Organizata terroriste FETO, me paratë e mbledhura se gjoja “do të ndërtojë xhaminë më të madhe në Miami” të SHBA-ve gjatë viteve 2009-2010 në vitin 2012 ka blerë ndërtesë me vlerë prej 1.7 milionë dollarë, ndërsa tani të njëjtën po përpiqet ta shesë me çmim prej 3.9 milionë dollarësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas pohimeve, organizata terroriste FETO, e cila ndërmorri tentativën për grusht shteti në Turqi më 15 korrik dhe e cila ka një strukturim të gjerë, është përfshirë në një aferë korrupsioni në lidhje me ndërtimin e një xhamie të madhe në Miami.
Theksohet se FETO gjatë viteve 2009-2010 kishte mbledhur afërsisht 1 milionë dollarë me premtimin se “do të ndërtojë xhaminë më të madhe në Miami”, ndërsa me ndihmën e atyre parave në vitin 2012 ka blerë ndërtesë në vendin Pompano Beach të qytetit Broward me çmim prej 1.7 milionë dollarësh.
Punonjësit e FETO-s të cilët kërkonin të blenin një auto galeri me paratë e tubuara që sipas pohimeve kanë kapur shumën prej 1 milionë dollarësh, kanë bërë marrëveshje për kryerjen e pagesës së mbetur brenda tre viteve me pronarin e objektit.
Sipas regjistrimeve në kadastrën në Broward, fondacionet Coral Springs dhe Fellowship Isle për të cilat thuhet se kanë lidhje me FETO-n, më 28 qershor 2012 kanë blerë pronën në fjalë nga firma Acquired Capital me çmim prej 1.7 milionë dollarësh.
Më vonë u hap një qendër me emrin Istanbul Cultural Center e cila zhvillon aktivitete në shtetet Florida, Georgia, Tennessee, California e Jugut dhe Alabama për të cilën thuhet të ketë lidhje me FETO-n.
Fondacionet e FETO-s për të cilat thuhet se duan të shesin pronën për 3.9 milionë dollarë sipas faqes në të cilën jepen vlerat e pasurive të patundshme në Broward vlen 3.3 milionë dollarë. Nuk iu është dhënë ndonjë përgjigje e qartë turqve nga të cilët i kanë mbledhur paratë se çfarë do të bëjnë me këtë shumë të hollash.
Përpjekjet e këtyre fondacioneve, që në SHBA funksionojnë në mënyrë normale si “institucione jofitimprurëse” dhe që në këtë mënyrë e kanë të lehtë të mbledhin para për të nxjerrë fitime nga prona të cilën e kanë blerë nga paratë e mbledhura me premtimin për hapjen e një xhamie në Miami, ka nxitur reagime të mëdha.
A shkojnë paratë në arkën e FETO-s?
Kryekonsulli i Turqisë në Miami, Özgür Kıvanç Altan, në deklaratën për gazetarin e AA-së në lidhje me çështjen në fjalë, tha se dyshojnë që paratë e mbledhura nga shumë persona në rrethinën e Miamit me qëllimin për ndërtimin e një xhamie, shkojnë në arkën e FETO-s.
“Në një kohë këtyre u jepnim para sa herë që kërkonin për qëllime bamirësie, por tani ndihemi shumë keq për këtë”, thotë Altan duke përmendur edhe shqetësimin që turqit e Miamit e ndiejnë për FETO-n.
Duke u shprehur se janë në përpjekje kundër FETO-s dhe institucioneve të tyre në Miami në çdo aspekt, Altan theksoi se anëtarët e FETO-s kanë marrëdhënie të afërta me drejtuesit lokal dhe zyrtarë në Florida.
Ai potencoi se muajve të fundit janë shtuar lëvizjet e institucioneve të FETO-s në rajonin e Floridas. “Këta kishin kanale veprimi në tërë botën, por kanali më i madh për ta ishte Turqia. Me mbylljen e këtyre kanaleve në Turqi kohëve të fundit, edhe strukturimet e tyre këtu po pësojnë rënie”, tha Altan.
“Nuk besoj se janë të sinqertë dhe të drejtë”, thotë mes tjerash ai.
Ndërmarrësi Muammer Aydoğdu i cili jeton në Miami prej 25 vitesh, rrëfeu se pjesëtarë të FETO-s kanë tubuar para me premtimin se do të ndërtojnë xhami me minare.
Aydoğdu u shpreh se pjesëtarët e FETO-s vendin e blerë e kanë shndërruar në qendër kulturore dhe se pritjet e njerëzve kanë ngelur të parealizuara.
“Nuk besoj se këta janë të sinqertë dhe të drejtë”, tha ai duke shtuar se aktualisht turqit në Miami nuk shfaqin interesim për aktivitetet e FETO-s si më parë.
Sipas tij, përveçse në Miami, FETO ka mbledhur shumë para edhe në Turqi duke përdorur metodën e njëjtë dhe e ka keqpërdorur qëllimin e mirë të popullit turk.
– Projekti për xhami turke në Miami –
Në faqen e parë të broshurës së shtypur në kuadër të projektit për ndërtimin e xhamisë në Miami gjatë viteve 2009-2010, shkruan se: “Realizimi i këtij projekti të bukur do të jetë i mundur me mbështetjen e njerëzve bamirës siç jeni ju. Krahas mbështetjes materiale, kërkojmë edhe mbështetjen tuaj shpirtërore dhe lutjet tuaja”.
Ndërkaq, në faqen e dytë të broshurës së titulluar “Pse xhami?”, gjenden ajete kuranore dhe hadithe në lidhje me mirësinë që ngërthen ndërtimi i xhamisë. Në faqet tjera ka pjesë në lidhje me vendin ku do të ndërtohej xhamia dhe pamjet e xhamisë së menduar për ndërtim. Në faqen e parë të broshurës vëmendje po ashtu tërheq pamja e një xhamie të madhe që reflekton arkitekturën osmane.