Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për rolin e tij në seancën e 18 Dhjetorit, kur sipas tyre u realizua “puç kushtetues” me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, tha për mediat pas konferencës së kryetarëve se provë për kapjen e kryeprokurores, mes të tjerash është edhe “kthimi i pasaportës së Saimr Tahirit dhe lirimi i Orest Sotës, i cili u kap me 863 mijë euro dhe me dy patenta të Saimir Tahirit.”
“Në këto kushte kur është shkelur kushtetua, kur institucionet janë deligjitimuar, si hap i parë për të rikthyer Kuvendin në normalitet, duke pasur parasysh edhe rolin e tij në seancën e 18 Dhjetorit, ne kërkuam dorëheqjen e kryetarit Gramoz Ruçi, pasi mënyra se si ka vepruar në raport me detyrat që ka Kryetari i Kuvendit, janë diametralisht të kundërta.”
Por, Spaho tha se ata u ndeshën me “një qëndrim kokëfortë, indiferent të mazhorancës, e cila u përpoq ta kthente këtë konferencë në një konferencë normale për miratimin e rendit të ditës.”
Spaho bëri të ditur gjithashtu se opozita do të ketë marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin.