Për marrëveshje të re

Partia e Ramush Haradinajt ka propozuar një pajtim të ri mes të gjitha partive për të çuar përpara reformën kushtetuese dhe zgjedhore.
Udhëheqësi aktual i AAK-së, Blerim Shala ka thënë se s’ka rrugë tjetër pos një marrëveshjeje të re. Por, LDK-ja e AKR-ja ende besojnë te zbatimi i Marrëveshjes së Prillit. E, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes ironizon me idenë e nënkryetarit të AAK-së, shkruan “Express”.

Marrëveshja kundërkushtetuese e prillit të vitit të kaluar tashmë po konsiderohet e vdekur për faktin se pjesa që ka të bëjë me mandatin e Presidentes nuk mund të zbatohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Atifete Jahjaga ka mandat pesëvjeçar.

Kjo situatë e re ka ndikuar që të bllokohet reforma kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat kishin nisur vitin e kaluar dhe ishin përkrahur nga shumica e partive politike.

Tash, ka dalë një opsion tjetër për të çuar përpara këto reforma – një marrëveshje e re në mes të gjitha partive politike.

Udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala nuk sheh zgjidhje tjetër nga situata aktuale, pos arritjes së një pajtimi të ri mes udhëheqësve politikë.

“Pra, kriza e zgjidhur vjet me një marrëveshje politike, e cila tani është zhvlerësuar plotësisht, është rishfaqur dhe sërish, nuk ka mekanizëm tjetër të tejkalimit të saj, pos me në tjetër marrëveshje”, ka treguar Shala, idenë e tij, në një kolumne të shkruar për Express, të hënën.

Por kundër idesë për një marrëveshje të re, kanë dalë LDK-ja dhe AKR-ja.

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se nuk ka logjikë të shkohet në marrëveshje të reja, pa u zbatuar zotimet aktuale.

Ndryshe, prej LDK-së, në PDK nuk kanë dashur të komentojnë idenë e një marrëveshjeje të re, por janë shprehur pro një konsensusi për të vazhduar me reforma, sidomos ajo zgjedhore.

Krejt ndryshe prej dy partive të mëdha, e sheh këtë proces Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i saj, Rexhep Selimi që thotë se flet vetëm në emër të tij, deklaron se ideja për marrëveshje të re e Blerim Shalës ka ardhur në adresë të gabuar. Ai këshilloi nënkryetarin e AAK-së, që së pari të koordinohet në parti, e pastaj të del me propozime të tilla. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakRRITET PËRDORIMI I TELEFONISË MOBILE
Artikulli vijuesLDK e AKR nuk zmbrapsen për Jahjagën