Xhehenemi
Zjarri është vendi i nënçmimit, përçmimit dhe dënimit. Zëri i tij është mbytës dhe oshëtimës, ndërsa zëri i banorëve të tij është britma dhe rënkimi të cilat nuk ndërprehen asnjëherë. Ata janë në mjerim dhe vuajtje të pandërprerë, në qarje dhe vajtim të vazhdueshëm. Duart dhe qafat e tyre janë të lidhura me zinxhirë dhe pranga, e ata tërhiqen zvarrë prej fytyrash në Zjarr, i cili me hijen e tij i mbulon ata nga lart dhe poshtë, ajri në të është i toksinuar, ndërsa uji është i valuar: “ E mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar, me të cilin do t’u shkrihen ç’kanë në barqe dhe lëkura.” (El-Haxh: 20 – 21).
Ushqimi i tyre do të jetë zekumi, për të cilin Allahu thotë: “Pema e Zekumit do të jetë ushqim i gjynahqarit. Si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tij, ashtu si vlon uji i nxehtë.” (Ed-Duhan: 43 – -46).
Aty, ata do të kërkojnë të vdesin, por askush nuk i përgjigjet kërkesës së tyre dhe do ti kërkojnë Allahut që ti rikthejë përsëri në botën e mëparshme me premtimin se ata nuk do të bëjnë më gjynahe, por Allahu do tu thotë: “Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!” (El-Mu’minun: 108). Më pas do të kërkojnë nga engjëjt që të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu për tua lehtësuar dënimin qoftë edhe vetëm një ditë, por përgjigjja për ta do të jetë: “Atëherë thërrisni për ndihmë!” Por thirrjet e tyre do të jenë të kota.” (El-Gafir: 50).
Dënimi më i lehtë në Xhehenem është dënimi i një njeriu të cilit do ti vendosen thëngjill nën këmbë dhe nga nxehtësia e tyre do ti vlojnë trutë.
Banorët e Xhehenemit janë në shkallë zbritëse në varësi të veprave të tyre, në të janë mohuesit, idhujtarët, munafikët, imoralët dhe gjynahqarët, e midis tyre do të ketë vetëm qortime dhe mallkime: “Kurdo që një popull do të hyjë në zjarr, do të mallkojë të tjerët që kanë hyrë para tij.” (El-Araf: 38). Nuk ka shpëtim për pasuesit dhe të pasuarit e as nuk kanë mundësi të shpëtojnë vetvetet e tyre apo të tjerët. Prijësi i tyre do të jetë Iblisi, i cili do ti braktisë dhe do të mohojë shoqërimin e tyre dhe për ata nuk ka askush që të ndërmjetësojë e as nuk ka për ata miq të vërtetë.
Mjerë për ata që janë banorë të tij dhe çfarë shkatërrimi për ata që do të hyjnë në të!
Banorët e tij do të sillen tek ai me përbuzje dhe përçmim, të etur, të verbër, të shurdhër dhe memecë.
Xhehenemi ka shtatë porta hyrëse, për çdo grup njerëzish që do të hyjnë në të, të cilat më pas mbyllen dhe askush nuk ka mundësi të dalë prej tyre: “Mbi ata do të jetë zjarri i mbyllur.” (El-Beled: 20), ka thënë Ibn Abas në shpjegimin e këtij ajeti: “ Porta të mbyllura”.
Temperatura e nxehtësisë së Xhehenemit është shumë e lartë dhe thellësia e tij shumë e madhe. Profeti alejhi selam ka thënë: “ U ankua Zjarri tek Zoti i tij dhe tha: ‘ O Zot! Pjesët e mia po hanë njëra-tjetrën! Dhe Zoti lejoi për të dy frymëmarrje; një në dimër dhe një në verë, pra në të ftohtin më të madh që përjetoni dhe në të nxehtin më të madh që përjetoni.” (Buhariu dhe Muslimi).
E atë që Zoti e nxjerr më pas nga Xhehenemi dhe e fut në Xhenet nuk do ta ndjejë më kurrë atë vuajtje e mjerim që përjetoi në Zjarr dhe (sikur) ai që hyn në
Zjarr nuk do ta ndjejë më kurrë atë mirësi dhe lumturi që përjetoi në Xhenet. Profeti alejhi selam ka thënë: “ Do të sillet njeriu më i lumtur, që do të jetë prej banorëve të Xhehenemit, që ka ekzistuar në këtë botë dhe do të zhytet vetëm një moment në Zjarr, e do ti thuhet: ‘ O bir i Ademit, a ke përjetuar më parë begati? Ai do të thotë: ‘ Jo, vallahin o Zoti im! E do të sillet njeriu më i vuajtur, që do të jetë prej banorëve të Xhenetit, që ka ekzistuar në këtë botë dhe do të zhytet vetëm një moment në Xhenet, e do ti thuhet: ‘ O bir i Ademit, a ke përjetuar vuajtje më parë? Ai do të thotë: “ Jo, vallahin o Zoti im! Asnjëherë nuk kam përjetuar vuajtje më parë dhe as probleme.” (Muslimi)
Ndërsa lënda djegëse e Xhehenemit janë vetë njerëzit në të dhe gurët: “Ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (El-Bekare: 24).
Njeriu nuk mund ta përshkruajë Xhehenemin dhe as dënimin e tij, por gjithsesi mjafton për ne ajo çfarë na tregoi rreth tij Allahu dhe i Dërguari i Tij alejhi selam. Dënimi në të është përtej çdo imagjinate dhe fantazie.
Zjarri është dënimi i Allahut me të cilin dënon atë që dëshiron nga robërit e Tij prej atyre që merituan dënimin dhe ata nuk hyjnë në të vetëm se për shkak të gjynaheve të shumta të tyre të cilat i vepruan, si; mohimi i Zotit, idhujtaria, etj.