Prokuroria Akuzon Shyqyri Haxhën se Dëmtoi PTK-në për 53 Mijë Euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë në fund të nëntorit të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Shyqyri Haxhës ish- kryeshefit ekzekutiv të PTK-së  për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar.
 
Haxha thotë se kjo akuzë i është ngritur për ta eliminuar nga gara për kreun e ndërmarrjes fitimprurëse kosovare.
 
Prokuroria akuzon Haxhën se derisa ishte kryeshef i PTK-së nga viti 2009 deri në vitin 2011 veproi në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe matricën e autorizimeve të datës 14 shtator 2010.
 
Sipas prokurorisë, nga ky veprim i dëmshëm Haxha përfitoi 53 mijë euro.
 
“Duke implementuar Rezolutën e Bordit të Drejtove të PTK-së me datën 14.07.2009 përkitazi me mbulimin e shpenzimeve të qirasë për stafin e PTK-së që jetojnë jashtë Kosovës, ka përfituar në mënyrë kundërligjore pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2000 euro për çdo muaj e cila shumë arrin gjithsej në 53.000 euro,” thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
 
Sipas aktakuzës, në këtë kohë Haxha e ka pasur pagën mujore në vlerë 5 mijë e 182 euro.
 
Prokuroria në aktakuzë përmend se Haxha gjatë mbrojtjes së tij ka thënë që ka punuar në PTK si staf ndërkombëtar nga viti 2008 deri në vitin 2011, ndërsa qiranë për të cilën akuzohet, sipas prokurorisë ka thënë se e ka marrë me vendim të Bordit Ekzekutiv të Postës.
 
Por Haxha në një përgjigje për KALLXO.com në lidhje me aktakuzën thotë se nuk është intervistuar nga prokuroria.
 
“Unë nuk jam intervistuar fare nga prokurori/ja për ketë rast dhe nuk isha fare i njoftuar që më ishte ngritur aktakuzë,” thotë Haxha.
 
Ai thotë se aktakuza i është ngritur dy ditë para se të shpallet konkursi për kryeshef ekzekutiv të PTK-së, me qëllim që të eliminohet nga kjo garë.
 
“Kur desha të konkurroj për këtë pozitë dhe kërkova nga gjykata të më dërgojë dokumentin që nuk jam nën hetime, mua më doli që paskam aktakuzë! Kjo është bërë për të më eliminuar nga gara me këtë aktakuzë, kjo është e sigurt. Ndryshe nuk di si ta shpjegoj se si është e mundur që pas 6 vjetëve që është bërë rasti, të ngrihet aktakuzë 2 ditë para konkursit për drejtor në PTK,” dyshon Haxha.
 
Konkursi për kryeshef ekzekutiv të PTK-së u hap në shtator të vitit 2014, ndërsa i njëjti u mbyll në janar të këtij viti.
 
Kryeshef ekzekutiv i PTK-së më 19 shkurt u zgjodh Agron Mustafa që është anëtar i Kryesisë së PDK-së në Prishtinë.
 
Gjykata Themelore në Prishtinë pritet tash ta caktojë shqyrtimin e kësaj lënde për Shyqyri Haxhën.
 
Shyqyri Haxha ishte i akuzuar për hyrje në kontrata të dëmshme dhe shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit në një proces tjetër. Ai u lirua nga këto akuza më 28 qershor 2013.kallxo/kohaislame
Artikulli paraprakMos e Përzieni Dizelin me Benzinë Porosit Ministria Naftëtarët
Artikulli vijuesMos të heshtet komploti kundër Limajt