PK DEMANTON ''NUK KA PASUR KAMPE TERORIZMI NE KOSOVË''

Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me lajmin e publikuar që i referohet një televizioni italian, (emisionit investigativ “Le Iene”) reportazh nga Kosova: “Në kampin e rekrutimit të ISIS-it”, lajm ky i cili mbrëmë me 26.10.2016 është publikuar edhe nga disa media/portale vendore, reagon ndaj këtij lajmi dhe shkrimeve që i dedikohen fshatit Debëllde të Kosovës dhe sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës bën me dije dhe sqaron se lajmi i publikuar nuk paraqet gjendjen reale në Republikën e Kosovës dhe se masat e ndërmarra parandaluese nga institucionet ligjzbatuese, duke përfshirë edhe arrestimin e personave të dyshuar që merreshin me rekrutim, si dhe të atyre që kanë qenë pjesë e grupeve të caktuara që ndërlidhen me terrorizmin, kanë rezultuar që sot të kemi një gjendje krejt ndryshe në aspektin pozitiv krahasuar me dy vite më parë.

Sensibilizimi apo vetëdijesimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga ana e institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, si të nivelit qendror po ashtu edhe të atij lokal, dhe shoqërisë në përgjithësi, ka ndikuar që të parandalohen rastet e tilla, të kemi një situate mjaft të mirë dhe stabile në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe fshatin Debëllde të cilës i referohet lajmi që aktualisht ka paraqitur lajmin e disa viteve të mëhershme e jo të gjendjes së tanishme.

Pra, rikonfirmojmë se situata e paraqitur në lajmin e publikuar nuk paraqet gjendjen reale të Kosovës dhe të fshatit në fjalë, në të cilin nuk kanë ekzistuar asnjëherë kampe të rekrutimit, siç paraqiten në lajmet e publikuara si vend me kampe rekrutimi të ISIS-it, por vite më parë ka pasur raste të shpërndarjes së ideologjisë fetare ndaj të cilave ka ndërmarrë veprime Policia e Kosovës.

Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt se Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit ka arritur rezultate pozitive në parandalimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që ndërlidhen me terrorizmin.

Me respekt

Zyra për Informim e PK-së

Artikulli paraprakMik në cilin shekull po jetojmë ? Që ti çdo ditë pesë herë në ditë po përkulesh
Artikulli vijuesKëta janë kandidatët e partive për kryetar të Drenasit