President nga Populli apo nga Parlamenti?

Anjeza Xhaferraj
Zgjedhja e presidentit nga populli nuk do të sillte asnjë ndryshim cilësor në politikën tonë dhe në funksionimin e demokracisë. Xhaferraj bën një analizë të thukët të këtij debati që ka lindur këto ditë pas propozimit të deputetit Blushi.
Së fundmi u bë e ditur nisma e deputetit Blushi për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Sipas Blushit dhe deputeteve të tjerë që i janë bashkangjitur kësaj nisme, praktika aktuale ia njeh të drejtën partive të vendosin për presidentin e vendit dhe jo qytetarëve ‘të cilëve iu mohohet e drejta të zgjedhin me votë direkte Presidentin e Republikës, siç bëjnë shumë popuj të tjerë’. Në këtë mënyrë presidenti, po sipas Blushit, kthehet në një figurë të dobët dhe të varur nga shumica parlamentare, duke bërë kështu që presidenti të mos jetë një institucion mbi palët dhe jashtë palëve. Duke ndryshuar nenin 88 të Kushtetuës në favor të zgjedhjes së presidentit nga populli, Shqipëria nuk do të vuajë më nga vendimet dhe marrëveshjet e partive politike të cilat, përkundër asaj që duhet, nuk kanë prodhuar në këto vite më shumë demokraci, mirëqenie apo integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Sërish sipas Blushit, kushtetuta aktuale iu lejon partive të jenë mbi popullin dhe vendimet e tyre nuk konsultohen dhe ndaj tyre nuk mund të ankimohesh. Me pak fjalë zgjedhja e presidentit nga populli do t’iu jepte zgjidhje këtyre problemeve: demokracisë defiçente, nivelit të ulët të mirëqenies, hapave të ngadaltë të integrimit në BE dhe marrëveshjeve të partive që qëndrojnë mbi palët dhe jashtë palëve (çfarë do qe të ketë parasysh me këtë), edhe pse nuk kuptohet se ç’lidhje ka një president i fortë, mbi palët dhe jashtë palëve me të gjitha këto problematika.
Po a ndodh vërtet kështu? A i zgjidh dot këtë probleme zgjedhja e presidentit nga populli? Nisma gjithashtu nuk na tregon neve se cili do të jetë më pas roli i partive politike dhe në ç’raporte do të jenë ato me presidentin? Po roli i kryeministrit? Po kështu nuk na sqaron nëse do të jetë republikë parlamentare apo gjysmë-presidenciale? Sisteme të ndryshme kanë tipare të ndryshme, andaj para se të shkohet në referendum, është e rëndësishme që njerëzit (por edhe nismëtarët) të jenë të mirëinformuar, në mënyrë që të mos ketë thirrje më pas për një referendum të dytë, siç po ndodh gjetiu.
Sigurisht që në peticion thuhet se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një Republikë Parlamentare, pavarësisht nga forma e zgjedhjes së Presidentit, por më pas na serviren si shembuj, rasti i SHBA-së (ky quhet sistem presidencial dhe jo parlamentar), rasti i Francës (quhet sistem semi-presidencial), rasti i Brazilit (sërish sistem presidencial) e kështu me radhë. Pra sistemet ku presidenti zgjidhet nga populli quhen presidenciale ose semi-presidenciale dhe jo parlamentare, andaj që këtu peticioni ka një gabim në mënyrën se si serviret.
Tashmë që u sqaruan edhe konceptet, (sistemit të propozuar nga Blushi do t’i referohemi këtej e tutje si sistem presidencial, ose semi-presidencial) është e rëndësishme të kuptohen karakteristikat e sistemeve të ndryshme për të parë se ku ndryshojnë, ç’është e dëshirueshme prej tyre dhe ç’është e udhës të evitohet.
Përgjithësisht, një sistem presidencial krijon një president të fortë dhe një kryeministër të dobët, përkundër atij parlamentar i cili ka një ekzekutiv të dyfishtë: një kre shteti simbolik dhe ceremonial (një monark ose president) i cili ka pushtet të vogël dhe një kryeministër i cili është në krye të qeverisë dhe që së bashku me kabinetin ushtron pjesën më të madhe të pushtetit ekzekutiv. Rregulli normal në sistemet presidenciale është që presidenti është paralelisht kreu i shtetit dhe kreu i qeverisë.
Po ç’implikime sjell fortësia ose jo e presidentit vs. kryeministrit të një vendi. Ka në fakt një lidhje inverse ndërmjet pushtetit të udhëheqësve të partisë dhe pushtetit të ekzekutivit. Sistemet parlamentare përgjithësisht prodhojnë parti të forta, ndërsa sistemet presidenciale përgjithësisht prodhojnë parti të dobëta. Përgjithësisht presidencializmi njihet si sistemi ku fituesi merr gjithçka dhe atje ku fituesi merr gjithçka, nuk është e udhës – siç thonë anglezët – ‘t’i vësh të gjitha vezët në një shportë’.
Problematika tjetër e sistemit presidencial është se presidenti dhe asambleja kanë pretendime konkuruese mbi legjitimitetin. Të dy janë të përgjedhur prej popullit, dhe origjina dhe mbijetesa e secilit janë të pavarura prej njëri-tjetrit; duke qenë se si presidenti ashtu edhe legjislatura “e marrin pushtetin e tyre prej votës së popullit në një konkurrim të lirë ndërmjet alternativash të mirë-përcaktuara, konflikti është gjithmonë latent (i pritshëm) dhe ndonjëherë i gatshëm të shpërthejë dramatikisht; nuk ka asnjë parim demokratik për ta zgjidhur atë. Situata ndryshon në sistemin parlamentar, i cili e parandalon këtë problem sepse ekzekutivi nuk është i pavarur prej parlamentit. Në rast se shumica e parlamentit është pro ndryshimit të drejtimit të një politike, ajo mund ta ndryshojë qeverinë duke ushtruar votën e mosbesimit. Një problem tjetër është ajo që ka të bëjë me periudhën fikse të postit të presidentit, e cila shkakon një ngurtësi që është më pak e favorshme ndaj demokracië sesa fleksibiliteti i sistemeve parlamentare, ku qeveria është në varësi të votëbesimit të vazhdueshëm të parlamentit. Kështu për shkak të aftësisë së tyre më të madhe për të promovuar ndryshime në kabinet dhe qeverisje, sistemet parlamentare ofrojnë mundësi më të mëdha për të zgjidhur mosmarrëveshje. Kjo valvulë sigurimi mund të rrisë stabilitetin e regjimit. Për më tëpër presidencializmi ndërfut një element të fortë zero-sum game në politikë me rregulla që tentojnë drejt ‘fituesi merr gjithçka’. Për kontrast, në sistemet parlamentare ‘ndarja e pushtetit dhe formimi i koalicionit janë të zakonshme, dhe ata që janë në postet zyrtare janë të kujdesshëm ndaj kërkesave dhe interesave edhe të partive më të vogla”. Në sistemet presidenciale, zgjedhjet e drejtpërdrejta popullore ka të ngjarë të krijojnë presidentë me ndjesinë se ata nuk e kanë të nevojshëm të kalojnë në procesin e ndërtimit të koalicionit dhe të të lëshuarit koncesione opozitës. Po kështu, stili i politikës presidenciale është më pak i favorshëm për demokracinë sesa stili i politikës parlamentare. Ndjenja e të qenit përfaqësues i të gjithë kombit mund t’i çojë presidentët të jenë më pak të favorshëm ndaj demokracisë sesa stili i politikës parlamentare. Së fundmi, të huaj jashtë sistemit politik ka më shumë gjasa të fitojnë postin e shefit ekzekutiv në sistemet presidenciale, me mundësinë për të sjellë pasoja destabilizuese. Individët e zgjedhur nga vota e drejtpërdrejtë popullore janë më pak të varur prej partive politike. Individë të tillë ka më shumë gjasa të qeverisin në një mënyrë populiste dhe anti-institucionale.
Për të gjitha këto që u thanë më sipër, mendoj se zgjedhja e presidentit nga populli nuk do të sillte përmirësime në nivelin e demokracisë shqiptare, përkundrazi do ta cënonte edhe më shumë atë, andaj sistemi parlamentar mbetet mënyra më e mirë, ose gjithsesi më pak e dëmshme e funksionimit të shtetit në Shqipëri.
*pedagoge UET

Artikulli paraprakHistoriani turk kërkon falje për fyerjen e Skënderbeut
Artikulli vijuesCilin shtet ende se ka sulmuar DAESH?