Profili arsimor që i përmbush kërkesat e tregut të punës

Institucionet arsimore në Kosovë, përzgjedhjen e profileve në sistemin e shkollimit të lartë duhet ta bëjnë në përputhje me kërkesat e tregut të punës, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Tregu i punës, thonë ata, shpeshherë kërkon profesione që në Kosovë ka mungesë të tyre. Sistemi i shkollimit në Kosovë në veçanti ai universitar, siç thonë ata, në profilet e ndryshme nuk ofron specifikime të duhura.

Për këtë, ata iu rekomandojnë autoriteteve të Kosovës që të krijojnë një dialog të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe ndërmarrjeve të cilat ofrojnë vende pune.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se është shqetësuese kur ka shumë ankesa nga njerëzit që diplomojnë në një fakultet të caktuar, por realisht nuk janë të përgatitur për tregun e punës.

“Institucionet arsimore që përgatisin apo i diplomojnë këta të rinj duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me ndërmarrjet dhe të shohin se cilat janë kërkesat e tyre. Dhe të mos kemi vetëm njerëz që kanë tendenca të studiojnë vetëm në fakultet ekonomi, juridik apo në profile që në Kosovë ka të shumta”, thotë Zeka.

Shqetësimet më të mëdha që vinë nga bizneset që janë anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës, tregon Zeka, është se mungesa e shkathtësive në nivelin e menaxhimit dhe mungesë të njerëzve të cilët janë të specializuar në një fushë të caktuar.

“Vërejtjet apo ndoshta shqetësimet e vazhdueshme që i marrim nga bizneset është që realisht ka ngecje apo ka mungesë të shkathtësive ne nivelin e menaxhimit. Pra kemi shumë pak njerëz që janë të përgatitur në këtë pozitë”, bën të ditur Zeka.

Në anën tjetër, në bazë të disa hulumtimeve të bëra nga Aleanca Kosovare e Biznesit kohë më parë, profesionet që kërkohen e që ka mungesë të njerëzve të profesionlaizuar në atë fushë është sektori i ndërtimtarisë së ulët, hotelerisë dhe agrikultura.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se në sektorin e ndërtimtarisë, hotelerisë dhe agrikulturës ka fuqi punëtore të mjaftueshme, por të pakualifikuar.

“Këto profesione që jep perceptim se ka sa të duash analizat tregojnë se mungojnë punëtorë profesional. Ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të bëjë trajnime në këto profesione”, thotë ai

Hulumtimi i bërë nga Aleanca Kosovare e Biznesit për nevojat e tregut, tregon Shahini iu është dergjur institucioneve të Kosovës, por që deri më tani nuk ka ndonjë rezultat konkret në profesionalizimin e punëkërkuesve për sektorët që kërkon tregu i punës.

“Ky hulumtim në vitin e kaluar ka qenë në tavolinat e institucioneve të Kosovës dhe në hulumtimin e ardhshëm presim të dalim me indeks a është zbutur kjo kërkesë dhe çfarë ka bërë qeveria që t’i ofrojë tregut punëtorë të trajnuar në përputhje me nevojat e tregut”, shprehet Shahini.

Për trajnimin e punëkërkuesve përkujdeset Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo ministri ka 8 qendra rajonale për aftësime profesionale. Sipas prononcimeve të dhëna më herët për Radion Evropa e Lirë nga zyrtarë të kësaj ministrie thuhet se numri i atyre që regjistrohen vazhdon të mbetet i lartë, por trajnime në vit, mund të ndjekin mbi 3 mijë punëkërkues./rel

Artikulli paraprakProfili arsimor që i përmbush kërkesat e tregut të punës
Artikulli vijuesJo vetëm fjalë gatishmërie, por duhet luftë ndaj korrupsionit