Përçapje efemine

 Berku në një rast pati pohuar se janë kuptimet e dyta e të treta të fjalëve që çojnë më tepër peshë, se të parat janë për njerëzit e thjeshtë. Përçapja nënkupton përpjekje që bëhet për të arritur diçka, duke ndërhyrë te dikush, duke folur me dikë për t’i mbushur mendjen etj.; orvatje, veprime të përsëritura (të jashtëzakonshme, të reja).  Marrë në përgjithësi, është shumë e përhapur “bindja” se femrat duhet te kenë të drejtat dhe mundësitë e njëjta që iu jepen meshkujve, se duhet të trajtohen në mënyrë dinjitoze, të mos privohen nga liri të caktuara siç nuk privohen meshkujt. Gjithë fjala sillet rreth asah se femrat duhet të arrijnë statusin e njëjtë me meshkujt. Këto janë llafe. Bota e ironisë fillon në praktikë, në jetën reale, ku femra megjithatë, në të shumtën e kulturave është dytësorizuar. Dhe, në këtë drejtim s’ndihmon as ligji e as “feminizmi”, ideologji kjo jo aq e mirëpritur nga masat e gjera të shoqërisë, por e sfiduar si në lindje, ashtu në perëndim. 
 
Kauza feministe apo thënë me terma më të pavarur, proefemine, rrënjët i ka në shekullin 17, por realisht daton shumë më herët se ajo që na tregon historia moderne. Ky term në fjalorin e gjuhes angleze hyn nga vitet 1890 dhe shpreh idenë se duhet të mbizotëroje barazia ndërmjet dy gjinive, që ndoshta është e paarritshme, por çërçapje duhet bërë. Përse është një utopizëm të mendosh se femrat duhet të kenë statusin e tyre? Krizat shoqerore shfaqen atëherë kur kemi një numër të madh të njerëzve që nuk arrijnë të parashtrojnë çështjet pa paragjykime, dhe të verbuar nga arroganca dhe injoranca, nuk pranojnë as ilaçin për shërim. 
 
Faktet flasin se “gjinia e parë”, në përgjithësi e ka marrë situatën në duar të veta dhe vepron si do vetë, gjë që nuk është aq shumë as në favor te gjinise femërore, por as edhe të mashkullësisë vetë. Feminizmin nuk duhet perceptuar si një luftë me tension ndërmjet dy gjinive. Në esencë, çështja nuk është asgjë më shumë se një çështje e të drejatve të njeriut. Çdo njeri ka të drejtë të jetojë, të lëvizë, të mendojë, të veprojë lirshëm përderisa nuk e shkel kufirin e tjetrit si individ, dhe nuk depërton në sferën e lirisë së tij. E njëjta gjë vlen edhe për femrat, të cilat me frymë reformiste fillojnë të aktivizohen për të kërkuar hapësirën e të drejtave të tyre. Këtu tek ne: Femrës i takon hiseja nga pasuria e shtëpisë? Mundet të polemizojë me babain e vëllain lirshëm? Etërve a iu ndrydhet fytyra për lajmet për femrën e re në familje? Bartin ende thupra mbi shpinë gratë shqiptare?  
 
Është fakt i padiskutueshëm se femra eshte injoruar në aktivitetet shoqërore, se është e detyruar të mbyllet në kafazin e saj, se i injektohet një shkurtpamësi aq e thjeshte sa që të bën të habitesh si mundet një njeri të bie në këtë pozitë. ”O dobësi, ti duhet të emertohesh, të quhesh grua!” është hakërrima e famshme e Hamletit të Shekspirit. Gruaja është version i mashkullit me të meta, thote Thoma Akuini.  Nuk shkoj me larg, të flas per masat e gjera të shoqërisë, duke e ditur se niveli i arsimimit, edukimit dhe mënyra se si e perceptojmë makroboten qe na rrethon nëpërmjet mikrobotës sonë që e kemi ndërtuar me djersën e ballit dallon shumë nga personi në person. Përderisa koka kaq me famë dhe kaq mendjemprehta e shënojnë termin femër me epitete të këtilla, ç’mbeti për të tjerët!
 
Çfarë po ndodh në realitet sot në shekullin 21? Perse femra u bë të turperohet prej qenies së vet efemine, të terhiqet drejt një pozicioni dobësie dhe servilizmi ndaj mashkullit, të jetë e nënshtruar? Iluminizmi i shek. 19, Revolucioni Industrial, punësimi kanë sjellë mendime revulucionare në të menduarit rreth statusit të grave, madje edhe rezultate konkrete. Femra e parë në parlamentin britanik në vitin 1919, në SHBA të drejtën e llogarisë bankare e fitoi në vitet 1960, në Brazil divorci u legalizua më 1977. Statistikat për Kilin për vitin 1996 thonë se burrat realizojnë 67% të fitimit komercial dhe nuk bëjnë asnjë punë të shtëpisë, deri sa gratë realizojnë 37% të fitimi komercial dhe bëjnë 100% të punëve të shtëpisë. 
 
Sot femra është më e lirë në një pjesë të botës. Ç’e do që të gjitha të drejtat sikur janë reduktuar në frojdizëm, që ka gjeneruar një krizë morale. Në tjetrën? Në Orient, femra ndonëse duket, nuk është në vendin që i garantohet me kodet humane, fetare dhe legale. Maskilizmi e ka lënë në prapaskenë ose e ka bërë objekt, s’i ka lënë shumë hapësirë të subjektivizohet. Sep Blatter kërkoi nga Irani që t’u lejojë femrave të jenë pjesë e pubikut të stadiumeve.   
 
Një gjë për ne femrat duhet të jetë e qartë: Për të arritur të përkapësh ekzistencën tonë duhet te kuptojmë se jemi qenie me arsye dhe logjikë, se edhe ne kemi aftësinë më të shenjtë në faqë të dheut, dhuntinë e të menduarit, e cila po të shpërdorohet, shpërdorohet edhe uni jonë, jeta jonë. Duhet të jemi të vetëdijshme se jemi qenie me një dhunti të madhe: nënëria. Duhet t’i bindim meshkujt se janë femrat që i lindin edhe meshkujt. Siç dihet, e tërë ardhmeria formësohet në duart artistike të femres, “femra është ajo që e përkund djepin e ardhmërisë”. Këto janë gjëra që vlejnë për tërë shoqërine njerëzore, janë universale. Lëvizja reformiste e feminizmit edhe pse është keqpërdorur dhe keqkuptuar nga shumëkush, në thelb ka vetëm një qellim: të mundësojë barazinë ndërmjet njerëzve, pa dallime të gjinisë. Para së gjithash jemi njerëz, me veçori e veçanësi, por edhe me detyra ndaj njëri-tjetrit. Të përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri me standarde humane që mundësojnë vetërealizim dhe lumturi, për të gjithë, duke e kuptuar tjetrin, me të gjitha avantazhet dhe mangësitë. Forca femra! Estetikën ta marrim për shenjë shijeje, por modën mos e bëjmë religjion! Idealizëm në profesion. Arsimim dhe ndërgjegje, bashkë. Liria pa ndërgjegje s’ka kuptim, s’jep fryte. Rruga jonë nuk është e mëndafshit. Therrat duhet t’i shmangim me pedanteri e delikatesë efemine. 
 
Sumejja Pajaziti
Artikulli paraprakNesër vazhdon seanca gjyqësore ndaj Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve tjerë
Artikulli vijuesDorothy, 92-vjeçja britanike që erdhi në Shqipëri për të marrë unazën e vëllait