Heroi i harruar

Enver Robelli

«Kosova është gjaku im që nuk falet». Kështu mendonte dikur Ali Podrimja, poeti ynë i madh, ai që na la aq shumë porosi, aq shumë klithma për lirinë dhe pavarësinë tonë. «Kosova është gjaku im që falet». Kështu do të thoshte sot Enver Hadri po të ishte gjallë. Nesër në Bruksel fillon procesi gjyqësor kundër vrasësve të njërit prej heronjve më të mëdhenj dhe më modernë të Kosovës – Enver Hadrit. Dhe Kosova e pret këtë ngjarje në heshtje cinike. Heshtin politikanë të rangut të ulët e të lartë, heshtin gazeta e portale, heshtin televizione, heshtin analistë e banalistë, heshtin blogerë të frustruar, heshtin të gjithë.
Enver Hadri? Kush ishte ky njeri?
Enver Hadri kishte një ideal të madh. Ai ideal ishte një Kosovë e lirë dhe e pavarur, e cila banorëve të saj u garanton mirëqenie dhe jetë me dinjitet, pa kërbaç të policit serb. Ai ishte i vetëdijshëm se ky ideal s’mund të realizohej pa informimin e opinionit botëror mbi përmasën e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë nga regjimi jugosllav dhe serb. Për këtë qëllim Enver Hadri themeloi në Bruksel një komitet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, atëherë kur shqiptarët e Kosovës në Europën perëndimore ishin sall një nocion gjeografik, jo më shumë.
Që Kosova të jetë e lirë – për këtë punoi deri në pikën e fundit të gjakut pejani Enver Hadri. Për këtë qëllim ai bashkëpunoi me shumë aktivistë europianë për të drejtat e njeriut dhe politikanë në kryeqytetin e Belgjikës. Hadri jetonte në Bruksel që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Ai e njihte mirë gjuhën frënge dhe ishte integruar në shoqërinë belge – një përparësi e madhe në krahasim me aktivistë të tjerë, të cilët veprimtari kombëtare e quanin edhe fabrikimin e intrigave brenda diasporës.
Ditën e diel të 25 shkurtit 1990, rreth orës 16:30, rrugëtimi i Enver Hadrit mori fund. Derisa Hadri, i cili drejtonte një veturë të markës «Opel», në një rrugë në Bruksel po priste hapjen e semaforit për të vazhduar udhëtimin, atij iu afrua një automjet i markës «Golf». Një pasagjer hapi dritaren, nxori një armë me shurdhues dhe qëlloi dy herë viktimën – Enver Hadrin. Rreth tri orë më vonë Hadri do të vdiste në spitalin «Saint-Pierre» të Brukselit. Vrasësi profesionist e kishte qëlluar drejtpërdrejt në kokë.
Në çastin kur i ranë plumbat në kokë Enver Hadri mund të ketë menduar së pari për familjen e tij, pastaj për Kosovën e tij të dashur, mandej për Vehbi Ibrahimin, një patriot nga rrethina e Gjilanit, i vrarë më 10 tetor 1981 në Bruksel. Në çastet kur po jepte shpirt, Enver Hadrit mund t’i jenë kujtuar edhe Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka – të vrarë në Gjermani tre muaj pasi ishte vrarë Vehbi Ibrahimi. Vrasësit e tyre nuk janë zbuluar ende. Ndërsa të dyshuarit për vrasjen e Enver Hadrit nesër të do të dalin para gjyqit – për fat të keq në mungesë, sepse Qeveria e Serbisë ka refuzuar ekstradimin e tyre. 25 vjet pas krimit të rëndë të enjten në Bruksel do të fillojë procesi gjyqësor kundër Veselin Vukotiqit, Bozhidar Spasiqit dhe Andrija Drashkoviqit.
Historia di të luajë lojëra groteske. Sonte në Beograd ka aterruar Edi Rama, i cili nuk e di as kush ka qenë Enver Hadri, as ku gjendet Peja. Kryeministri i Kosovës e di ku gjendet Peja, por nuk i intereson sakrifica e Enver Hadrit. (Këta banditët e PDK-së në pushtet nuk kanë kohë të thonë një fjalë për procesin gjyqësor kundër vrasësve të Enver Hadrit, sepse hallin e kanë tjetërkund: te Gjykata Speciale dhe te ndonjë grua rome që kanë dhunuar gjatë dhe pas luftës).
Pranë shpirtit të Enver Hadrit nesër do të jenë një avokat belg, drejtësia e Belgjikës, vajza e tij Teuta – dhe askush tjetër. Kemi punë të tjera! Fundja, kush ishte Enver Hadri dhe përse u vra? Kujt i intereson! Kemi tenderët. Kemi buxhetin e Kosovës që duhet plaçkitur. Kemi hotelet e shtrenjta të Vjenës. Tavolinat e gjata për të nuhatur vija kokaine.
Si idealist që ishte Enver Hadri në çastin kur po merrte frymë për herë të fundit me siguri ka shpresuar se mbarë Kosova do ta nderojë punën e tij të madhe atdhetare. Një shpresë e kotë! Ndoshta gjeneratat e ardhshme një ditë do të përkulen para veprës së tij. Ndoshta… «Kosova është gjaku im që nuk falet».

Artikulli paraprakNjeriu i parë i Aleppos: Këtu është Holokaust, ndërsa bota vetëm shikon
Artikulli vijuesTragjike, vdesin 4 të rinj në një aksident në autostradën Tiranë – Durrës