Presidenti mund të zgjidhet të hënën

Përgatitjet për thirrjen e seancës së parë të Kuvendit të Kosovës janë në përfundim e sipër dhe ajo mund të mbahet të hënën më 15 shkurt.

Kështu i ka thënë një burimi i besueshëm Radio Kosovës brenda koalicionit qeveritar.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi do të ketë të dielën një takim me sekretarin amerikan të shtetit John Kerry në Tiranë dhe dita më e përshtatshme për zgjedhjen e presidentit është 15 shkurti, pasi të martën dhe të mërkurën do të zhvillohet aktivitet festive për tetëvjetorin e pavarësisë.

Burimi i njëjtë megjithatë, nuk ka përjashtuar mundësinë që seanca të mbahet nesër apo edhe të dielën.

Ndërkohë, kryetari Kadri Veseli ka thënë se presidenti i ardhshëm i vendit do të zgjidhet shumë shpejt, duke mos dashur që të jap një datë të caktuar nëse kjo do të bëhet para ose pas protestës së 17 shkurtit.

Sa i përket këtij procesi, Veseli ka thënë se çdo element i tij do të jetë në pajtim me ligjin e Kushtetutën.

Këto komente, shefi i Kuvendit i bëri pas takimit që pati me drejtuesit e Agjencisë Kosovare e Privatizimit.

Artikulli paraprakPërgjegjësia e intelektualit
Artikulli vijuesIsh-gjenerali gjerman lavdëron Rusinë për ndërhyrjen në Siri