Problemi i përçarjes dhe i vetëdijes në botën islame

Viteve të fundit, bota islame në përgjithësi dhe Lindja e Mesme në veçanti po bëhen skenë e zhvillimeve shumë të hidhura.

Sidomos në Siri, Irak, Libi dhe Jemen, vende këto që janë përfshirë nga vorbullat e luftës civile, vihet re një prirje e theksuar dhe jashtëzakonisht serioze përçarjeje dhe copëtimi. Lufta civile siriane rrezikon jo pak që ta copëtojë vendin në zona të kontrolluara nga grupet luftuese dhe në të tjera nën kontrollin e shtetit. Iraku gjendet “de fakto” përballë kanosjes së copëtimit në tri pjesë; veri, qendër dhe jug. Në Libi vijojnë ende mosmarrëveshjet, përçarjet dhe luftimet, që u përshkallëzuan vrullshëm ndërmjet regjimit dhe opozitës pas vdekjes së Kaddafit. Në Jemen, zonat e kontrolluara nga qeveria qendrore dhe ato nën sundimin e rebelëve huthi janë faktikisht të ndara nga njëra-tjetra. Kurse në fatin e keq të Palestinës së copëtuar nuk ka asnjë ndryshim. Tabloja në fjalë jo vetëm që shkakton kaos në rajon, por njëherësh, nëse nuk arrihet dot zgjidhja, paraqet mundësinë e copëtimit në minishtete të reja “të atomizuara”.

Kur në të vërtetë, deri në shekullin e 20-të, vendet në fjalë dhe shumë të tjera të botës islame ishin hapësira gjeografike të integruara për mrekulli në perandori kolosale si ajo umajade, abaside, selxhuke dhe osmane. Shoqëritë, të cilat kanë bashkëjetuar brenda këtyre perandorive, në fillim të shekullit të 20-të u ndanë në shtetkombe sovrane; ndërsa në këtë dekadë të dytë të qindvjeçarit të 21-të mund të copëtohen në vende të vogla, siç ishin qytetshtetet e antikitetit. Ky rezultat nënkupton vizatimin e kufijve të rinj dhe shpërthimin e luftërave të reja për ekuilibrin e fuqive në rajon.

Si duhet të komentohet kjo tendencë copëtimi, që mund të nisë edhe në vende të tjera myslimane? Cili është mësimi, që duhet të nxirret nga kjo tablo? Këtyre pyetjeve mund t’u jepen dy përgjigje, njëra pesimiste dhe tjera optimiste. Përgjigjja pesimiste është: Hapësira gjeografike islame mund të përballet me luftëra dhe kaos, që do të vazhdojnë për dhjetëra vite me radhë; ashtu si në Evropën e shekujve të 17-të dhe të 18-të. Periudhat kaotike, të njohura gjerësisht në historinë botërore si Lufta Tridhjetëvjeçare dhe Lufta Qindvjeçare, tashmë mund të sundojnë botën islame. Nëse tabloja e sotme do të shikohej si një zgjatim i luftërave të viteve 1970 në Liban dhe të viteve 1980 ndërmjet Iranit e Irakut, atëherë realisht mund thuhet se rajoni është në luftë prej tashmë 40 vitesh.

Pesimizmi në fjalë vjen njëherazi si pasojë e mungesës së një përpjekjeje serioze për zgjidhjen e problemeve të përçarjes dhe copëtimit. Fatkeqësisht, sot nuk ka në dukje ndonjë dritë shprese për shpëtimin e vendeve islame nga kjo shtjellë gjëmëmadhe. Ide të reja për zgjidhjen e problemeve të rajonit nuk po parashtrohen as nga liderët aktualë, as nga ekspertët akademikë, as nga intelektualët dhe as nga të tjerë. Propozimet për bashkëpunim ekonomiko-politik dhe integrim rajonal, që dikur bëheshin nga disa personalitete të caktuara në disa vende të botës islame, sot duket se janë harruar tërësisht. Ç’është më e keqja, ideatorët e këtyre projekteve shpresëdhënëse vuajnë nga sindroma e rraskapitjes. Për shembull: Ku është sot Organizata e Bashkëpunimit Islamik (dikur Organizata e Konferencës Islamike), që është themeluar për të zgjidhur problemet e vendeve myslimane? Vallë a ka kjo organizatë ndërkombëtare, e cila është fryt i shpenzimeve miliarda dollarëshe dhe punimeve dhjetëra vjeçare, ndonjë propozim për zgjidhjen e problemeve të anëtarëve të saj?

Mjerisht, jo! Shoqëritë dhe rrethet intelektuale myslimane duken sikur janë “të vdekur të pakallur” në epokën më të keqe të historisë islame. Rrjedhimisht, problemi thelbësor nuk qëndron te përçarja, copëtimi dhe letargjia psikiko-filozofike; por te mungesa e plotë e vetëdijes në lidhje me këtë përçarje dhe përgjumje në botën islame. Letargjia dhe mungesa e vetëdijes përbëjnë një problem edhe më madhor sesa vetë çështja themelore, që kërkon zgjidhje. Kjo situatë mund të krahasohet me hemorragjinë e brendshme të shkaktuar nga një aksident i rëndë tek një njeri, i cili shpëton pa plagë dhe nuk është i vetëdijshëm në lidhje me rrezikun për jetën.

Shoqëritë islame janë kaq moskokëçarëse për njëra-tjetrën, saqë vetëdijet e tyre mbi ekzistencën dhe interesat e përbashkëta janë dobësuar seriozisht. Shembulli më tronditës në lidhje me këtë çështje është mungesa e kujdesit dhe vetëdijes së mjaftueshme për problemin e refugjatëve sirianë. Në botë jetojnë rreth 1,5 miliardë myslimanë. Por sa për qind e tyre janë të ndërgjegjësuar për viktimizimin e të paktën 10 milionë refugjatëve sirianë? Me përjashtim të disa vendeve fqinje, si Turqia dhe Jordania, të cilat po mirëpresin me miliona refugjatë sirianë, cila është përqindja e vendeve myslimane që e ndjejnë edhe vetë këtë dramë?

Mirëpo sigurisht që situata nuk është edhe kaq e rëndë, pasi ekziston gjithashtu potenciali i nevojshëm, i cili të shtyn që t’i qasesh me optimizëm gjendjes aktuale. Nuk është i paktë numri i njerëzve, që shqetësohen nga drama e refugjatëve sirianë dhe problemi i përçarjes së përgjithshme. Edhe pse nuk janë ende qartësisht të dukshme, në vendet islame po fliten mjaft ide, metoda dhe projekte për zgjidhjen e problemeve. Thënë ndryshe, ekzistojnë jo pak pikëpamje optimiste për sheshimin e kushteve negative të vendeve myslimane.

Pavarësisht introversionit (mbyllje në vetvete) dhe gjithë këtyre problemeve, bota islame po përjeton kontraktimet dhe dhimbjet e lindjes për një epokë të re. Vendet myslimane do të gjejnë patjetër një rrugëdalje, sikurse Evropa arriti me sukses t’u japë fund luftërave përmes projektit të Bashkimit Evropian. Sepse bota islame formohet nga njerëz më dinamikë, më të rinj në moshë dhe më të vullnetshëm sesa pjesa dërrmuese e vendeve perëndimore.

Popujt, intelektualët, mediat dhe aktorët e tjerë të opinionit publik në vendet islame do të prodhojnë me siguri nisma të reja për zgjidhje; kjo është e pashmangshme. Sepse edhe myslimanët e kanë të pamundur të mos reagojnë për një kohë shumë të gjatë ndaj fatkeqësive që i kanë rrethuar, sikurse asnjë organizëm nuk mund t’i durojë dhimbjet përjetësisht. Sociologjia myslimane dhe psikologjia e njeriut është e hapur të prodhojë teori dhe qasje të reja në lidhje me këtë çështje. Edhe pse nuk kanë dalë në sipërfaqe, pasi ndoshta ende nuk janë pjekur kushtet, një numër i madh rrethesh intelektuale dhe organizatash joqeveritare, të ndjeshme kundrejt dhimbjeve aktuale, po përpiqen si fillim që “të kurojnë plagët lënguese” të refugjatëve, por njëherësh edhe të gjejnë zgjidhje për të ardhmen. Materialisht dhe shpirtërisht, përkrahësit e refugjatëve janë duke punuar fuqishëm në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare për zgjidhjen rrënjësore të problemeve rajonale.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen – Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll

Artikulli paraprakLargpamësia e Muhammedit (alejhi selam).
Artikulli vijuesKur ke vullnet dhe dëshirë mund të arrish atë që e dëshiron! (FOTO)