Policia: Të arrestuarit në Deçan s’kanë lidhje me terrorizmin

Policia e Kosovës ka mohuar se personat e arrestuar në rrugën e Manastirit të Deçanit, kishin në plan ndonjë sulm terrorist apo sulm ndaj manastirit. Sipas tyre, katër të arrestuarit dyshohen vetëm për armëmbajtje pa leje.

Katër të dyshuarit janë arrestuar, pasi gjatë kontrollit në veturën me të cilin ishin duke udhëtuar janë gjetur dhe konfiskuar një AK/47me 20 copë fishekë, si dhe një pistoletë me 16 copë fishekë të kalibrit 9mm.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Përkundër asaj që flitet se 4 të dyshuarit, që nuk janë nga Deçani kanë pasur për qëllim ta sulmojnë Manastirin e Deçanit, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për KosovaPress se Policia e Kosovës nuk e cilëson si rast që ndërlidhet me ndonjë sulm terrorist apo ndonjë sulm ndaj Manastirit të Deçanit, përveç si rast të armëmbajtjes pa leje.

Sipas tij, hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë. Kurse, sipas burimeve të KosovaPress-it, vetura e të dyshuarave është vërejtur shumë më larg nga Policia por është ndalur në atë rrugë, si vend i përshtatshëm për Policinë.

Artikulli paraprakRritet numri i divorceve në Prizren
Artikulli vijuesPërpjekjet e OKB për zgjidhjen e krizës së Sirisë