Shkruan: Bekir Halimi
Shpesh herë, kur mendoj për gjendjen e popullit tonë, për rrënjosjen e mëkateve dhe sjelljeve amorale në mesin e tyre, më vijnë në mendje hoxhallarët dhe puna e madhe që duhet ta bëjnë ata për gjithë sa po ndodh. Në këtë situatë, ngaqë ky makth më rreth-rrotullohet me këmbëngulje nëpër kokë, gjithnjë më dendur vetes i parashtroj pyetjen: po ne hoxhallarët, vallë a e kryejmë si duhet detyrën tonë?! Kësisoj, në vorbullën e këtij përjetimi të dhembshëm, më feks në ndjesi, më shungullon në veshë ajo ankesë e madhe, një britme rrëqethëse të cilën Imam Abdullah b. Mubareku e thuri në vargun e një poezie: O dijetarët e tanë! O kripa e vendit dhe umetit! Nëse edhe kripa qelbet, Kripën kush do ta pastrojë?!
Duke marrë në konsideratë rolin e hoxhallarëve në shoqëri, vërejmë se gjendja mbizotëruese, te një pjesë bukur e madhe syresh, është përtesa dhe plogështia, gjendje e cila assesi nuk do të duhej të ishte veçori e tyre. Nëse pikërisht ata nuk janë të vetëdijshëm për rolin që duhet të kenë, nëse ata nuk gjejnë energji dhe nuk kanë elan të mjaftueshëm, nëse më në fund, ata nuk janë të gatshëm të treten si qiriu për të ndriçuar tjerët, atëherë si është e mundur të ndryshojë gjendja e popullit tonë?! Hoxha dhe njeriu i ditur, detyrimisht duhet të marrin përsipër rolin e paralajmëruesit besnik dhe gjithsesi, në kohën e duhur t’u tregojnë njerëzve për rrezikun e rezultateve që do të arrijnë nëse vazhdojnë të ecin në rrugën e devijimit, si dhe për ato rezultate që do të kenë nëse këmbëgulin në rrugën e udhëzimit të qartë. Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Vëzhguesi nuk e gënjen popullin e vet”.
Mirëpo këtu parashtrohet një dilemë shumë e madhe në lidhje me rolin dhe detyrat që e shoqërojnë këtë rol. A jemi vallë ne pikërisht të tillë, që me çdo kusht dhe në çdo aspekt mundohemi të paralajmërojmë njerëzit për rrezikun që u kanoset nëse ata largohen nga rruga e Allahut?! Apo mos vallë jemi duke e tradhtuar popullin me heshtjen dhe neglizhencën tonë?! Por me sa duket kemi harruar rolin e dijetarëve, të cilin ua ka caktuar Allahu kur na ka treguar në Kuran: Dhe kur Allahu mori zotimin nga ata që iu pat dhënë libri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshihni, por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe. Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë (e fshehin çështjen tënde) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e punuan mos llogarit shpëtim për ta (nuk e thanë të vërtetën), ata kanë një dënim të dhimbshëm”. (Ali Imran: 187- 188) Kjo besëlidhje e madhe që ka marrë Allahu, subhanehu ve teala, prej dijetarëve ka pasojat e veta nëse nuk realizohet ashtu si duhet.
Nuk e di se cila në fakt është pozita jonë me njerëzit që na rrethojnë, për aq sa i kemi të gjalla emocionet dhe aq herë sa na shkon nëpër mend populli, kur na dhimbset për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet?! Nëse dëshirojmë vërtet të jemi trashëgimtarët e denjë të Pejgamberit, salAllahu alejhi ve selem, duhet të tretemi për këtë fe dhe për përhapjen e saj, pikërisht ashtu siç janë lodhur dhe siç kanë sakrifikuar për këtë fe, pejgamberët, e veçanërisht Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem. A kemi harruar gjithë sa thuhet në Kur’an për lodhjen dhe përpjekjet e Nuhut, Ibrahimit, Musait? Vite të tëra dhe dekada kanë kaluar në thirrjen e popujve të tyre në fenë e Allahut të Lartësuar dhe nuk u ligështuan aspak për asnjë çast. Megjithëse të refuzuar, të nënçmuar, të ofenduar prej popujve të tyre, për ta kjo asnjëherë nuk qe një shkak që ata të braktisin punën dhe detyrën e caktuar nga Zoti i botëve. Ata thirrën popullin e tyre në fe ditën dhe natën, fshehurazi dhe në mënyrë publike, individualisht dhe kolektivisht, parinë dhe masën e gjerë, me aq durim e këmbëngulje saqë vetëm Nuhu, alejhisselam, kaloi nëntëqind e pesëdhjetë vjet në thirrjen e popullit të vet në fe dhe as nuk shfaqi lodhjen e as nuk u mërzit prej saj.
E ne! Akoma pa filluar si ashtu duhet një detyrë, një mision, gjejmë mënyrën që të shfaqim lodhjen. Fillojmë të llogarisim sa derse dhe takime kemi bërë, u ikim detyrave dhe përgjegjësive, nuk mendojmë rreth davetit dhe metodave të tij, nuk jemi kreativ në gjetjen e metodave të suksesshme për të bindur njerëzit, rrimë indiferentë, nuk japim sqarime për shumë fenomene dhe ndodhi, nuk marrim iniciativa të dobishme dhe të mira, parapëlqejmë të bëhemi tifozë dhe spektatorë, refuzojmë të jemi lojtarë, nuk duam as të djersitemi, as të përthyhemi, as të lodhemi, madje as gishtat nuk kemi dëshirë t’i lodhim, duke shkruar apo përkthyer ndonjë fjalë të dobishme për të mirën e islamit dhe muslimanëve në vendin tonë! Subhanallah! Me çfarë kapitali do të dalim para Allahut?! Si do të mund të shfajësohemi para imamëve dhe dijetarëve që kanë dhënë një kontribut aq të madh në historinë Islame, që ishin në ballë për përhapjen e Islamit dhe mbrojtjen e tij, ndërkohë që edhe ne sot mbajmë emërtime të bujshme si hoxhallarë dhe dijetarë?! A do të kemi fytyrën e duhur e të radhitemi në radhët e tyre, apo do të turpërohemi?! Me çfarë do të krenohemi para fëmijëve dhe nipave tanë?! Ku janë mësimet, ligjëratat, njerëzit e udhëzuar, veprat, shkrimet dhe përkthimet që kemi lënë pas vete?! A do të regjistrohemi në historinë e muslimanëve tanë si njerëz që kanë lënë gjurmë të ndritshme në zhvillimin e tyre, apo aspak nuk do të përmendemi askund?!
Nuk them se veprat tona duhet t’i bëjmë vetëm për tu përmendur, jo, por kërkoj që të bëjmë të tilla vepra që do t’i bëjnë emrat tanë të paharruar, sikurse janë bërë emrat e dijetarëve dhe ulemave nga brezat e kaluar. Kemi ulema dhe dijetarë edhe në këtë shekull, që nuk kanë qenë arab, kanë qenë shqiptar, por me mundin, kontributin, përpjekjet, lodhjen, punën e tyre ata janë radhitur krah për krah me dijetarët e mëdhenj arab, madje edhe shumë prej tyre ua kanë kaluar. A nuk mundemi edhe ne të bëhemi si ata?! Duhet të rishqyrtojmë pozitën tonë, aftësitë tona, potencialin tonë, kujdesin dhe shkujdesjen tonë, iniciativat dhe mungesën e iniciativave, energjinë tonë, kontributin tonë, kapacitetet tona intelektuale dhe seriozitetin në veprimet tona për këtë fe!
Allahu na udhëzoftë!
Qershor, 2007