Për cilët terroristë po bëhet fjalë?!

Nisur nga ngjarjet e dy ditëve të fundit mbi arrestimin e disa muslimanëve nën akuzën e rekrutimit të personave për kryerjen e veprimeve terroriste dhe nxitjes së urrejtjes ndërfetare, shoqëruar me kontrolle të policisë me forca të maskuara në xhamija të ndryshme sic ka ndodhur edhe sot në xhaminë në qendër të Pogradecit shprehim keqardhjen dhe indinjatën tonë te thellë. Kontrolli i xhamijave në këtë mënyrë quhet bastisje dhe nuk përkon me etikën dhe as me natyrën e riteve për të cilat janë ndërtuar objektet e kultit.

Gjithashtu të arrestuarit e shpallur nga policia e shtetit nuk njihen të kenë themeluar ndonjë organizatë terroriste që ka qëllime ekstremiste apo aksione të ndryshme që vënë në rrezik sigurinë kombëtare. Gjithashtu edhe dy hoxhallarët e përmendur mes të arrestuarve nuk njihen të kenë bërë thirrje për urrejtje ndërfetare. Qëndrimi i tyre rreth konfliktit në Siri lidhet me vetë Sirinë dhe jo me vendin tonë. Thënë ndryshe ata ndoshta thjesht kanë dhënë opinionin e tyre rreth luftimeve atje por jo në atë mënyrë sa të rekrutojnë njerëz për të shkuar në Siri. Nëse Shish shprehet se të arrestuarit janë përgjuar 9 muaj me radhë duhet të dimë se thirrjet për të shkuar në Siri janë bërë nëpërmjet Youtubit kohë më parë nga njerëz të cilët kanë shkuar atje më herët dhe s’ka qenë nevoja t’ua mbushë mendjen njerëzve ndonjë organizatë terroriste brenda vendin tonë që asnjëherë nuk ka ekzistuar. Ku rekrutoheshin, kush i organizonte, fundja kush eshte kryetari i këtij grupi terrorist dhe cilët kanë terrorizuar ata njerëz me veprimet e tyre në këtë vend.

Po, është e vërtetë se ata nëse kanë dhënë opinionet e tyre rreth luftës në Siri duke qenë parimisht pro ndihmës që mund tu jepet popullit Sirian, kjo nuk përkon fare me rekrutimin në formë terroriste për të cilat akuzohen. Cdo gjë lidhet pra me Sirinë dhe jo me vendin tonë. Sidoqoftë dihet fare mirë se hoxhallarët shqiptarë vazhdimisht kanë këshilluar dhe kanë bërë thirrje për mospërfshirje të shqiptarëve në konfliktin sirian. Por nëse ka pasur raste kur dikush të ketë ikur pa dëgjuar këto këshilla atëherë ajo është një zgjedhje personale dhe individuale e cila nuk ka lidhje fare me akuzën e terrorizmit ne vendin tonë. Nëse dikush shkon me kokën e tij në Siri dhe mund të vdesë atje me dëshirën e tij, c’lidhje ka kjo me akuzën e terrorizmit dhe nxitjes së urrejtjes ndërfetare në Shqipëri? Kush janë të terrorizuarit nga të arrestuarit në fjalë? Cilët janë ata njerëz të prekur nga urrejtja ndërfetare për të cilën akuzohen të arrestuarit? Akuza të tilla dhe bastisjet e objekteve të kultit në të vërtetë janë veprime që përhapin panik të panevojshën në opinionin publik. Në raste kur vërtet ka terrorizëm strukturat e shtetit duhet të punojnë me kujdes në mënyrë që të mos përhapet panik në popull, por cdo të themi atëherë kur paniku përhapet pa pasur terrorizëm fare?

Falënderojmë Zotin që hoxhallarët shqiptarë kanë punuar më shumë se kushdo tjetër që ky vend mos të prodhojë asnjëherë terrorizëm por të ketë gjithnjë një linjë të mesme dhe frytet e kësaj pune i shikojmë dukshëm në jetën e përditshme nëpërmjet komunikimit me njerëzit dhe mënyrës së integrimit të muslimanëve në shoqëri. Shpresojmë që shteti shqiptar të mbajnë drejtësi dhe të mos dënojë njerëz për akuza që nuk janë të vërteta por të punojë me sinqeritet për mbarvajtjen e punëve dhe në zgjdhjen e halleve të shumta të shqiptarëve.

Hoxhë Mustafa Tërniqi

Artikulli paraprakUshqimi i islamofobisë dhe prishja e ekuilibrit social
Artikulli vijuesAAK kërcënon Indeksonline për mendimin e lirë