(Ligjerata e fundit e karrierës sime aktive si profesor)
Të nderuar studentë të tashëm, ish studentë të mi dhe të nderuar kolegë,
Kam zgjedhur sot ta mbaj ligjëratën e fundit në karrierën time aktive si profesor në universitet dhe kam dashur që në këtë ditë ta them, si të thuash, fjalën e time të fundit, që mund të merret edhe si porosia ime e fundit për ju që jeni këtu.
Unë nuk e pandeh veten si ndonjë profet, që sot do ju thotë diçka që ju nuk e keni dëgjuar, as nuk e shoh veten si ndonjë shpëtimtar që do jua thotë ndonjë gjë që do ju shpëtojë. Thjesht, ashtu siç kam qenë gjatë gjithë karrierës sime aktive si profesor, edhe dua të dal prej këtu.
Madje, nuk kam as pretendime të larta që sot të mbaj para jush ndonjë ligjëratë me përmasa historike, për arsyen e thjeshtë se pretendime të tilla nuk kam pasur as gjatë punës sime aktive në këtë universitet.
Por, kur dëshiron ta mbash ligjëratën e fundit, doemos më udhëhiqte prirja se cilat fjalë do i zgjidhja që ta përfundoj këtë karrierë dhe kjo në të vërtetë më shumë i ngjan punës së një poeti sesa të një studiuesi. Ashtu siç arrin një poet përmes një vargu, një strofe a një poezie, të na përcjellë një mesazh që një prozatori, një filozofi ose një studiuesi do t’i duhej ta shkruante një libër të tërë, e tillë do të doja të ishte sot ligjërata ime. Një poezi me disa vargje ose me disa strofa.
Në këtë mënyrë do të më lejoni që vargun e parë të kësaj poezie ta quaj “Nuk ka rastësi, por vetëm urtësi”. Jeta më ka mësuar se, ndonëse neve disa momente të jetës na duken të rastësishme, shumë më vonë e kuptojmë se pas tyre është fshehur një urtësi, një sekret, i cili e ka mundësuar zhvillimin e një ngjarjeje. Më lejoni këtu të bëj një digresion të shkurtër. Kjo që them i ngjan rrëfimi biblik ose kuranor – si të doni merreni – me Mojsiun ose Musain, i cili derisa kthehej në Egjipt, u ndal diku rrugës dhe pa një zjarr diku. Mendoi se aty ka dikush dhe shkoi të kërkojë pak zjarr prej tij, por kur shkoi aty, e dëgjoi zërin e Perëndisë, i Cili e shpalli profet. U nis për të marrë një dritë, ndërsa përfundoi profet i Zotit. Po e përsëris se nuk kam pretendime të tilla, por rruga ime jetësore nisi me synimin që të mos bëhem zanatçi, por të bëhem mësues fshati, ndërsa Perëndia më bëri pedagog universiteti. Një fëmijë nga Greshnica në vitet e ’50-ta të shekullit të kaluar, që vinte nga një familje e varfër për kushtet e kohës, as që ëndërronte se karriera e tij do të ishte universiteti. Krejt kjo filloi kur arsimtari im i shkollës fillore më regjistroi në Shkollën Normale në Shkup dhe këtu ishte kthesa ime. Pas shkollës normale, desha ta regjistroj psikologjinë, por atëherë nuk kishte, andaj hyra në pedagogji. Aty takova po ashtu profesorë, që dukeshin si në rastësi, ndërsa kjo ishte urtësi, të cilët ishin arsyeja që unë u punësova në fakultet para se të hapej katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Ndonëse unë vazhdoja ta kem synim mësuesin në fshatin tim, përfundova këtu ku jemi sot. Kjo për mua nuk është rastësi, por një urtësi, një sekret që nuk kam si e shpjegoj ndryshe, pos me terma të metafizikës. Dhe, që të jem i sinqertë, mua Zoti më ka dhënë në jetë më shumë seç kam imagjinuar vetë. Andaj jam falënderues dhe ky ka qenë motivi im kryesor që edhe unë të jem si arsimtari i im i fillores për një nxënës ose të jem si profesorët e mi për një student që vjen prej diku si unë dikur. Që edhe unë t’i dukem atij rastësi, ndërsa ai pas një gjysmëshekulli ta kuptojë se ajo ka qenë urtësi.
Vargu i dytë i poezisë, që po e quajmë ashtu kushtimisht, është “Arsim për të gjithë”. Dhe, kjo nuk është diçka që e unë e them së pari, as që e shpik unë, por as nuk dua ta merrni si patetike. Ndonëse ne sot hedhim gurë e dru kundër ish sistemit socialist, madje edhe unë vetë kam plot arsye politike ta kundërshtoj atë, por ajo që dua ta vlerësoj dhe ta theksoj është se vetëm në atë sistem një djaloshi të varfër të Greshnicës iu mundësua të bëhej profesor universiteti. Unë dhe ju kemi të drejtë të jemi kundër atij sistemi për shkak të padrejtësive kombëtare që i kemi pësuar atëbotë, por nuk guxojmë të mos jemi mirënjohës për këtë fakt. Me ato pak kapacitete ne arritëm të ndërtojmë kuadro dhe ta mbajmë shkollën shqipe, madje të hapim edhe programe studimore në fakultete. A mund ta imagjinojmë si do të ishin shkollat tona pa Shkollën Normale dhe pa Akademinë Pedagogjike? Për këtë arsye, mund të tingëllojë jo e përshtatshme për kushtet e sotme, por unë në aspekt të arsimit do të mbetem socialist i tipit europian: do të doja që secilit fëmijë në secilin fshat të vendit t’i mundësohet arsim falas. Jam pastaj këmbëngulës që arsimi publik të jetë cilësor maksimalisht dhe të mos bëhet arsimi cilësor vetëm luks dhe vetëm mundësi e të pasurve.
Vargu i tretë i kësaj poezi do të ishte “Çfarë është e rëndësishme në jetë?!”. Kjo është një pyetje që sigurisht i ka sfiduar edhe filozofët, edhe teologët etj., por ajo që unë dua ta theksoj këtu është se karriera ime më ka mësuar se më e rëndësishme se gjithçka në jetë është sekreti i lumturisë. Ne shumë herë në jetë insistojmë në diçka dhe mendojmë se, nëse nuk bëhet ajo, ne kemi dështuar. Kur je i varfër, kënaqesh me dy kore bukë; kur të hash bukë, kërkon diçka më shumë; kur të kërkosh punë, në fillim pranon gjithçka; kur mendon se mësuesi është kulmi dhe pastaj e arrin, e sheh se as ajo nuk ka qenë diçka shumë; pastaj kërkon të bëhesh profesor dhe e arrin edhe atë dhe e sheh se përsëri as ajo nuk ka qenë diçka që do të duhej të të mahnitë. Dhe, jo që nuk është e rëndësishme të jesh zanatçi, mësues ose profesor, por e kam fjalën që më e rëndësishme se kaq në jetë është të mësohesh të jesh i lumtur me atë që e ke. Sepse, kur je mirënjohës për atë që e ke, Zoti ta hapë një derë tjetër dhe të shpie diku që nuk e ke imagjinuar. Këtë e kam provuar vetë në jetë dhe prandaj ju flas nga përvoja. Andaj, gjatë gjithë jetës nuk jam lodhur të kem vetëm arritje, sa jam angazhuar që në atë që e bëj, të gjej lumturi dhe kënaqësi.
Vargu i katërtë i kësaj poezi është “Profesioni më i mirë është i mësuesit”. Unë e di se sot janë krijuar disa profesione që paguhen shtrenjtë, siç është fjala bie menaxher, dizajner, spin doktor, PR-menaxher dhe ato janë profesione që paguhen mjaft mirë, ama unë jam i bindur se asnjëri nga këto nuk është profesion më i bekuar se mësuesi, se profesori. Sepse profesori është një profet i llojit të vet. Derisa një inxhinieri i mundësohet ta projektojë muret, një dizajneri të modelojë një pamje, profesorit shoqëria ia ka besuar qeniet njerëzore, që ai t’i modelojë ato dhe t’i bëjë së pari njerëz, pastaj të ditur, më tej profesionistë, humanë dhe qytetarë të suksesshëm të shoqërisë. Dhe, unë kujtoj se kjo detyrë është më e vështira dhe njëherazi më e shenjta. Për këtë arsye unë jam i bindur se nuk ka më mirë se të jesh profesor. Bile edhe mjeku që e shëron një pacient nuk është më i lumtur se një profesor që ka krijuar me mijëra studentë. Në duar të profesioneve të tjera është e sotmja, ndërsa në duar të mësuesit, profesorit, është e ardhmja. Sa për informacionin tuaj, nëpër duart e mia kanë kaluar jo më pak se 10.000 studentë. Dhe, nëse unë jam bërë shkak që edhe 10%-shi i tyre ta kenë pasur jetën më të lehtë dhe të lumtur pasi që kanë ndjekur orët e mia, unë sot me kënaqësinë më të madhe do ta kaloja pjesën e mbetur të jetës. Mësuesia nuk është profesion, por është mision. E dini që Jezuin në Bibël e quajnë Mësues.
Megjithatë, ndonëse i kam arritur këto përjetime dhe jam shumë i lumtur për to, kjo nuk është e tëra. Prandaj vargu im i fundit do të ishte “Bëhu njeri”. Unë e di se ka studentë që më respektojnë dhe mbase ka të tjerë që, për ndonjë arsye, nuk e kanë atë qëndrim ndaj meje. Po ashtu ka edhe kolegë e miq me qasje të ndryshme. Unë e di se ka kolegë që më duan dhe më nderojnë më shumë seç meritoj, por ka edhe të tillë që ndonjëherë mund të kenë folur edhe gjëra të pakëndshme për mua dhe ja ua them këtu, ndonëse mund t’i supozoj ndonjëherë, ndaj askujt nuk mbaj hidhërim dhe të gjithëve ua falë me gjithë zemër. Krejt karriera ime në të vërtetë ma mësoi vetëm një gjë: BËHU NJERI. Para se jesh profesor i mirë, para se të jesh shkencëtar i mirë, para se të kesh shkruar e botuar dhjetëra libra e qindra artikuj, siç i kam bërë edhe unë me modestinë time, më e rëndësishme është të jesh njeri. Zaten ky, sipas meje, është misioni jonë në jetë. Dhe, përveç kësaj, me rëndësi të jesh në jetë njeri pozitiv. Sepse, siç thotë mistiku i madh Rumi:
O njeri, ti je siç dëshiron ta shohësh veten vet,
Sa për mish e kocka, dheu do t’i tretë
Nëse mendon për lule, kopsht me lule je
Nëse mendon për gjemba, shkarpa për zjarrin je.
Jam munduar që botën ta shoh si një kopsht me lule, andaj sot – kur po e përfundoj karrierën time profesionale – ndjej në zemër një buqetë me lule.
Me gjithë punën time prej profesori, me gjithë punën time prej autori të teksteve shkollore, me gjithë punën time prej studiuesi të shkollës shqipe, me gjithë punën time si autor i abetares, krejt kjo më ka mësuar se kështu unë nuk jam bërë as profesor, as shkencëtar, as pedagog, por vetëm njeri. Dhe, kjo mendoj se është arritja më e madhe. Të gjitha ato grada kanë qenë shkallët që është dashur t’i eci që të bëhem njeri. Ndërsa qëllimi i jetës nuk qenkan shkallët, por qenka lartësia e misionit.
Do ta përfundoj ligjëratën time duke ju thënë: Ju lutem shikojeni karrierën tuaj si shkallët që ju ndihmojnë të ngjiteni diku, por kurrë mos i merrni shkallët si qëllimi i jetës suaj.
Të dashur të pranishëm, koha jonë është e kufizuar. Mua më duket si katër orë ky katërdhjetëvjeçar këtu. Nesër edhe ju do të jeni në këtë katedër. Prandaj ju lutem jetojeni çdo ditë me këtë synim. Jetojeni çdo ditë të jetës suaj sikur të jetë dita e fundit dhe ju do ta keni dëshirën që atë ditë ta lëni gjurmën tuaj më të mirë. Sepse, në të vërtetë, gjithë jeta është një ditë e bukur, që përfundon me një muzg, siç është pleqëria.
Dikush nesër do të më kujtojë për 30 e ca librat që i kam shkruar, dikush mund të më përmendë për ndonjë artikull shkencor a artikull publicistik, por unë do të jem i lumtur nëse me këtë ditë – që thamë se e quajmë jetë – jam bërë shkak që në mendjen e tij ta kem ndezur dashurinë për të vërtetën, në zemrën e tij ta kem ndezur dashurinë për njerëzoren dhe në shpirtin e tij ta kem ndezur lumturinë nga këto dyja.
Po përfundoj duke iu rikthyer edhe një herë Rumiut, mjeshtrit të madh të zbulimit të sekreteve të jetës:
Bëhu si lumi në bujari dhe ndihmë,
Bëhu si dielli në zemërgjerësi dhe mëshirë
Bëhu si nata në mbulimin e mangësive të tjetrit,
Bëhu si i vdekuri në hidhërim dhe kërcënim,
Bëhu si dheu në modesti,
Bëhu si deti në mirëkuptim,
Si do që të bëhesh,
Ose duku ashtu si je
Ose bëhu ashtu si dukesh.
Ndërsa gjeniu i shekullit të kaluar, Albert Ajshtajni, pas kësaj do të thoshte: “Vlera e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë jep e jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë.”
Unë kaq kisha t’ju jap dhe këtë jua dhashë! Dhe, si kundërvlerë, nuk dua asgjë!
Ju faleminderit dhe qofshi të bekuar!