Thomas De Maiziere synon ta kufizojë edhe më shumë pranimin e azilkërkuesve në vend, ndërsa ka hartuar edhe legjislacionin që rrit lehtësinë e deportimit të aplikantëve të refuzuar.
Që prej verës, ministri i Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Gjermani i kanë shtuar përpjekjet e shpejtimit të dëbimeve.
Nëse deportimi i rregullt nuk do të jetë i mundur, pasi i huaji për shembull i ka gënjyer autoritetet mbi identitetin ose kombësinë e vet, apo nuk bashkëpunon me zyrtarët vendas për të siguruar një pasaportë zëvendësuese, atij nuk do t’i jepet leje e veçantë qëndrimi, thuhet në draft raport.
Mbi 210 mijë persona morën në muajin gusht urdhrin e largimit nga Gjermania. Plot 158 mijë prej tyre kishin leje të posaçme, që u krijonte mundësinë e qëndrimit të përkohshëm. De Maiziere dhe aleatët po kërkojnë reduktimin e arsyeve për lëshimin e lejeve në fjalë.
Me legjislacionin e ri, njëri prej këtyre motiveve, refuzimi i vendit të origjinës për të zëvendësuar dokumentet e individit të verifikuar, nuk do të funksionojë më.
Përpos kësaj, njerëzit do të njoftohen vetëm 30 ditë përpara për dëbimin e planifikuar me qëllimin të minimizohen përpjekjet e shmangies së deportimit nëpërmjet gjykatave apo duke iu fshehur forcave të rendit. Planifikohet po kështu rritja e dënimit për ata që refuzojnë largimin. Këta njerëz do të përfundojnë prapa hekurave, maksimumi për dy javë.