Bëhet e ditur se si pasojë e katastrofës së përmbytjeve që ndodhi në shtetin Louisiana të SHBA-ve javën e kaluar 13 persona kanë humbur jetën, ndërsa 60.642 shtëpi janë rrënuar.
Si pasojë e katastrofës në Louisiana, e cila llogaritet si katastrofa më e madhe natyrore në SHBA pas Uraganit Sandy në vitin 2012, shumë shtëpi kanë ngelur nën ujë, ndërkohë që mijëra persona janë strehuar nëpër streha.
Zëdhënësi i Zyrës së Sigurisë së Brendshme dhe Përgatitjeve për Gjendje Emergjente pranë Kabinetit të Guvernatorit të Louisianas, Mike Steele, në deklaratën e tij tha se për shkak të përmbytjeve 60.642 shtëpi janë rrënuar ose janë dëmtuar, ndërsa 13 persona kanë humbur jetën. Ai shtoi se pas përmbytjeve 102 mijë persona janë regjistruar për ndihmë federale dhe se tre mijë persona ende po qëndrojnë në streha.
Steele theksoi se si rezultat i reshjeve të pandërprera mes datave 11 dhe 13 gusht, 50 autostrada të shtetit ende janë të mbyllura, ndërsa shumë njerëz nuk kanë mundësi të shkojnë në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, guvernatori i Louisianas, John Bel Edwards, u shpreh se rishtazi kanë filluar të mësojnë për seriozitetin e katastrofës së përjetuar.
Ndërsa në shtetin e Louisianas vazhdojnë punimet për vlerësimin e dëmeve, Oda Tregtare e Baton Rouge bëri të ditur se në rajon ka 111 mijë shtëpi dhe se vlera totale e tyre është afërsisht 21 miliardë dollarë.
Në vitin 2012, Uragani Sandy i cili kishte shkaktuar dëme të mëdha në New Jersey dhe New York dhe nga i cili jetën kishin humbur 74 persona, kishte shkaktuar dëme në zonën e prekur në vlerë prej 75 miliardë dollarësh.
Në deklaratën nga Shtëpia e Bardhë u bë e ditur se presidenti Obama ditën e martë do ta vizitojë qytetin Baton Rouge në Louisiana dhe do të bëjë vlerësime në zonat e prekura nga katastrofa.