PKK dhe UÇK?!

TURQIA, PAN-KURDIZMI DHE SHQIPTARËT

 

Shkruan: Murat Aliu

Epistemologjia e revolucionit të xhonturqve në vitin 1908 dhe e Republikës së Turqisë në vitin 1923 është themelimi i shtetit nacional turk. Projektimi dhe themelimi i një shteti nacional- kemalizmi nënkupton përjashtimin dhe mosnjohjen e grupeve tjera etnike dhe një tendencë e vazhdueshme për asimilim kulturor dhe etnik të këtye etniteteve. Politikat etnocentrike dhe projektimi i Turqisë si shtet monoetnik që në fillim ka shkaktuar reagime të shumta  nga qarqe të ndryshme brenda shoqërisë turke. Në këtë kontekst kreyengritja e shejh Seidit në vitin 1925 llogaritet si reagimi i parë ndaj politikave laike dhe nacionalist të ideologjisë kemaliste. Pra në historiografi kjo kryengritje llogaritet si kryengritja e parë me motive nacionale kurde.

Pas shtypjes të kësaj kryengritjeje shteti turk me ideologjinë kemaliste ka vazhduar aplikimin e politikave asimiluese duke shpërfillur të drejtat kulturore dhe sociale të popullit kurd. Përndjekjet, maltertimet, burgosjet, politikat asimiluese, shtypjet  ndaj popullatës kurde kanë kanë vazhduar pothuajse gjatë gjithë kohës së Republikës. Në grupin e politikave asimiluese mund të numërohen privimi nga e drejta e ndjekjes së arsimimit në gjuhën amtare, ndalesa e përdorimit të simboleve kombëtare, ndalimi i përdorimi të shprehjes “kurd” ose “Kurdistan”, privimi nga përdorimi i mbiemrave në gjuhën amtare, shprehjen e identitetin kurd nëpër hapësirat publike, etj.

Aplikimi i politikave asimiluese dhe nacionaliste të Turqisë ndaj popullatës kurde kanë vazhduar deri në vitin 2002. Pas viti 2002, me ardhjen e AKP-së  (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) në pushtet ka ndryshuar rrënjësisht qasja e shtetit ndaj pakcave etnike dhe fetare në përgjithësi dhe të drejtave dhe lirive të njeriut në veçanti. Mund të thuhet që gjatë qeverisjes së AKP-së në Turqi është jetësuar një demokraci që ka munguar dhe janë arritur rezultate të dukshme në drejtim të çlirimit të identiteteve etnike, fetare dhe gjinore. Në këtë kontekst etniteti kurd si etniteti i dytë më i madh në Turqi, ka  mundur të realizojë disa të drejta themelore, duke filluar nga përdorimi i gjuhës amtare nëpër hapësirat publike, botimi i librave në kurdisht, hapja e kanalit televiziv nacional në gjuhën kurde, futja e kurdishtes si lëndë zgjedhore nëpër shkolla, zhvillim të barabartë ekonomik rajonal etj. Në vitin 2013 filloi i ashtuquajturi “procesi i zgjidhjes” ndërmjet PKK-së dhe shtetit të Turqisë, me të cilin parashihej njohja e disa të drejtave politike dhe kulturore të përkatësisë etnike kurde. Fatkeqësisht ky proces në korrik të vitit 2015 hasi në sabotim nga ana e PKK-së dhe automatikisht u shpall edhe fundi i këtij procesi dhe si pasojë filluan përleshjet ndërmjet forcave të sigurisë dhe militantve të PKK-së.

Ideologjia dhe strategjia e PKK-së

Pas kryengritjes së Shejh Said-it deri në vitin 1983 (atëherë kur edhe PKK de facto fillon veprimtarinë terroriste) janë paraqitur diku rreth 30 kryengritje të tjera në lindje dhe juglindje të Turqisë me motive nacionale kurde. Në fakt këtu dua të theksoj dy veçori që e karakterizojnë PKK-në, ideologjinë dhe strategjinë e saj. Marksizëm-leninizmi opourtunist gjithmonë ka qenë ideologjia zyrtare e PKK-së dhe si rezultat i kësaj PKK asnjëherë nuk ka arritur t’i mobilizojë masat e gjera në përkrahje të saj. Sepse diskursi i majtë gjithmonë ka qenë i huaj për popullatën muslimane kurde. Kurse pankurdizmi si ide, që përbën idenë themelore të kësaj organizate, ka qëllim final krijimin e shtetit të madh kurd.

Kur vijmë të strategjia, PKK gjatë gjithë kësaj peridhue të veprimit të saj në fakt ka përdorur një shtrategji të vetme; pra “dalja në mal” dhe zhvillimi i luftimeve larg popullatës cilive. Dhe në fakt kjo ka qenë ana më pozitive e saj, sepse të paktën nuk pësonte popullata civile e pafajshme. Por që prej korrikut të vitit 2015 strategjia ka ndryshuar dukshëm. sepse tani e tutje veprimtarinë është duke e zhvilluar në qytet pra bëhet fjalë për “zbritjen në qytet”.  Zbritja  në qytet është strategjia me e rrezikshme dhe antihumane e saj deri më tani. Veprimtaria e saj në mesin e popullatës civile dhe zhvillimi i luftimeve mes civilëve të pafajshëm ka dëmtuar atë si në aspketin material po ashtu edhe aspketin psikologjik. Kurse sulmet vetëvrasëse paraqesin formën më ekstreme të aplikuar deri më tani. Zbritja në qytet dhe sulmet vetëvrasëse kanë shkaktuar vëshrirësi të mëdha në luftimin e tyre nga ana e forcave të sigurisë. Sepse ndarja e saktë ndërmjet civilëve dhe militantëve është bërë shumë e vështirë. Kurse parandalimi i sulmeve vetëvrasëse është pothuajse i pamundur.

PKK dhe UÇK?!

Është parë një përpjekje te disa shqiptarë të cilët mundohen të tërheqin paralele ndërmjet çështjes kurde dhe asaj shqiptare, paralelisht me këtë edhe ndërmjet PKK-së dhe UÇK-së, që i bie të mundohen t’i arsyetojnë aktet terroriste të PKK-së. Është e vërtetë se natyra e problemit është identik, pra, të dy rastet kanë karakter etnik dhe kanë të bëjnë me një raport asimetrik ndërmjet elementit sundues dhe atij nënshtrues.

Këtu në asnjë mënyrë nuk dua ta mohoj të drejtën legjitime dhe natyrore të çdo populli për jetësimin e të gjitha llojeve të të drejtave të veta. Në parim çdo pjesëtar i etnitetit kurd ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejta të barabarta. Mirëpo pengesa kryesore në arritjen e këtij qëllimi është ideologjia marksisto-ateiste dhe strategjia apo metodat destruktive të PKK-së. Marrja peng e të rinjve kurdë dhe detyrimi me dhunë për pjesëmarrje në operacionet ushtarake; djegia dhe shkatërrimi i institucineve publike siç janë: spitalet, shkollat, xhamitë dhe gjithë ajo që simbolizon shtetin; marrja e haraçit me dhunë nga  popullata vendore, shtypjet dhe kërcënimet e ndryshme në fakt kanë delegjitimuar këtë organizatë. Thënë shkurt dhuna dhe terrori paraqesin metodën kryesore në arrtijen e qëllimit, kurse politikës po thuajse nuk i është lënë aspak vend.

Shikuar nga ky prizëm dallimi ndërmjet UÇK-së dhe PKK-së është shumë i  madh. Së pari UÇK-ja gëzonte përkrahjen e plotë të popullit shqiptar dhe si e tillë ajo konceptohej si e shenjtë të popullata, kurse një gjë të tillë nuk ndodhë me PKK-në para syve të popullatës kurde. Dallimi i dytë është akoma më i theksuar, pra metodat dhe strategjia e përdorur e UÇK-së.  Dhuna, haraçi pengu, mbjellja e frikës, kërcënimet ishin kategori ose metdota të panjohura për UÇK-në. Ndër të tjerash UÇK u njoh ndërkombëtarisht si organizatë legale, kurse PKK, gati se nga të gjithë shtetet e fuqishme botërore është shpallur si organizatë terroriste. Këto janë vetëm disa nga dallimet thelbësore që pamundësojnë të tërhiqet paralele ndërmjet PKK-së dhe UÇK-së. Aq më tepër në kohën kur kjo përpjekje për t’i krahasuar ato mund të intepretohet edhe si përkrahje dhe legjitimim i sulmeve terrotiste mbi popullatën civile në Turqi!

Artikulli paraprakImami 21 vjeçarë: Nuk më duhet përkrahja e Islamofobëve, ma bëni hallall vllezër!
Artikulli vijuesVIDEO – A janë të lejuara shtiblerja e akcioneve?