Nga Abdullah bin ‘Amr bin El-‘Asi (radijAllahu anhuma) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet se prej mëkateve më të mëdha është që njeriu të mallkojë prindërit e vet.” Njëri nga të pranishmit tha: “O i Dërguar i Allahut! Si ka mundësi që njeriu të mallkojë prindërit e vet?” Ai tha: “E shan babanë e tjetrit dhe ky e shan babanë dhe nënën e tij.” (Buhāriu nr. 5628, Muslimi nr. 90 dhe Tirmidhiu, nr. 1902).
Pra, kur njeriu e shan babanë apo nënën e dikujt dhe ky pastaj ia kthen duke e sharë babanë apo nënën e tij, atëherë sikur i pari e ka sharë babanë apo nënën e vet, ngaqë është bërë shkak për sharjen e tyre. Hafëz ibën Haxher El-‘Askalānij në “Fet’hul-Bārī sherh Sahīhul-Buhari” thotë: “Ajo çfarë përmendet në këtë hadith është një pjesë prej sjelljes së keqe me prindërit.
“O i Dërguar i Allahut! Si ka mundësi që njeriu të mallkojë prindërit e vet?”: Kjo është shprehje e habisë nga pyetësi, ngaqë natyra e shëndoshë e refuzon një gjë të tillë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sqaroi se, edhe nëse në shumicën e rasteve ai nuk e bën vet një gjë të tillë, ka mundësi që të bëhet shkak për fyerjen e tyre; dhe kjo është prej gjërave që mund të ndodhin shpesh. Ibën Bettāli thotë: “Ky hadith merret si bazë/parim për pengimin e rrugëve që çojnë drejt gjërave të ndaluara. Po ashtu prej tij përfitohet se: nëse vepra e dikujt shpie në haram, atëherë atij i ndalohet ajo vepër, edhe nëse nuk e ka për qëllim gjënë e ndaluar.
Ndërsa El-Māuerdij nga ky hadith ka dal në përfundim se ndalohet shitja e rrobës së mëndafshit për burrin që dihet sigurt se e vesh atë, dhe e rrushit/lëngut për atë njeri që dihet sigurt se e kthen atë në alkool. Shejh Ebū Muhamed bin Ebī Xhemre thotë: “Hadithi është argument për të drejtën e madhe që e gëzojnë prindërit.”