ajo do t’i ftojë ata në takim.
“Presidentja deri me tani e ka parë të paarsyeshme të ndërhyjë në këtë çështje. Por nëse gjërat vazhdojnë të mos lëvizin, atëherë presidentja në bazë të kompetencave që ka me Kushtetutë, do të ndërhyjë në kërkim të zgjidhjes së krizës”, ka thënë ky burim i ORAinfo brenda Presidencës.
Gjatë ditës kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga që t’i thërras në takim liderët e partive politike të pozitës dhe opozitës në përpjekje për të dalë nga kriza politike në vend.