Përshkrime tronditëse për luftën në Kosovë nga ekspertja mjekoligjore frenge

“Me të kthyer në Paris mendoj se një problem i ri do të më dalë: do të më duhet të pajtohem me qenien njerëzor”! Dominique Lecomte
 
Shkruan: Jakup Krasniqi
 
Duke lexuar librin e Bardhyl Mahmutit, “Mashtrimi i madh”, Çabej, Shkup 2015, një libër polemik, e zhvilluar me autorë të ndryshëm të perëndimit, të cilët për shkak të ndjenjave të tyre antiamerikane e anti NATO, ata shkruan libra në mbrojtje dhe arsyetim te politikës se gjenocidit serb te Millosheviqit. Unë nuk mund ta them me bindje se ata autorë janë udhëhequr vetëm nga inati antiamerikan apo anti bombardime, pasi ndjenja e njerëzve par tu bërë argat për para nuk është vetëm në vendet në tranzicion, ato, parat po i lakmojnë të gjithë njerëzit nga do që vijnë ata?! Edhe Perëndimi demokratik ka ruajtur diçka nga “Perëndimi i egër”, për ti shërbyer ati që e paguan. Prandaj ata kanë krijuar edhe shumë kompani lobimi, për të mbrojtur politika te ndryshme në vendet e tranzicionit dhe në vendet e ndryshme pas konflikteve të armatosura. Përndryshe, është vështirë të besohet se autorët (mbështetësitë dhe arsyetuesit e regjimit gjenocidal të Millosheviqit), udhëhiqen nga bindjet e tyre “shkencore”?!
Nuk mund ta le pa e thënë se, vepra e Bardhyl Mahmutit që u botua këto ditë, do të ishte e vështirë të shkruhet edhe nga institutet e thirrura apo të krijuara për gjëra të tilla, e jo më nga një njeri. Kjo tregon se autori ka një përkushtim të veçantë për ta mbrojtur me argumente të pa kontestueshme, kryevlerën e shqiptarëve për liri e pavarësi – Luftën Çlirimtare te UÇK-së. Ndonëse ketë ndërmarrje është dashur ta bëjnë, veç e veç apo se bashku Akademitë tona apo edhe Institutet tona shkencore të Historisë ose të Albanologjisë! Kjo vepër është e domosdoshme që te përkthehet në gjuhet kryesore e se paku në gjuhët: angleze, frënge e gjermane dhe të shpërndahet gjithandej nëpër Botë.
 
Si një nga argumentet e shumta kundër atyre që e mohojnë gjenocidin në Kosovë, Bardhyl Mahmuti sjell edhe përshkrimin e Dominique Lecomte, udhëheqëses së Institutit Mjeko Ligjor të Parisit, e cila qëndroi në Kosovë me mandat të Tribunalit Penal Ndërkombëtarë për Ish-Jugosllavinë. Ajo na sjellë një rrëfim rrëqethës për krimet serbe të kryera në Kosovë.
Libri i Bardhyl Mahmutit është një polemikë e nivelit të lartë shkencor, intelektual e profesional dhe është shumë mirë i argumentuar.
 
“Mashtrimi i madh” është një përballje e së vërtetës se hidhur me gënjeshtrën e inskenuar në Beograd dhe të përqafuar edhe nga miqtë e tyre, të përqendruar në Francë, ku janë shkruar shumë libra që demonizojnë luftën e popullit te Kosovës (UÇK-në).. Kulmi i këtij demonizimi është raporti i Dick Martit i miratuar në Këshillin e Evropës, mbi bazën e të cilit po ngritët Gjykata Speciale mbi pretendimet e ati raporti, për gjoja krimet e UÇK-së?! 
Libri i Bardhyl Mahmutit është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe të bënë për vete që në faqet e para të librit. Meriton të lexohet nga të gjithë lexuesit që e dëshirojnë të vërtetën e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Më i plotë përshkrimi i mjekoligjores gjendet në faqen 303 – 306 te librit. Në vazhdim po jap një pjesë të shkurtuar të rrëfimit të premtuar:
“Një sprovë në mes aq sprovave tjera: sapo u zhyta në greminën e vdekjes. Vetëm të vdekur! Sapo kaluam shtatë ditë punë në një varrezë masive, një fushë ku toka ishte rrotulluar në thellësi.
Ka afër njëqind e pesëdhjetë trupa të burrave, ( …) , shumica e të cilëve vinin nga pushkët e luftës, plumbat e të cilave provokonin shkatërrime të brendshme të tmerrshme. Disa kishin vonuar deri sa kishin vdekur dhe kishin përfunduar me nga një plumb në zverk. ( … )”.
 
Këto vrasje prapashpine për te cilat flet ekspertja mjekoligjore, zonja Dominique është një dëshmi tjetër, se politika e gjenocidit serb e ushtruar në Kosovë ishte e programuar: “vrajë sa më shumë shqiptarë, nëse doni të keni sa ma shumë merita për atdheun tuaj – Serbinë”. Kjo politikë jo vetëm që ishte e paraparë në Planin “Patkoi”, por e gjënë në të gjitha projektet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, pra që nga “Naçertanja” e Garashaninit.
Dominicu-ja vazhdon me tregimin e saj tronditës. Ajo në mes të tjerave thotë:
“(…)Qe njëzet vjet kam parë çdo ditë tmerre, por kam përshtypjen se ky mision i pasluftës i tejkalon të gjitha. Kam para syve gjurmët më të llahtarshme të natyrës njerëzore(…)
 
Fryma të zihej nga një erë e djegies, e bërllokut dhe e të vdekurve që lëshonin shtëpitë e rrënuara dhe pa kulm(…)
«Në fund të bunarit ka gra», tha njëri që ishte tepër i shqetësuar. Kishte të drejtë! Me të vërtetë ishte pika kulmore e tmerrit! Do të bëjmë çdo gjë që t’i nxjerrim.
Materiali i rëndë i xhenios, me të cilët bashkëpunonim qe disa ditë, u vu në lëvizje. E hapi një të çarë për të depërtuar në fund të bunarit. Lopatëzat depërtuan dhe e hapën bunarin. Pastaj nxorën gërmadha dhe trupa të grave të varura si kukulla në thonjtë e lopatës. Unë e drejtoja makinën që trupat të vendoseshin me kujdes mbi mushamatë në tokë.
Janë të ruajtura mirë, por, duhet punuar shpejtë sepse dekompozimi dhe mizat fitojnë në kohë. Unë dhe kolegu im, këmbadoras, i zhveshëm kufomat, teshat ishin përplot me ujë. Mushamatë janë të shtrira që të na mbrojnë nga shikimet. Ekzaminimi mjekësor është shumë i mundimshëm: këto gra ishin dhunuar dhe hedhur për së gjalli në bunar, ku janë mbytur”.
 
Kjo që e tregon ekspertja mjeko ligjore, është e tmerrshme për t’u lexuar, ishte e tmerrshme për tu shikuar kufomat e grave të pa jetë, padyshim, por a mundet njeriu i gjallë të hyjë në shpirtin a atyre grave të dhunuara e të gjuajtura për se gjalli në bunar?! Sa vështirë është për njeriun njeri për të kuptuar tmerrin e gjallë, te kryera nga shpirtrat kazmë të atyre bishave dy këmbore që urdhëroheshin nga një shtet që mëshirohet nga “drejtësia” ndërkombëtare?!!! Dhe ai krim me përmasa të gjenocidit, ka mbetur edhe sot e kësaj dite i pa ndëshkuar për shkak te ndërhyrjeve politike në drejtësi!!! (Për ndërhyrjet politike në drejtësi ka shkruar një franceze tjetër, Florence Hartmann, në librin: “Paqja dhe ndëshkimi”, Koha, Prishtinë 2011). Edhe më keq se kaq, krimi kërkohet në anën tjetër!? Dominique vazhdon tregimin e saj, aspak të lehtë, madje as për tu lexuar:
 
 
“Në këtë fshat, çdo gjë është bërë rrafsh: burrat e grumbulluar janë vrarë me mitraloz pranë një muri të bërë shoshë nga plumbat (…) Në një fshat tjetër, hynë në një shtëpi dhe vranë të gjithë anëtarët e familjes: gjaku i thatë shihet gjithkah, gratë dhe fëmijët u vranë në sy të burrave, të cilët pastaj u vranë në rrugë, me nga një plumb pas shpine. 
( … ) Një burrë na tregonte goditjet e plumbave në mur dhe grumbullin e hirit në oborr, duke na shpjeguar se plaku që ruante shtëpinë ishte vrarë me një plumb dhe ishte djegur në zjarrin e shtëpisë. Nga shtëpia në shtëpi na tregonte për skenar të njëjtë dhe në fund na dërgoi te një tendë e bardhë që kishin ngritur organizatat humanitare ndërkombëtare, ku strehohej familja e tij. Dëshironte të na kënaqte me diçka dhe na solli një tabaka me gota që kishin shurup dhe nga një shtambë i mbushi me ujë.
«Është ujë bunari»-na tha ai.
 
 
Për një çast u ndala. Shikimi imu kryqëzua me të kolegut tim. Në kujtesë kam dra
mën e bunarit dhe e kam të vështirë të pi këtë gotë. Gotën e mbajta në dorë për një kohë të gjatë sepse kisha frikë mos ta lëndoj nikoqirin. Kolegu im, duke parë hutimin tim e morri dhe e piu me një gjest miqësie dhe ndarje dhimbjeje. Më vinte turp! Atë ditë u largova me kokën poshtë sepse me të vërtetë nuk u tregova e guximshme(…)”.
Ky përshkrim i mjeko-ligjores Dominique, nuk është tregim i fantazisë njerëzore, është një tregim i parë më sy njeriu, për dhimbjet e jetuara njerëzore, për disa ngjarje tepër të dhimbshme, ndonëse aspak të lehta as për tu lexuar. Edhe pas gjithë atyre tmerreve, në Kosovë po rifillonte jeta, por plagët e luftës ishin kudo, edhe në gur e drunjtë e saj. Mjeko-ligjorja fillimin e ri e përshkruan kështu:
 
“Qe disa ditë pandërprerë karrocat e mbingarkuara me burra, gra, fëmijë dhe pleq mbushën rrugët. Rifilloi jeta.
Skelet ngjiteshin në kulm, tullat renditeshin njëra mbi tjetrën, tratë e djegur ndërroheshin… Shtëpitë dukeshin si të plagosur lufte, me plotë plagë të lidhura dhe me fasha.
Brenda dy muajsh, Kosova i ngjante vendeve tjera. Bari u kosit shpejt e shpejtë, sepse duhej siguruar sana për dimër.
Me të kthyer në Paris mendoj se një problem i ri do të më dalë: do të më duhet të pajtohem me qenien njerëzor”!Lexuesi duhet ta vërej, frazën e fundit: “… do të më duhet të pajtohem me qenien njerëzore”.“Qeniet njerëzore armiqësore”, thotë shkencëtari britanez, Haëking i cili tërheq vërejtjen, se e ardhmja e njerëzimin “me armiqësinë njerëzore duket goxha i zymtë”:(http://politiko.net/cka-e-prish-njerezimin.). Për ketë që e thotë mjekoligjorja frënge, populli ynë do të thoshte: “Mos na lashtë zoti pa njerëzit e mirë si zonja Dominique, se për ndryshe nuk do të na mbante as Toka”. Ndërkaq, sa për “negacionistët” që mbrojnë e mohojnë krimin e gjenocidin kundër njerëzimit të shkaktuar nga neofashistët serbë, nuk do të mund të parashikonim se ku e si do të ishim ne shqiptarët e Kosovës, madje jo vetëm ne, por edhe Bota në të cilën po jetojmë?! Se kush janë “negacionistët” do të mësoni nga libri i Bardhyl Mahmutit. Libri do të jetë një mbrojtje e fuqishme dhe argumentuese në mbrojtje të Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Artikulli paraprakSot Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit
Artikulli vijuesPazari i diplomave