Termin “Smartphone walking” apo “ecja duke përdorur celularin” ndodh që njerëzit ta kuptojnë gabimisht, ndoshta si ndonjë lloj sporti i ri ku ndërthuret aktiviteti fizik me teknologjinë.
Në fakt, ky nuk është asgjë tjetër veçse një togfjalësh që ka të bëjë me shëndetësinë, i cili tregon se siguria e përdoruesit ashtu edhe e personave përreth është në rrezik, sepse mund të shkaktohen incidente që mund të jenë edhe vdekjeprurës. Por për çfarë bëhet fjalë?
Ecja me smartphone është bërë zakon, gjithnjë e më i përhapur nëpër qytete anembanë botës, i njerëzve duke ecur nëpër rrugë me kokën të zhytur në ekran, ndërsa i gjithë përqendrimi është te shkrimi i mesazheve, dërgimi i fotografive të bëra apo gjurmimi i Pokemonëve.
Por, i angazhuar në të tilla aktivitete, përdoruesi i celularit as që e ka mendjen te ambienti përreth, ku ka rrezik të goditet nga një makinë, të futet me të kuqe në semafor, e madje edhe të qëndrojë në binarët e trenit.
Mbajeni kokën lart
Alarmi vjen nga “Found!”, agjencia italiane e marrëdhënieve me publikun, që ka ndërmarrë një eksperiment interesant social, duke mbledhur dhe duke analizuar sinjalizimet për sjelljet teknologjike të rrezikshme të ardhura nga 5000 vëzhgues në të gjithë Italinë.
Përfundimi që del sipas kësaj agjencie është mjaft shqetësues. Sjelljet më të rrezikshme janë pikërisht ato që kanë të bëjnë me përdorimin e madh të rrjeteve sociale. Që nga përplasjet e këmbësorëve, të cilët e kanë mendjen të kontrollojnë në profilin e tyre në “Facebook” (65% të rasteve) deri te pamundësia për të zbritur nga metroja, sepse një person ka ndalur mu në derë, pasi i duhet si fillim të japë një “like” në “Instagram” (41% të rasteve).
Gjithashtu, futjet në semafor me të kuqe, rrëzimet, apo dalja huq gjatë ngjitjeve të shkallëve janë diçka e zakonshme.
Kalime të rrezikshme
Të dhënat empirike janë të konfirmuara nga “Polfer”, policia hekurudhore italiane, sipas së cilës, vdekjet në shinat e trenit janë shtuar me 33%. Në shumë raste, shkak i aksidenteve është të mos qenët i vëmendshëm si pasojë e teknologjisë, pasi viktimat e kanë plotësisht mendjen tek ekrani i smartphone.
Sipas “Found!” grupi më i rrezikuar ndodhet në Milano. Agjencia raporton se meshkujt nga 30 deri në 45 vjeç janë ata të cilët janë më të lidhur me teknologjinë dhe rrezikojnë më shumë. Kjo kategori ndiqet më pas nga të rinjtë dhe nga banorët e Romës, Napolit dhe Torinos.
Edhe sipas një studimi të universitetit “Stony Brook” të publikuar në “New York Times”, në SHBA vizitat në ambulancë për shkak të ecjes duke përdorur smartphone janë dyfishuar krahasuar me 2010-n.
Ky fenomen është përhapur aq shumë, sa qeveria federale ka vendosur që t’u japë 2 milionë dollarë qyteteve të cilat do të marrin masa që të ndalin këtë tendencë të rrezikshme.
Kështu që në vazhdim, kujdes kur ecni dhe kur përditësoni statusin tuaj në llogarinë në profilet sociale.