Gjatë shpërndarjes së ndihmave kanë qenë të pranishëm ambasadori i shtetit të Katarit Yousuf Hassen Al-Saai, aktivistë dhe drejtues të shoqatës “Qatar Charity”, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, deputetja Esmeralda Shkjau si dhe kryetarët e bashkive Durrës dhe Shijak.
Ministri Klosi, pasi ka falënderuar Katarin për ndihmat, tha se shteti dhe strukturat lokale do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah banorëve të përmbytur në të gjithë zonën e prekur.
“Më vjen mirë që ndodhem këtu në Shijak sot, ku së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë do t’u vijmë në ndihmë banorëve, të cilët u prekën nga fatkeqësia natyrore.
Ne i jemi mirënjohës shtetit të Katarit, i cili sot po shpërndan ndihma për banorët në nevojë. Ne kemi qenë përkrah popullit të Shijakut dhe zonave të tjera të përmbytura dhe do të vazhdojmë të jemi, duke u përpjekur për t’ua kthyer jetën e përditshme, pas kësaj katastrofe që i përfshiu pak ditë më parë.
Dua të shtoj se së bashku me kryetarët e Bashkive të Durrësit dhe të Shijakut do të shikojmë mundësin e ngritjes së një qendre të formimit profesional, qendër e cila do t’u japë mundësin këtyre banorëve të varfër të kësaj zone që të kenë mundësinë e punësimit”, u shpreh Klosi.
Ambasadori i Katarit theksoi se ndihmat me shumën totale prej 110 mijë dollarësh do të shpërndahen në disa faza për banorët e prekur nga përmbytjet.
Ky donacion, ashtu sikurse edhe ai i vitit të kaluar për banorët e Jugut të Shqipërisë, është në vijim të bamirësisë së Shtetit të Katarit në Shqipëri.
Për shpërndarjen e ndihmave janë angazhuar punonjës të Bashkive të Shijakut dhe të Durrësit. Zonat më të prekura nga përmbytjet janë Shijaku, Sukthi dhe Katundi i Ri.