Ky është Lutfi Shabani i njohur në Durrës si “Ben Çami”, që tashmë ka rënë në pranga si organizator i trafikut të 570 kg hashash, të sekuestruar në kamionin e bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Mësohet se Ben Çami në kartelat e policisë njihet edhe me emrin Artan Shabani dhe rezulton i dënuar edhe dy herë të tjera nga Gjykata e Krimeve të Rënda brenda këtij 10 vjeçari.
Bazuar në dosjen që ABC News ka siguruar, rezulton se dënimi i parë i Ben Çamit nga kjo Gjykatë është dhënë në vitin 2007 duke dënuar me 2 vite burg. Ky dënim, i është dhënë si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me grupin e Emiljano Shullazit, të arrestuar në operacionin e koduar “Identikit”. Në dosje, thuhet se Ben Çami ka furnizuar rrjetin e drogës së Shullazit me përziërs, ku janë kapur dhe sekuestruar rreth 100 kg përziers herion. Ndërkohë grupi që drejtohej nga Shullazi, rezulton ka trafikuar rreth 150 kg heroinë nga Turqia me korrier shtetas gjerman e kroat drejt Shqipërisë ku përpunohej në një laborator droge dhe më pas ajo nisej drejt Italisë.
Por pavarësisht dënimit, Ben Çami ka vazhduar aktivitetin e trafikut të drogës, ku vetëm pak muaj pasi lë qelit e dënimit, arrestohet në rrugën Kavajë-Durrës me mbi 15 kg heroinë që dyshohej se vinte nga Maqedonia. Me arrestimin e tij, policia I vuri prangat edhe 5 bashkëpunëtorëve të tjerë shqiptar por që kishin edhe shtetesi maqedonase dhe amerikane. Ky rrjet, sipas dosjes së dënimit, ka dërguar në Itali në 4 rrugë rreth 54 kg heroinë, e cila vinte nga Turqia pas përpunimit dërgohej në Itali. Si pjesë e këtij rrjeti në shtator të 2009 Ben Çami është dënuar përfundimisht me 8 vjet burg.
Nuk jepen detaje për kohën e daljes nga burgu, por lirimi i Ben Çamit nuk ka zgjatur shumë, pasi u arrestua 2 ditë më parë në Durrës, vetëm pak orë pas bllokimit të kamionit të mbushur me 570 kg hashash në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Si pjesë e këtij rrjeti, u arrestua edhe shoferi i kamionit Eldi Zahiri dhe bashkpunëtori tjetër Janaq Kaçeli. Para prokurorit Behar Dibra, asnjëri nga të arrestuarit nuk ka pranuar të flas për drogën e ngarkuar në kamion. Ndërkohë pritet që gjatë ditës së hënë, Gjykata e Krimeve të Rënda të marr në shqyrtim kërkesën e prokurorise për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit e kamionit të mbushur me 570 kg hashash e që kishte destinacion Turqinë./ABC