Posta e Kosovës do të ofrojë edhe një shërbim të ri, që ju mundëson të gjithë qytetarëve por edhe bizneseve të blejnë dhe të shesin mallra online.
Platforma e shërbimit e-commerce, për ndërtimin e të cilit është punuar shumë nga ekspertë të Postës së Kosovës dhe të Postës Turke do të lansohet për shfrytëzim pas një testi një javor.
Ky projekt është realizuar duke ju falënderuar mbështetjes nga Posta Turke me të cilën Posta e Kosovës ka një bashkëpunim të ngushtë.
Marrëveshja që finalizon këtë platformë është nënshkruar këtë javë në Ankara nga Shefi Ekzekutiv, Sejdi Hoxha si dhe Drejtori i Përgjithshëm e Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Postës Turke (PTT), Kenan Bozgeyik.
Marrëveshjen e ka nënshkruar edhe ministri i Qeverisë Turke për Transport, Çështje Detare dhe Komunikim, Ahmet Arslan.
Ai ka përgëzuar të dy drejtorët për këtë projekt dhe i ka inkurajuar që të zgjerojnë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera të interesit të ndërsjellë.
Shefi i Postës së Kosovës, Hoxha është shprehur i kënaqur që janë tejkaluar të gjitha sfidat teknike për lansimin e këtij shërbimi. Ai ka theksuar se përveç qytetarëve nga kjo platformë do të përfitojnë edhe bizneset dhe prodhuesit kosovarë sepse mund t’i ofrojnë mallrat e tyre për shitje online.
“Ky është vetëm fillimi i zhvillimit të shërbimit e-ccommerce nga ana e Postës së Kosovës. Ne do të ofrojmë edhe produkte dhe risi tjera në këtë fushë”, ka deklaruar Hoxha.
Të gjithë të interesuarit mund ta shfrytëzojnë këtë platformë në domenin postamall.com, që së shpejti do të vendoset në faqen zyrtare të Postës në internet.
Të gjitha produktet që blihen përmes këtij shërbimi, Posta e Kosovës do t’i transportojë në kohën më të shkurtër në adresën e përcaktuar nga konsumatori.
Në këtë vizitë në Ankara kanë marrë pjesë edhe Drejtori i Bordit të Drejtorëve të Postës, Rushan Ceka, drejtorët Bashkim Mustafa, Xhevdet Smakiqi dhe Burim Geci si dhe menaxheri rajonal i Postës në Gjilan, Artan Qerimi.
Gjatë kësaj vizite në Ankara me Postën Turke janë diskutuar edhe një varg temash tjera të rëndësishme: logjistika dhe infrastruktura postare, asistenca reciproke në fusha të ndryshme, trajnimet, modeli i Post Bankës Turke, përkrahja për përfshirje në sistemin IPS si dhe në anëtarësimin në Bashkimin Universal të Postave UPU, që është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara.
***
Posta e Kosovës, ka vite që është duke kërkuar të drejtën e saj ligjore nga Qeveria e Kosovës për të kryer shërbimin e shpërndarjes për skema sociale. Mirëpo, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi Punë e Mirëqenie Sociale, ministri i Punës, Arban Abrashi, tha se nuk mund t’i besojmë këtij institucioni sepse ka dyshime për keqpërdorime.
Por, këto pohime e kanë habitur shefin ekzekutiv të postës Sejdi Hoxha. Ai shtroi pyetjen se si nuk mund t’i besohet një institucioni publik, kurse i besohet një banke private, duke shtuar se Posta i plotëson të gjitha kushtet ligjore për një shërbim të tillë.
“Kemi parashtrua kërkesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për kriterin diskriminues i cili iu ka dhënë hapësirë vetëm bankave dhe pas shqyrtimit paneli shqyrtues i prokurimit ka nxjerr vendim duke i anulua procedurat e tenderimit.”
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, megjithatë tha se është formua një grup punues që do të merret me këtë rast dhe se ende vazhdon të ketë dyshime për keqpërdorime.
“Janë akuzua aksionaret e asaj banke dhe kësaj banke duke aludua se unë kamë lidhje me ta. Do të thotë aq larg janë shkua sulmet,po kurrë s’iu kamë përgjigjur publikisht se s’është ideja me bë një debat publik për dy institucione.”
Shumë nga përfituesit e skemave sociale nuk kanë as xhirollogari bankare, andaj nëse ata nuk e bëjnë tërheqjen e mjeteve brenda dy dite, ato i humbin. Ndërsa nese këtë tender do ta fitonte Posta e Kosovës ky afat do të ishte deri në gjashtë muaj, tha shefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.
***
Situata politike në Turqi, nuk kanë ndikuar që të ulet importi i mallrave turke në Kosovë. Nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket shkëmbimeve tregtare, ka thënë drejtori i doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Kemi mallra që importohen nga Turqia dhe nuk kemi vërejtur ndonjë rënie në importimin e mallrave nga Turqia në Kosovë. Asnjë importues dhe eksportues nuk është paraqit pranë Doganës me ankesë ose kërkesë që nuk po munden të eksportojnë mallrat në Republikën e Turqisë”, tha Rafuna.
Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për katër muajt e parë të këtij viti, nga Turqia janë importuar mallra prej 11.1 % të totalit të importeve në Kosovë.
***
Mos-miratimi i Ligjit për investime strategjike në Parlamentin e Kosovës, ka bërë që të dështojë investimi i një kompanie amerikane e cila do të krijonte 500 vende të reja pune. Kështu ka thënë drejtori i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Aran Zeka.
“Ka pasur një kompani amerikane e cila synon që të krijojë 500 vende të punës, të hapë një qendër të thirrjeve, ka pasur takime qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivel komunal me Komunën e Prishtinës. Por ajo që ne kemi promovuar ka qenë që të presin edhe pak që të hyjë në fuqi ligji për investime strategjike dhe që të përfitojnë nga dhënia e qoftë tokave në shfrytëzim ose hapësirave që tashmë janë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore, meqenëse këto kanë qenë disa prej lehtësirave të cilat janë paraparë me projekt-ligjin për investime strategjike”, tha Zeka.
Por pritja u tregua e kotë, pasi projektligji në fjalë nuk kaloi në Kuvend. Zeka shprehet i zhgënjyer nga ky zhvillim.
“Edhe ka qenë fatkeqësi kur kompania ndoshta para dy jave na shkruan, na pyet se a është miratuar Ligji për investime strategjike, për shkak se ndoshta nga një optimizëm i tepruar pritja ime ka qenë se Ligji do të kalojë para se deputetët të shkojnë në pushim veror”, u shpreh Zeka.
Këto komente, drejtori Zeka i bëri në një konferencë të përbashkët për media, me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili poashtu shprehu rëndësinë e miratimit të ligjit në fjalë.
“Edhe për ne ka qenë i pakuptimtë, mos-kalimi ose mos-votimi i Ligjit për Investime Strategjike, i cili ka qenë një kërkesë e kamotshme e komunitetit të biznesit”, tha Gerxhaliu.
Të dy drejtuesit e Odave Ekonomike, u shprehën se për ligjet të cilat kanë për synim zhvillimin ekonomik të vendit deputetët të jenë më unikë. Rikthimin në Kuvend të projektligjit për investime strategjike, e ka paralajmëruar së fundi kryeministri i vendit Isa Mustafa.
***
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH) ka filluar bashkëpunimin me bankën NLB Prishtina duke mbështetur me një kredi prej 5 milionë euro në kuadër të programit për lehtësimin e tregut të BERZH-it. Marrëveshje me Berzh ka nënshkruar edhe BpB, për kredi në vlerë prej 1 milion euro.
Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim Suma Chakrabarti qëndroi në Prishtinë. Në kuadër të shumë aktiviteteve e takimeve, ai në fillim ka nënshkruar dy marrëveshje me dy banka komerciale në vend. Marrëveshja me NLB-Prishtina ka të bëjë me përdorimin e programit për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tregtimin financiar përtej kufijve të vendit. Suma Chakrabarti tha se integrimi ekonomik përtej kufijve është njëra ndër strategjitë prioritare të BERZH-it.
Albert Lumezi kryetar i bordit të NLB-Prishtina tha se kjo marrëveshje do të jep mundësi për të bashkëpunuar me shumë banka korrespondente, të cilat do t’iu mundësojnë klientëve të fitojnë ekspertizë në tregje të reja dhe të ndërtojnë marrëdhënie me homologët e tyre në mbarë boten. Përveç linjës së kredisë prej 5 milion euro për financim të tregut, programi për lehtësimin e tregut nga BERZH-i do ti ofroj NLB Bankës asistencë teknike dhe trajtim të avancuar.
Ndërkaq, BpB dhe Berzh-i kanë nënshkruar marrëveshje biznesi për kredi 1 milion euro, e cila ka për qëllim programin për energji të ri-përsëritshme dhe efiçiencë të energjisë. Arton Celina kryeshef i BpB-së tha se Banka ka për fokus zhvillimin e programit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
***
Republika e Kosovës si dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) do të vazhdojnë bashkëpunimin financiar për impementimin e projekteve të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo është bërë e ditur pas takimit në Prishtinë të ministrit të Financave Avdullah Hoti me presidentin e BERZh-it Suma Chakrabarti.
Ministri Avdullah Hoti tha se presidenti Chakrabarti shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Agjendën zhvillimore të qeverisë së Kosovës.
“Kemi përgatit një strategji zhvillimore afatgjate edhe diskutuam idenë që të koordinohemi plotësisht në adresimin e sfidave zhvillimore dhe në financimin e projekteve që pritet të implementohen në të ardhmen”, tha Hoti.
BERZh deri tani ka financuar shumë projekte në Kosovë, që kanë arritur vlerën e mbi 200 milionë eurosh. Ministri Hoti po ashtu tha se ka kërkuar financimin e më shumë projekteve në sektorin privat.
“Besoj që presidenti do të ketë parasysh në mbështetjen që pritet ti jepet Kosovës në të ardhmen nga Berzhi dhe përmes strategjisë për mbështetjen e vendit që besoj se do të miratohet nga bordi i EBRD (BERZH), diku në vjeshtë të këtij viti”, u shpreh ministri.
Kurse presidenti i Bankës Europiane, indiani Chakrabarti, tha se shpreson të miratohet strategjia në fjalë.
“Strategjia e re për shtetin e Kosovës, është në linjë me prioritetet dhe strategjinë e qeverisë së Kosovës”, tha ai.
Presidenti i BERZh-it, Chakrabarti, është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaci, pas të cilit nuk kishte prononcim për media.
***
Ligji për faljen e borxheve i Qeverisë së Kosovës nuk ka dhënë efektet e duhura. Organizatat joqeveritare në vend, kërkojnë që ky afat i ligjit, i cili skadon me 3 shtator, të shtyhet, por kjo shtyrje të bëhet me disa ndryshime, që t’u mundësohet edhe më tej falja e borxheve.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale me temën për zbatimin e ligjit për faljen e borxheve publike, “Çka pas 3 shtatorit?”.
Agim Dibrani, kryetari i Komisionit për faljen e borxheve, përkundër asaj që ka pak rezultate në këtë drejtim, është optimist se kampanja do të ketë sukses.
Por, pas skadimit të këtij ligji, pra prej datës 4 shtator, drejtor i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi, thotë se qeveria nuk ka shumë alternativë. Ai thotë se shtyrja e afatit edhe për tre muaj apo deri në fillimin e vitit të ri fiskal, do të ishte njëra nga mundësitë, por kjo do të duhej të bëhej me disa ndryshime.
Ndryshe, në gjetjet e STRAS, tregohet se deri më tani janë falur 30.6% e borxhit, apo 112 milionë euro, deri sa pa trajtuar kanë mbetur 253.5 milionë euro, ndërsa borxhi i periudhës 2009-2014 është 235.6 milionë euro, ndërsa të paguara janë 75.5 milionë euro ose 32% e tij.
***
Drejtues të Fondit për Sigurimin e Depozitave të Kosovës prezantuan raportin vjetor për vitin 2015. Marrëveshja me BERZH për zhvillimin dhe implementimin e sistemit të kompensimit të depozitarëve është në vlerë prej mbi 250 mijë euro me bashkëfinancim nga Fondi për Sigurimin e Depozitave. Kështu theksoi kryesuesja e Bordit Menaxhues të FSDK, Shkendije Hima. Ajo tregoi për rritjen e nivelit të limitit të sigurimit të depozitave në 4 mijë euro nga 1 janari i këtij viti, si dhe rritjen e vazhdueshme të totalit të depozitave të siguruara, që sipas saj, tregon besim të vazhdueshëm publik në sektorin bankar të Kosovës.
Hima tha se në fund të vitit 2015, totali i depozitave ka arrit në dy e gjysmë miliardë euro.
Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka vlerësuar lart mbështetjen e FSDK nga ana e BERZH dhe premtoi se ky fond do të ketë mbështetjen e vazhdueshme edhe nga Qeveria e Kosovës.
Edhe përfaqësues të BQK theksuan se marrëveshja me BERZh mundëson Fondin të menaxhojë depozitat edhe më suksesshëm. Sipas këtij Fondi, niveli i limitit të depozitave nga viti 2018 do të rritet në vlerë prej 5 mijë euro.
– Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI –