Për një vit mbi 500 policë nën hetime

Në vend që ta luftojnë krimin dhe kontrabandën ata bëhen pjesë e tyre. Policë më uniforma shpesh janë arrestuar nga kolegët e tyre. Dikush për marrje ryshfeti, dikush për vjedhje e ndonjëri edhe për kontrabandë. Katër nga ta u prangosën të shtunën nga policia. Ata dyshohen se ishin pjesë e një grupi që bënte kontrabandë të mallrave nga Serbia.
Në këtë aksion policia arrestoi tetë shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës të cilët futnin mallra kontrabandë nga shteti fqinj, shkruan “Tribuna”.

Për këtë biznes të paligjshëm shfrytëzoheshin rrugët e veriut të Kosovës që shumë pak kontrollohen nga autoritetet e rendit dhe drejtësisë.

Por ajo çka është më e keqja në këtë rrjet kontrabanduesish janë përfshirë edhe policët. Ata dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë zbuluar informatat që kanë pasur si policë.

Mësohet se policët e arrestuar janë të nivelit patrullues dhe vijnë nga rajoni i Mitrovicës. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me kontrabanduesit nga pjesa jugore e Mitrovicës duke marrë para nga ata dhe duke i lajmëruar se kur mund të zbulohen nga Policia. /Telegrafi/

Artikulli paraprakBie interesimi i serbëve për integrime evropiane
Artikulli vijuesPunëtorët mysafirë të rinj të Gjermanisë