Politikanët paguajnë për zgjerim të rrjetit në Facebook

Ndikimin e rrjeteve sociale nuk po e lënë pa e shfrytëzuar politikanët kosovarë.

Tani e një kohë, disa prej tyre kanë filluar të paguajnë që faqet e tyre personale të kenë më shumë pëlqime në Facebook, e ndjekës në Twitter.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që është ndër politikanët me më së shumti pëlqime në Facebook, mirëmbajtjen e faqes së tij personale ua ka besuar një grupi të të rinjve, derisa jo rrallë herë poston vet.
Sipas zëdhënësit të Pacollit, Jetlir Zymberaj, shpërndarja e faqes nëpërmjet formës së sponsorizimit ka filluar së voni, ndërsa bëhet me mjete financiare të vet zëvendëskryeministrit.
Ndërsa, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, llogarinë e tij në Facebook edhe atë në Twitter e mirëmban vet, e ndonjëherë ndihmohet edhe nga këshilltarët e tij ose kabineti.
Të paktën, kështu thotë Artan Behrami, zëdhënës i ministrisë, i cili megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së se kush paguan që ajo të shpërndahet përmes sponsorizimit.
Hoxhaj mbetet larg Pacollit për nga numri i pëlqimeve në Facebook, me vetëm 24 mijë të tilla, derisa Pacolli ka afër 123 mijë.
Faqen të sponsorizuar në Facebook e ka edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila thotë se kryesisht e mirëmban vet, por nuk di se sa paguhet për të.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e shpërndan faqen e tij në këtë mënyrë, derisa postimet e tij janë mjaft të pranishme në faqet e përdoruesve shqipfolës, pavarësisht nëse e keni pëlqyer apo jo.
E për shpërndarjen e faqeve në këtë mënyrë që për synim ka edhe rritjen e numrit të pëlqimeve, paguhet nga 1 deri në 100 euro në muaj.
Me 1 euro, faqja juaj mund të shpërndahet te 10 mijë përdorues, 1 herë brenda një muaji, e me rreth 100 euro në muaj, ajo mund të shpërndahet te 200 mijë përdorues, deri 60 herë brenda një muaji të vetëm.
Faqet e sponsorizuara u shtuan dukshëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, që sigurisht do të kenë edhe një valë tjetër në zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen në këtë vit. /Ind/kohaislame

Artikulli paraprakArrestohet i dyshuari që festoi me kallash
Artikulli vijuesDisa shenja që sinjalizojnë për sëmundjen e kancerit