Plani turk për zgjidhjen e krizës në Egjipt

Presidenti turk, Abdullah Gyl, ka kërkuar që presidenti egjiptian i larguar me puç ushtarak, Muhamed Mursi, të lirohet menjëherë. Ai ka ofruar një plan për ti dhënë fund procesit të tranzicionit politik, drejt një qeverie civile të zgjedhur nga populli përgjatë tetë muajve të ardhshëm.

Gazeta turke Zaman, sot ka bërë me dije se Gyl ka zhvilluar bisedime me ambasadorin e ri të Egjiptit në Ankara, me kërkesën e këtij të fundit. Gjatë takimit, Gyl u bëri thirrje autoriteteve egjiptiane që të lirojnë menjëherë presidentin Mursi.

Gjatë takimit, presidenti turk i ka ofruar ambasadorit egjiptian një plan për ti dhënë fund tranzicionit politik në Egjipt dhe për formimin e qeverisë brenda tetë muajve të ardhshme.

Sipas plan propozimit turk, qeveria e përkohshme duhet të formojë një komision prej 50 anëtarësh brenda 15 ditësh. Ky komision duhet të përbëhet nga avokatë, përfaqësues të universiteteve, unioneve dhe organizatave të shoqërisë civile. Detyra e këtij komisioni do të jetë hartimi i një kushtetute të re brenda tridhjetë ditësh, ndërkohë që e fton presidentin në referendum popullor brenda një muaji.

Qeveria do të krijojë një komision zgjedhor të pavarur dhe do të zhvilllojë zgjedhje parlamentare brenda tre muajve, me kusht që pas një muaji nga zgjedhjet, të punohet për zgjedhjet presidenciale.

Sipas gazetës, presidenti turk i ka kërkuar ambasadorit egjiptian që marrëdhëniet strategjike dhe historike mes dy vendeve, të mbeten të forta. Gyl, i është shprehur ambasadorit egjiptian se i gjithë Egjipti, konsiderohet shumë i rëndësishëm për Turqinë. Njëkohësisht, presidenti turk ka shprehur keqardhjen e tij për largimin e presidentit Mursi, duke shtuar se duhen zgjedhur rrugët demokratike për trajtimin e krizës në Egjipt.

Sakaq, negociatori për anëtarësimin e Turqisë në BE, Ixhman Bagiç, është shprehur se qëndrimi i turqisë karshi puçit ushtarak në Egjipt, është një qëndrim që buron nga bindja për jolegjitimitetin e puçeve, cilat do qofshin arsyet. Ai shtoi se qëndrimi i palëkundur dhe i guximshëm i Turqisë, e entuziazmoi popullin egjiptian, pasi ishte një qëndrim që respektonte vullnetin e milionave protestuesve në sheshin Rabia Adevije.

Bagiç tha se puçi ushtarak në Egjipt testoi kredibilitetin dhe sinqeritetin e shumë vendeve në botë, sidomos ato të BE. Ai u bëri thirrje vendeve perëndimore që të dëgjojnë zërin e miliona njerëzve të grumbulluar në sheshe dhe të reagojnë për përmirësimin e situatës.

Vlen të thuhet se Turqia humbi njërën nga pikat e saj strategjike në rajonin e Lindjes së Mesme, pas puçit ushtarak ndaj presidentit Mursi në Egjipt. Për Turqinë, Egjipti konsiderohet një vend strategjik në rajon dhe një portë e rëndësishme për të depërtuar në vendet e tjera, sidomos pas shpërthimit të krizës në Irak dhe Siri.

Administrata e re në Egjipt, me në krye presidentin Mursi, dakordoheshin me Turqinë për një sërë çështjesh të rëndësishme, duke filluar me krizën siriane, Iranin, Palestinën, madje edhe përcaktimin e kufijve ujorë që deklaroi Qiproja greke. Puçi ndaj Mursit, e detyroi Turqinë të bëjë një hap pas.

Nga ana tjetër, është Irani ai që ka shënuar “gol” këtë herë në portën e Turqisë, duke u shndërruar në një lojtar të rëndësishëm në rajon që pas largimit të Mursi. Kësaj, shtoji dhe pikët e mbështetjes më të lehtë ndaj regjimit sirian, si dhe mbështetjes së qeverisë shiite në Irak.

Një humbës tjetër nga puçi i shtetit në Egjipt, sipas mediave turke, është dhe Katari, i cili ishte një pjesë e rëndësishme e boshtit Turqi, Egjipt dhe Katar. /ao

Artikulli paraprakCila është mosha e përshtatshme për ta mësuar fëmijën të agjërojë?
Artikulli vijuesA lejohet hipnoza në Islam?