Kosova nuk është Charlie! Ja pse

0
226

Shoqëria civile, mediat, deputet e qeveritarë u solidarizuan me viktimat me plotë të drejtë. Por një gjë u tejkalua pa u diskutuar. A është Kosova ithtarë e fjalës së lirë? Dhe deri në çfarë mase e respekton këtë parim? Ajo çka ndodhi në Paris, është një krim i cili nuk duhet të justifikohet nën asnjë rregull apo botëkuptim shoqëror. Vrasja si vrasje duhet dënuar me të gjitha mjetet. Të gjithë po pajtohemi që krimi është bërë, pasojat e të cilit do të jehojnë shumë gjatë, dhe bota do të ndryshojë ngjashëm sikur pas sulmeve të 11 shtatorit. Por, nuk do të ndalemi tek analizimi i impaktit që do ta ketë ky sulm në botë, por do ta analizojmë nocionin “Liri e të shprehurit” dhe kontekstin e saj në krejt këtë tymnajë. Siç edhe u bë e ditur, sulmi në Paris erdhi pas publikimeve të disa karikaturave të cilat nga një grup i madh i njerëzve u cilësuan si provokative, nganjëherë edhe blasfemike. Para “Charlie Hebdo’s”, një gazetë tjetër satirike në Danimarkë i publikoi disa karikatura të profetit Muhamed, të cilat u pritën me protesta të dhunshme anë e mbanë botës. Bilanci i të vdekurve arriti deri në 200. Përveç protestave, u përdor edhe bojkoti si mjet revolte. Danimarka humbi disa milion për shkak te humbjes së eksportit në vendet e Lindjes së Mesme, ndërsa skandinavët ia kthyen Egjiptit duke mos e vizituar gjatë pushimeve. Ani pse Charlie Hebdo ishte kërcënuar më herët, kërcënimet nuk ndikuan që të mos publikohen karikaturat. Shteti Francez nuk ndërmori asgjë për ta ruajtur sigurinë në vend, ani pse kishte indikacione së një sulm mund të ndodhte. Duhet kujtuar se gjatë ofensivës të vitit që shkoi të Izraelit në Gaza, protestat pro palestineze u ndaluan në Francën liberale, për arsye të “ruajtjes së sigurisë nacionale”. Sulmi në Paris ndodhi dhe filluan debatet anekënd botës, për atë se deri kur është kufiri i fjalës së lirë, e kur fillon gjuha e urrejtjes. Kosova, një vend i cili dukshëm e ka një krizë identitare, ishte një ndër shtetet e para që organizuan homazhe për viktimat në Paris, dhe i dolën në mbrojtje fjalës së lirë. Kjo ndodhi shpejt e shpejt, pa u analizuar mire gjendja në vend, dhe qëndrimi institucional e shoqëror ndaj konceptit “liri e të shprehurit”. Shoqëria civile, mediat, deputet e qeveritarë u solidarizuan me viktimat me plotë të drejtë. Por një gjë u tejkalua pa u diskutuar. A është Kosova ithtarë e fjalës së lirë? Dhe deri në çfarë mase e respekton këtë parim? Unë nuk mendoj që Kosova është Charlie, në kontekstin e asaj që këtu lejohet shprehja e mendimit, dhe pranohet ashtu si del, i drejtë apo provokatorë. Në fakt, nuk është as mendim i imi, por është konstatim, ngase kemi hasur në praktikë kur persona të caktuar janë akuzuar për një fjalë apo veprim kontrovers. Rasti më i freskët mbase është me këngët e reperit Gold AG, të cilat përmbajnë tekste fyese (siç e ka muzika Rap në gjithë botën). Në këngën e tij “Shqiptar”, ai prekë temën e politikës në Kosovë dhe i ofendon disa fytyra publike. Reagimi për këngën ishte i ashpër, duke e akuzuar Gold AG’n për nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit personal. Ai u padit nga deputetja Alma Lama dhe u thirr në polici për t’u marrë në pyetje. Njëjtë ndodhi edhe me pjesën e dytë të kësaj këngë, ku kësaj radhe u angazhua edhe grupi i grave deputete për ta dënuar reperin. Rasti tjetër është me hoxhë Shefqet Krasniqin dhe deklaratën e tij për Nënën Terezë. Për këtë deklaratë u bë bujë e madhe dhe u kërkua largimi i tij nga puna e imamit të xhamisë. Ngjashëm ndodhi edhe me hoxhë Irfan Salihun, ku një ligjëratë e tij e cila kishte të bënte me moralin tek femrat, u kritikua ashpër duke reaguar edhe disa organizata jo-qeveritare dhe disa deputetë të parlamentit. Tash së fundmi mbajtën dënim me burg disa hoxhallarë për shkak të nxitjes së urrejtjes në popull. Rasti tjetër që është shumë banal, ka të bëjë me një video të shkurtër në Youtube, të dy qytetarëve të Kaçanikut duke bërë shaka me statujën e heroit kombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu. Në këtë video, ata paraqiten duke e “ngacmuar” statujën dhe duke e rrahur më shpulla. Kjo video shkaktoi bujë të madhe, ku reaguan gati se të gjithë në vend, madje u kërkua edhe arrestimi i autorëve të videos. Protagonistët e videos u mbrojtën dukë u thirre në fjalën e lirë dhe lirinë e të shprehurit, por kjo nuk mjaftoi, ngase ata u arrestuan nga policia. As çerekun e bujës nuk e mori një video tjetër kontroverse e imzot Anton Kçirës, i cili të gjithë myslimanët në Kosovë dhe Bosnjë i cilësoi si qenë, dhe kritikonte regjimin serb pse nuk i kishte masakruar të gjithë këta, kur kanë pasur mundësi. Ajo çka po dua të them është se, duhet definuar njëherë e mirë qëndrimi institucional e ligjor i Kosovës për lirinë e të shprehurit. Të definohet mirë se ku përfundon liria e ku nisë nxitja e urrejtjes. Mos të interpretohet kjo në mënyrë hipokrite, të reagohet në një rast, e rasti tjetër të heshtet. Madje edhe vet gazeta Charlie Hebdo u tregua hipokritë njëherë kur kishte përjashtuar nga puna një karikaturist që kishte bërë një shkrim, i cili u cilësua si antisemitizëm. Pra, në këtë rast, si dhe në rastet që i ceka më lartë në Kosovë, nuk paska vlejte fjala e lirë. Assesi nuk dua të cilësohem si apologjet i terrorizmit apo i krimit. Të gjithë jemi kundër vrasjeve dhe sulmeve. Unë për vete jam pro fjalës së lirë, ngase vetë merrem me satirë, por jam kundër hipokrizisë. Duke i analizuar debatet në vend, hasa në një ndarje interesante. Në Kosovë për momentin janë dy grupe të zhurmshme, por shumë hipokrite : Grupi i parë është i atyre që janë pro fjalës së lirë, por kur bëhet shaka me figurat kombëtare ose për vlerat të cilët ata i mbrojnë, reagojnë ashpër dhe kërkojnë dënimin e tyre. Grupi i dytë është i atyre të cilët nuk kanë dëshirë që të bëhet shaka me fejen e tyre, dhe profetët e tyre, por ata nuk hezitojnë të ofendojnë figurat kombëtare dhe religjioze të konfesioneve tjera. Pra, kemi shumë hipokrizi e pak arsye në këtë mes. Andaj unë nuk them se Kosova është “Charlie”, të paktën jo përderisa njerëzit thirrën në polici për të dhënë shpjegim për fjalën e tyre të lirë.