Për 15 mijë franga, kosovari kërkon fajde për tetë herë më shumë

Roja kosovar i sigurimit, Bajram S. (26), një pronari portugez (28) të restorantit, ia ka shndërruar jetën në ferr. Sipas akuzës, ai ia kishte marrë viktimës së tij mbi 120.000 franga me fajde, duke e kërcënuar se do ta rrahë e do ta sakatosë, se do t`ia prejë gishtin, apo se do t`ia dhunojë nënën.

Ngjarja kishte filluar me dhënien e Bajramit borxh viktimës në një shumë prej vetëm 15.000 frangash, me një kamatë të pabesueshme prej 3.500 frangash në muaj!

Pasi portugezi kishte dështuar në afarizmin me restorantin, përpos shumës së borxhit, kosovari i kishte kërkuar edhe njëzet mijë franga të tjera, si kamatë. Përndryshe ai do të haste në probleme.

Me ndihmën e s`ëmës, e cila kishte marrë një kredi ekskluzivisht për t`ia larë borxhet kosovarit, portugezi ia kishte kthyer të gjitha të hollat. Nga ky moment, kosovari nuk e kishte lënë të qetë viktimën e tij për gjashtëmbëdhjetë muaj me radhë.

Me kërcënime të reja, ai e kishte sjellë portugezin buzë çmendurisë. Në vend që të shkojë në polici, portugezi ishte munduar t`i shfytëzojë të gjitha rrugët tjera private, duke kërkuar të holla në familje, nëpër shokë, bile edhe tek shefi i tij.

Gjatë ditës së enjte, para Gjykatës rajonale të Cyrihut, Bajrami i kishte mohuar një pjesë të akuzave, duke pohuar se portugezit ia kishte marrë vetëm 69.000 franga.

Por, edhe Bajram S. e kishte vlerësuar veten si viktimë, pasi të gjitha të hollat kishin shkuar tek përkrahësit misteriozë financiarë. Por, kjo nuk e shqetësoi shumë prokurorin, i cili për Bajramin ka kërkuar dënim me burg prej katër vite e gjysmë. Pritet shqiptimi i dënimit, shkruan „Blick“, njofton

Artikulli paraprakFlamujt shqiptarë ndezin debatin në një qytet amerikan
Artikulli vijuesVret shokun me plumb pas koke dhe e hedh në rrugë