Protestë për shami në Ferizaj

Ferizaj Sheshi i qytetit “Adem Jashari” në Ferizaj është mbushur në mesditë nga besimtarë islamë, të cilët kanë zhvilluar një protestë paqësore, në shenjë pakënaqësie ndaj largimit të maturantes Njomëza Jashari nga shkolla e mesme ekonomike “Faik Konica” e Ferizajt, për shkak të fillimit të bartjes së mbulesës-shamisë nga ana e saj.

Përmes kësaj proteste, organizuar nga Lëvizja “Bashkohu” u është bërë thirrje institucioneve të arsimit komunal të rikthejnë në banka të shkollës nxënësen e larguar. Ata konsideruan se largimi i saj nga shkolla, më 25 janar, përbën shkelje të normave ligjore dhe kushtetuese, sikundër edhe konventave ndërkombëtare.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me përmbajtje “Mbulesa është normë fetare”, “E drejta e shkollimit mbrohet me ligj”, “Ndalohet mbulimi i mendjes, jo i kokës”, “Mos shfrytëzoni shtetin kundër nesh”, ndërsa në pankartën kryesore ishte shënuar “Udhëzimi Adiministrativ i dalur nga MASHT-i në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjitha konventat ndërkombëtare”. Derisa ka zgjatur takimi mes kryetarit të Lëvizjes “Bashkohu” Fuad Ramiqi dhe babait të Njomzës, Nesret Jashari me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtorin e Arsimit, Agim Berisha, protestuesve u është drejtuar njëri nga udhëheqësit e kësaj lëvizje, Fatos Rexhepi. Ai i është drejtuar turmës me fjalët se në Kosovë po diskriminohen besimtarët islamë, në veçanti femrat që po vendosin të bartin shaminë.

Pas takimit me krerët komunal të Ferizajt, Fuad Ramiqi ka thënë se është kërkuar rikthimi i Njomëza Jasharit në shkollë, por një gjë e tillë nuk është mundësuar nga drejtuesit komunal, të cilët janë këmbëngulës në mbrojtje të “ligjshëmrisë”, ndërsa nga këta të fundit janë dhënë alternativa për kapërcimin e këtij problemi.
Ndryshe, kanë shpjeguar zyrtarët komunal të Ferizajt. Drejtori i DKA-s, Agim Berisha ka thënë se kjo është një çështje që nuk mund t’i zgjidh pushteti lokal, por janë çështje që zgjidhen në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Protesta ka përfunduar pa incidente. Ndryshe, pas përjashtimit të maturantes Njomëza Emini nga procesi mësimor, ditë më parë kanë protestuar edhe nxënës të shkollës ku ajo vijonte mësimin, ndërsa kanë reaguar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame dhe dega e Partisë së Drejtësisë në Ferizaj./BS/kohaislame

Artikulli paraprakTrashëgimia e sekretares Clinton
Artikulli vijuesIrak – Protesta masive kundër kryeministrit Maliki