Përvjetori i vdekjes së Aylan-it, simbolit të tragjedisë së refugjatëve sirianë

Para një viti në këtë ditë tragjikisht humbi jetën vogëlushi sirian tre-vjeçari Aylan Kurdi, trupi i pajetë i të cilit u gjet në fillim të shtatorit të vitit të kaluar në bregdetin e Mesdheut turk, raporton AA.

Anija me 14 refugjatë sirianë u përmbyt në Detin Mesdhe gjatë përpjekjeve për të arritur në ishujt grekë. Me këtë rast, u vranë pesë persona, duke përfshirë edhe Aylanin tre-vjeçar, trupi i pajetë i të cilit u gjet në një plazh në Bodrum, ndërsa fotografia me pamjen e tmerrshme u përhapën në faqet e para të mediave botërore dhe u bë simbol i vuajtjeve të refugjatëve sirianë në rrugën për në Evropë.

Viti i kaluar mbahet mend për nga fotografia e vogëlushit me fanellë të kuqe, e cila tronditi botën dhe kur askush nuk mbeti indiferent ndaj kësaj skene të tmerrshme.

Ismail Akar, një nga dëshmitarët okularë të ngjarjes, gazetarëve u tha se atë mëngjes, si dhe gjitha mëngjeset tjera kishte dalë në plazh për të vrapuar. Por, ai vërejti se diçka po ndodhte, sepse kishte parë shumë njerëz të mbledhur në një vend.

“Në rrugën deri te turma takova dy persona të cilët shikonin në të njëjtin drejtim. I pyeta se çfarë po ndodhte. Por, rreth ndodhisë kuptova vetëm kur u afrova në vendin e ngjarjes. Ata e nxorrën trupin e vogëlushit dhe e vendosën në një makinë varrimi”, kujton Akar.

Për atë kjo ishte me të vërtetë trishtuese kur pa trupin e pajetë të vogëlushit.

“Më vonë këtë vogëlush e kam parë vazhdimisht në televizion. Akoma fytyra e tij më del para syve. Ai ishte një djalë i vogël”, tha Akar.

Ugur Ozdogan është dëshmitar i shumë ngjarjeve tragjike në plazhin e Bodrumit. Sipas tij, dhjetëra njerëz kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar ilegalisht në Greqi.

Ozdogan tha se nga shtëpia e tij sheh situata të ndryshme, se si fshihen, natën përpiqen të hipin në gomone, por se në këtë rast nuk ka mundur të bëjë asgjë, për shkak se ishin shumë.

Artikulli paraprakBanorët përgënjeshtrojnë angazhimin e BDI-së në Hasanbeg
Artikulli vijuesUNICEF: Nga viti i kaluar 500 mijë raste të abuzimit të fëmijëve refugjatë