Premtohen investime dhe shërbime më efikase në QKUK

Gjatë këtij viti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të ketë shërbime të reja për pacientët në nevojë. Investime do të ketë edhe në aparaturë mjekësore e renovim të klinikave.

Operacionet në zemër të hapur dhe rrezatimi kurativ do të jenë të mundshme gjatë këtij viti edhe në sektorin publik, premton Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Sipas tij, Kardiokirurgjia dhe Instituti i Onkologjisë janë dy projekte të cilat do të funksionalizohen në tërësi.

“Ajo që pritet gjatë viti 2013 të ndodh është që të funksionalizohen shërbimet e reja të Kardiokirurgjisë, pra shërbimet terapeutike në Institutin Onkologjik. Më pastaj do të vazhdojmë të investojmë në realizimin e një performancë më të mirë brenda QKUK- së. Natyrisht do ta përmirësojmë furnizimin me barna dhe material shpenzues me mbi 3 milion”, tha Agani për Radio Kosovën.

Një projekt tjetër brenda Qendrës Klinike Universitare që do të nis gjatë këtij viti është ai i ambulancave specialistike. Do të demolohen barakat dhe do të ndërtohet objekti i ri për këto shërbime.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu tha se për këtë projekt janë ndarë 1 milion euro.

“Rreth 1 milion do të investohen në ndërtimin e ndërtesës së re për ambulancat specialistike, pasi që deri më tani ambulancat specialistike veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në kushte jo shumë të favorshme për punë, në baraka që nuk i kanë plotësuar kushtet”, theksoi ai.

QKUK në tërësi do të ketë rreth 6 milion euro vetëm për investime duke përfshirë këtu edhe renovimin e disa klinikave, aparaturën mjekësore dhe mirëmbajtjen e saj.

Artikulli paraprakZharku ndodhet në Suedi
Artikulli vijuesGjakovë: Përfundoi protesta në hyrje të Kishës Ortodokse