Xhamia e Bashkësisë Islame Baltimore në Maryland të SHBA-së ditën e nesërme do të presë për vizitën e parë në një xhami në SHBA presidentin amerikan Barack Obama, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti amerikan Barack Obama gjatë detyrës 8 vjeçare të tij presidenciale në SHBA do të vizitojë për herë të parë një xhami. Shtëpia e Bardhë në ditët e kaluara pati bërë një deklaratë zyrtare në lidhje me vizitën në xhaminë e Bashkësisë Islame të Baltimore-s.
Ndër të tjera mësohet se ditën e nesërme gjatë vizitës presidenti Obama do të mbajë edhe një fjalim.
Ndërsa Ibrahim Hooper zëdhënësi për mediat i Këshillit Amerikano-Islamik, një prej institucioneve më të mëdha të shoqërisë civile i cili mbledh së bashku muslimanët në SHBA, në një deklaratë tha: “Kemi kënaqësinë e madhe që presidenti Obama viziton një xhami në Amerikë. Ne prej vitesh e kemi kërkuar këtë. Ndoshta kjo do të bartë edhe cilësinë si një përgjigje ndaj islamofobisë e cila në SHBA kohët e fundit është në rritje”.
Bashkësia Islame Baltimore u krijua në vitin 1969, ndërsa në vendin ku ajo ndodhet sot u transferua në vitin 1982 dhe pas kësaj pati ndërtuar “xhaminë Rahman”.
Kompleksi i cili u zgjerua në vitet 1987 dhe 1997 njihet si një prej qendrave më të vjetra që i shërben muslimanëve, ku në këtë qendër krahas mësimeve në arabisht dhe në gjuhën urdu jepet shërbim edhe në mësimin e Kuranit dhe kopsht për fëmijë.