PLANI “SEKRET” I GJENERALIT CLARK PËR THËNGJILLIN E KOSOVËS

Asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk e dinë çfarë do të fitoj ose humbë Kosova me projektin e gjeneralit Wesley Clark për gazifikimin nëntokësor të qymyrit.

Në dokumentet që i ka prezantuar kompania Envidity, nuk jepet asnjë informacion për kostot dhe përfitimet ekonomike e sociale të vendit nga marrja në shfrytëzim e çerekut të territorit të vendit.

Përfaqësuesit e kompanisë së gjeneralit kanë refuzuar t’ia japin Qeverisë së Kosovës informacionet për pagesat e shfrytëzimit të qymyrit, mënyrën e tregtimit të pasurive nëntokësore e investimeve tjera.

Krejt çfarë dinë institucionet e vendit janë 30 milionë euro të prezantuara si investime në pajisjet teknologjike, të cilat shkojnë për nevoja operacionale të kompanisë.

Përveç kësaj kërkesa për leje do t’iu shkojë deputetëve pa një studim paraprak të fizibilitetit.

Në dokumentet që ka siguruar Gazeta Fjala, kompania ‘Envidity’ që udhëhiqet nga ish-gjenerali i Nato-s, Wesley Clark, ka refuzuar të jap detaje rreth projektit me arsyetimin se kjo do t’i pengonte negociatat me Qeverinë e Kosovës.

Përfaqësuesi i projektit Envidity, Jefferey Brookman, në një raport të Ministrisë se Financave për këtë projekt, është cituar të këtë thënë se ‘në këtë fazë nuk do të ishte e përshtatshme të japin informata më të detajuara sepse do të vihen në një pozitë të palakmueshme gjatë fazës se negocimit’.

‘Me fjalë të tjera, Envidity do të ishin në një pozitë të pafavorshme, ku informatat që i jipen në këtë fazë mund të përdoren si të disfavorshme në kohën e negociimit direkt me Republikën e Kosovës’.

Mirëpo, projekti që parashihet të jetë më i madhi pas luftës në këtë sektor, me një sipërfaqe për eksploatim të qymyrit prej 3 mijë kilometra katror, tashme ka kaluar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik dhe pritet t’i shkojë Kuvendit për miratim.

Komisioni kalon projektin pa studim fizibiliteti

Se cilat do të jenë përfitimet e Kosovës nga ky projekt nuk e dinë as Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, pavarësisht se Komisionin të cilin e udhëheq ai, ia ka dhënë dritën jeshile për më tej kompanisë Envidity.

Komisioni ka vendos që para vendimit mbi shfrytëzimin dhe aprovimit të projektit final të kërkojë nga qeveria një studim fizibiliteti, krahas atij që e prezenton Envidity, për të parë me detajisht përfitimet dhe kostot e këtij projekti dhe aspektet mjedisore.

“Pra këto gjëra do të shihen kur të kompletohet projekti’, ka thënë Mustafa për Gazetën Fjala.

Megjithatë projekti tashme i ka kaluar dy instanca pa studim fizibiliteti. Fillimisht Qeveria e Kosovës që e ka shtyrë përpara këtë projekt, dhe tash Komisioni i Kuvendit që ka votuar për procedurat e mëtutjeshme.

Edhe në rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik të cilat i ka siguruar Gazeta Fjala, i kërkohet qeverisë që të bëjë studim fizibiliteti ku do të definohej qartë se çka do të përfitojë ekonomia e Kosovës nga ky projekt.

‘Kuvendi të merr vendim që Qeveria të obligohet që në kuadër të procedurave të mëtejme për të negociuar zbatimin eventual të projektit të hartojë studimin e fizibilitetit për këtë projekt, i cili do të definojë qartë kostot dhe përfitimet ekonomike dhe sociale, shanset që afron projekti dhe risqet eventuale dhe mundësitë e menaxhimit të tyre, sidomos lidhur me aspektet teknologjike, mjedisore (ujrat nëntokësore etj.) dhe ato të zhvillimit urban dhe koston oportune të projektit lidhur me ridestinimin e sipërfaqeve bujqësore dhe eventualisht zhvillimin e turizmit’, thuhet në rekomandimet e Komisionit.

Projekti tejkalon kufizimet ligjore

Gazeta Fjala ka shkruar më herët se Qeveria e Kosovës ka shmangur legjislacionin në fuqi për ta shtyrë përpara projektin për gazifikimin nëntokësor të qymyrit të Kosovës nga kompania e gjeneralit Wesley K. Clark.

Kjo pavarësisht vërejtjeve të Komisionit për Miniera dhe Minerale, se projekti i kompanisë tejkalon sipërfaqen për eksploatim sic kërkohet me Ligjin për Miniera dhe Minerale.

Me këtë Ligj, asnjë kompani nuk mund të mbajë licencë të hulumtimit më shumë se 300 kilometra për katrorë, derisa projekti i kompanisë “Envidity” do t’i shkojë Kuvendit me kërkesën për sipërfaqe mbi 3 mijë kilometra.

Ndryshe, “Enviditi”, siç edhe quhet edhe kompania e gjeneralit Clark, synon ta marr çerekun e Kosovës për shfrytëzim të qymyrit nga i cili do të prodhoj gaz e energji elektrike./Gazeta Fjala/

Artikulli paraprakReperi amerikan, Kevin Gates kryen haxhin!
Artikulli vijuesDëshmia e anëtarit të FETO-s: Me betim në Kur'an kurdisnim provimet