Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit zyrtar të ekspoziturës së prodhimeve kosovare të drurit e cila u hap në Shtutgart të Gjermanisë.
Në këtë inaugurim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Kosovare në Gjermani, përfaqësuesit e USAID-it në Kosovë të cilët e kanë mbështetur projektin, përfaqësuesit e Konzullatës së Kosovës në Shtutgard, si dhe përfaqësues nga institucionet gjermane.
Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, përshëndeti hapjen e kësaj ekspoziture e cila, siç theksoi ajo, do të hapë shtigje të reja drejt suksesit për afaristët tanë në rritjen e eksportit të produkteve kosovare në Gjermani dhe në vendet tjera të Evropës perëndimore.
“Prodhuesit kosovarë të sektorit të mobiljeve për vite të tëra kanë bërë përpjekje të parreshtura të rriten dhe zhvillohen, dhe tashmë mund të themi me krenari se ata kanë arritur të konsolidohen më mirë në tregun e Kosovës si dhe të hapin rrugën drejt tregjeve të rajonit dhe vendeve të Bashkimit Evropian” tha ministrja.
Prandaj, vazhdoi ajo, “hapja e kësaj ekspoziture nuk është zhvillim i rastësishëm por vjen si rezultat i ambicieve të larta të këtij komuniteti afaristësh të cilët janë të vetëdijshëm se kanë arritur të prodhojnë produkte cilësore dhe të denja për t’u përballur me konkurrencën në tregje të zhvilluara dhe me standarde të larta të kualitetit.”
Lajmi i mirë është se kjo ekspoziturë do të jetë e përhershme e cila ka hapësira me depo duke mundësuar distribuimin e lehtë të produkteve kosovare në tregun gjerman dhe më gjerë.
Themelimi i agjencionit të shitjes këtu në Gjermani do të kontribuojë shumë në fuqizimin e sektorit të industrisë së drurit në Kosovë dhe depërtimit më efikas në tregjet e Evropës perëndimore, theksoi ministrja.
Znj. Bajrami, uroi që hapja e kësaj ekspoziture të përhershmë në Gjermani, të përcillet edhe me projekte të ngjashme edhe nga sektorë të tjerë sepse tashmë pas fillimit të implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim janë hapur shumë mundësi të reja të cilat duhet t’i shfytëzojmë, tha ajo.
Në fund, ministrja Bajrami u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë avokuese dhe mbështetëse e rëndësishme institucionale për bizneset tona dhe për këtë po punojmë sistematikisht në shumë projekte konkrete të cilat kanë për qëllim fuqizimin e prodhimit, cilësisë së produkteve dhe promovimit të tyre në tregjet ndërkombëtare, nënvizoi ajo, njofton Zyra për Informim e MTI-së.