Albin Kurti, për dy javë gjashtë takime me ndërkombëtarët

Albin Kurti, në seancën e së enjtes nuk u përshëndet me ish-kryevetëvendosësin Visar Ymerin, një prej miqve të tij më të mire, duke treguar se përfundimisht kanë ndarë rrugët.

Por kjo tashmë është diç e kaluar për kryetarin e ri të Vetëvendosjes i cili nga 23 janari kur rimori sërish timonin e partisë ka nisur të bëjë miqësi me ndërkombëtarët, për çka në vitet e fundit nga rivalët politikë është akuzuar për raporte të jo të mira, për çka jo pak janë munduar ta paraqesin edhe si anti-amerikan.

Por Kurtim me kollaren vënë që tashmë nuk e heq dot, brenda dy javësh sa u rikthye në pozitën e kryevetëvendosësit ka zhvilluar disa takime me ambasadorë, përfaqësues të Bashkimit Evropian e zyrtarë gjermanë të cilët i ka pritur në zyret e partisë, duke ua bërë me dije të gjithë rivalëve, pse jo edhe ish-shokëve të partisë që janë dorëhequr që pritet të largohen nga VV, se po forcon marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nuk dëshiron të kthej kokën pas.

Nga data 25 janar deri më datën 7 shkurt, Kurti ka zhvilluar saktësisht gjashtë takime me ndërkombëtarë ku ka folur për aktualitetin politik në vend.

Më 25 janar, Kurti, së bashku me deputetin Sami Kurteshi dhe kordinatoren e Komiteteve profesionale, Dejona Mihali pritën një delegacion gjerman të kyresuar nga Bernd Karwise, Heinz Stoppe, Dr. Roland Griese dhe Wolfang Kruger. Vetëvendosësit njoftuan këtë delegacion për programin e tyre, konkretisht tri reformat për shtetin zhvillimor (Fondi Sovran, Agjencia e Zhvillimit, Banka Zhvillimore) që sipas tyre do ta nxirrnin nga kriza vendin duke rritur punësimin. Nga ana e tyre delegacioni gjerman i shoqëruar edhe nga profesionistë shqiptarë si Blerim Dervari dhe Hashim Rexhepi, shprehën interesimin e veçantë për të njohur dhe kuptuar në hollësi hapësirat e bashkëpunimit në sektorët strategjikë dhe gjendjen aktuale të ekonomisë në Kosovë.

Më 26 janar, Kurti së bashku me nënkryetaren Fatmire Kollçaku dhe deputeten Fitore Pacolli, pritën ambasadorin e Sllovenisë, Bojan Bertoncelj, me ç’rast ky i fundit shprehu interesim të njoftohet dhe të kuptojë nga afër për strategjinë dhe politikat që do të ndjek Kurti gjatë udhëheqjes së partisë së tij.

Më 1 shkurt, Kurti priti sërish me nënkryetaren Fatmir Kollçaku dhe deputeten Fitore Pacolli, ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, me të cilin biseduan për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike.

Po ashtu u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës si dhe mundësitë për ta thelluar e zgjeruar këtë bashkëpunim në interes të ndërsjelltë, ndërsa u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe të takimeve të rregullta

Më 5 shkurt, Kurti së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, takuan shefen e Zyres së BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, me të cilin u diskutua për zhvillimet politike në institucionet e Kosovës, për gjendjen socio-ekonomike dhe për sfidat e shtetndërtimit dhe integrimit.

Më 6 shkurt, Kurti sërish me deputetin Konjufca pritën në takim ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell me të cilin diskutuan për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike e institucionale.

Më 7 shkurt, Kurti së bashku me drejtuesin e Komitetit Profesional për Shëndetësi, Dr.Jusuf Ulaj, pritën në takim Frank Hantke, kreun e fondacionit gjerman social-demokrat në Prishtinë, Friedrich Ebert Stiftung (FES). Në këtë takim ata diskutuan për situatën politike, sidomos ato mbi energjinë dhe ambientin, sigurimet shëndetësore dhe perspektivën e rinisë. Në veçanti u diskutua edhe mbi gjendjen e social-demokracisë në Kosovë dhe Gjermani si dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit.

Kujtojmë se Kurti, së bashku me Konjufcën takuan edhe ambasadorin amerikan, Greig Delawie, pas zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit, konkretisht në muajin korrik të 2017-tës, ku VV përsëriti gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Kosovës me SHBA-të. /tesheshi

Artikulli paraprakAsnjëherë mos i lejoni fëmijët të ulen në këtë mënyrë
Artikulli vijuesHoti: Edhe po të kalon demarkacioni, nuk e kemi të garantuar liberalizimin