Deklarata e një peshkopi liberal të Kishës Anglikane ku propozohej që gjatë kurorëzimit të Princit Çarls të citoheshin edhe pjesë nga Kurani, ka shkaktuar debat në Angli.
Lordi Herries, i njohur për qendrimet e tij liberale deklaroi të enjten se në kurorëzimin e Princit Çarls, përveç citimit të Biblës të shtohej edhe citimi i Kuranit. Kjo sipas tij do të bënte që besimtarët myslimanë të mbretërisë të ndjeheshin të përfaqësuar, njofton top-channel.
Por kritikët sulmuan idenë dhe akuzuan Kishën Anglikane se është shkëputur jo vetëm nga vlerat dhe tradita e saj, por edhe se është larguar nga vlerat e krishtërimit.
Deklarata e peshkopit mbërrin 20 vite pas asaj të bërë nga vetë Princi Çarls. Në vitin 1994 ai deklaronte se do të pëlqente më shumë të ishte “mbrojtës i besimeve” se sa “mbrojtës i besimit”, duke vendosur në një peshë të barabartë të gjitha besimet e përmbledhura në kurorë.
Vite më vonë, në 2006 ai ripërsëriti qendrimin e tij kur deklaroi se do të pëlqente një kurorëzim multifetar dhe jo të përqendruar në një fe të vetme.
Formula ceremoniale e kurorëzimit të monarkëve britanikë qendron në fuqi prej dekadash dhe ajo i mëshon idesë së mbrojtjes dhe pavarësisë së Kishës Anglikane.