Rama në samitin kundër ekstremizmit: Statut global arsimimi

0
167

Në fjalën e mbajtur në tryezën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, organizuar nga qeveria amerikane nën drejtimin e vetë presidentit Obama dhe zv.presidentit Biden, kryeministri Edi Rama solli si shembull bashkëjetesën dhe tolerancën fetare në Shqipëri, si një model i suksesshëm kundër ekstremizmit.

“Unë jam udhëheqës i një vendi ku myslimanët dhe të krishterët jetojnë në një vend, që Papa Françesku e quajti vëllazëri fetare dhe i një vendi me një histori të lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, nisi fjalën e tij Rama.

Rama kërkoi që përtej forcës së armëve do të duhet një lloj tjetër lufte për të mposhtur ekstremizmin e dhunshëm.

“Duhet të përdoret forcë ushtarake, por në fund, për të mposhtur ideologjinë ne duhet të fitojmë këtë betejë për të fituar mendjet dhe zemrat e brezave të ardhshëm, sepse është fuqia e ëndrrave të tyre që e bën ndryshimin një realitet të përditshëm”, tha ai.

Këtë ide të përcjellë në këtë tryezë, Rama e ilustroi me shembullin e Ballkanit.

“Dhe ne e pamë këtë në Ballkan, ku aspirata e brezave të rinj, refuzimi i tyre për t’u lidhur me çfarëdoqoftë mënyre tradicionale të politikës ballkanike, imponuan dhe siguruan dialogun në vend të konfliktit, mirëkuptimin, në vend të luftës, të ardhmen në vend të së kaluarës. Duhet të ketë strategji politike dhe ushtarake dhe ashtu sikurse ne në Ballkan na u desh të adresonim ankesat e njëri-tjetrit, po ashtu duhet të adresohen dhe ankesat në Irak dhe Siri. Kombinimi i forcës ushtarake ndërkombëtare dhe dialogut politik mund të ketë sukses në Lindjen e Mesme ashtu sikurse ka pasur në rajonin tonë”, shtoi kryeministri Rama.

Kryeministri shqiptar i mëshoi idesë së thirrjes drejtuar brezave të rinj në mbarë botën që të shohin shpresë jo gjak në horizont duke adresuar të ardhmen e tyre sikur terroristët të mos ekzistonin. Rama kërkoi një statut global për të ngritur një sistem vlerash global në kurrikulat e shkollave në gjithë botën për të luftuar ekstremizmin.

“Ne në Shqipëri do të prezantojmë një reformë për të siguruar që çdo fëmijë të edukohet me një mendësi të hapur ndaj botës së besimeve të ndryshme dhe shtigjeve të historisë. Por ja ku jemi, Kombet e Bashkuara. Nuk mundemi ne të gjithë të biem dakord mbi një statut global të bazuar në një sërë vlerash e cila të bëhet pjesë dhe të mësohet në kurrikulat e shkollave në të gjithë botën? Pastaj, të zhvillojmë programe për komunitetin, të rinjtë, artin dhe programe kulturore, si është Qendra Rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm që ne jemi duke krijuar në Tiranë, për të luftuar ndarjen ndëretnik dhe ndërfetare dhe për të larguar me dialog stereotipat”, deklaroi Rama.

Rama kërkoi që ky statut të shoqërohet me masa që tregojnë angazhimin më të sinqertë për ta bërë botën një vend ku respektohen besimet dhe dallimet e të tjerëve; një botë më të barabartë dhe të qëndrueshme.

“Unë shpresoj që diçka prej asaj që ne kemi mësuar në Ballkan mund të jetë e dobishme për këtë betejë. Ashtu sikurse një vit paqeje dhe dialogu nuk mund të fshijë një shekull të tërë shënuar nga lufta dhe urrejtja në Ballkan, ashtu edhe një statut nuk mund të fshijë verbërinë e terroristëve apo etjen e për më shumë pushtet të kujtdo që përfiton nga shkatërrimi që ata sjellin. Por le t’i bëjmë thirrje frymës globale, asaj e cila duhet të luftojë radikalizmin, duke i bërë ballë në të njëjtën kohë ndryshimeve klimatike, sepse asnjë shtet, asnjë ushtri mund t’i mposhtë këto i vetëm, dhe me siguri secili prej popujve, dhe aleancat tona ushtarake së bashku mund të munden prej tyre. Por nëse ne qëndrojmë së bashku me guxim e shpresës, atëherë ashtu sikurse dikush e ka provuar tashmë, pa marrë parasysh shkallën e sfidës, Po, ne Mundemi”, mbylli fjalën e tij Rama.