Policia kap hakersat, që grabisnin bankat

Policia e Shtetit godet një rrjet hakerash, prej katër personash. Falë një operacioni të koduar ‘Bad boys’, të finalizuar me sukses anti-hakers të policisë është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i 2 shtetasve, mes tyre Ilir Lajthia 28 vjeç dhe Kejdi Stambollxhiu, 19 vjeç nga Elbasani. Në procedim të lirë janë lënë dy 15-vjeçar nga Laçi.
Ndalimi i tyre është bërë pasi akuzohen për vjedhje të bankave jashtë shtetit.

Hetimet nga Sektori Kundër Krimit Kompjuterik në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe Lezhë provuan se këta shtetas nëpërmjet programeve kompjuterike të ashtuquajtura “Viruse kompjuterik”, si dhe teknikave të ndryshme kompjuterike, në kohë dhe periudha të ndryshme: kanë sulmuar faqe interneti publike dhe private, kanë thyer masat mbrojtëse të llogarive bankare në Internet të klientëve të bankave të shteteve të BE dhe SHBA, duke kryer transferta të paligjshme bankare në drejtim të llogarive të poseduara prej tyre për përfitimin e shumave të parave.

Ata kanë ndërhyrë në të dhënat dhe sistemet kompjuterike të shtetasve të ndryshëm në rrjetin social “Facebook” apo rrjete të tjera kompjuterike për përfitime personale, transmeton BW.

Nga ky aktivitet kriminal, të dyshuarit kanë përfituar shuma parash që shkojnë deri në milionë euro.

Policia e Shtetit bëri të ditur se personat po hetoheshin prej 6 muajsh. Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve u janë sekuestruar : 7 sisteme kompjuterike laptop dhe desktop, 40 CD, 10 USB, si dhe 5 pajisje të tjera kompjuterike. Këto pajisje kanë shërbyer për kryerjen e veprimtarisë kriminale nga këta shtetas.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet për identifikimin e të gjithë personave të implikuar në këtë veprimtari.

Ndërkohë materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Hyrja e pautorizuar kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”. /Telegrafi/

Artikulli paraprak‘Shteti brenda shtetit’ legjitimon ndarjen e Kosovës
Artikulli vijuesNë burg pas Bajramit